Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Në përpjekjen e tretë, Kosova e kërkon suksesin në “Mejdan”

Kosova - Bosnja

Udhëtimin e dytë për ndeshje kualifikuese, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e kishte bërë për në Tuzla të Bosnjë-Hercegovinës. Më 9 janar të vitit 2016, pra mbi një dekadë më parë, Bosnjë-Hercegovina kishte fituar 41:25. Plot 3.500 shikues ishin në palestrën në Tuzla për ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2017.

Në të njëjtin qytet e në të njëjtën arenë, Bosnjë-Hercegovina e Kosova kishin luajtur edhe më 12 mars të vitit 2023. Dallimi në cilësi këtë herë ishte më i vogël. Boshnjakët fituan 25:18 në kualifikimet për “Euro 2024”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dhe Kosova luan në Tuzla sërish të enjten prej orës 20:00. Dhe në përpjekjen e tretë e kërkon fitoren në arenën “Mejdan”. Ndeshja i takon fazës së dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2027.

Prej lojtarëve që janë aktualisht në përfaqësuese, në ndeshjen e vitit 2016, ishin Kastriot Jupa, Valon Dedaj, Florim Hoxha dhe Haris Berisha.

Jupa i kishte pesë gola, Hoxha tre e Dedaj dy. Kapiteni Dedaj, zëvendëskapiteni Jupa dhe portieri Berisha ishin në “Mejdan” edhe para tre vjetësh. Ekipi i Kosovës ka ndryshuar pak prej atëherë. Në përfaqësuese vazhdojnë të jenë edhe Drilon e Drenit Tahirukaj, Egzon Gjuka, Lulzim Shabani, Matej Thaqi, Arbios Mushkolaj, Bujar Ramosaj, Leonard Gegaj, Jon Muqolli, Shaban Zogaj.

Aloja Drilon Tahirukaj thotë se Bosnja nuk e ka forcën që e kishte në të kaluarën.

“Me Bosnjën jemi përballur edhe në të kaluarën. Nuk kemi arritur të kualifikohemi, por Bosnja e ka ndërruar thuajse tërësisht gjeneratën. Është koncentruar në lojtarë më të rinj dhe mendoj se nuk është Bosnja që ishte përpara, me shumë lojtarë në Bundesligë e ‘Champions’. Por është ekip që nuk bën të nënvlerësohet dhe besoj se i kemi gjasat 50 – 50 dhe duhet të japim maksimumin. Jemi të kompletuar në të gjitha pozitat, ka konkurrencë të shëndoshë dhe kjo na dërgon përpara”, ka thënë Tahirukaj.

Kapiteni Dedaj dhe zëvendëskapiteni Jupa janë kthyer për ndeshjet me Bosnjë-Hercegovinën. Dedaj mungoi në ndeshjet e raundit të parë kualifikues ndaj Britanisë së Madhe. Ndërkohë Jupa mungoi gjithë vitin e kaluar për shkak të një lëndimi të gjurit.

Kosova i ka humbur edhe dy ndeshjet në shtëpi me Bosnjë-Hercegovinën.

Sa u takon kualifikimeve për Botërorin 2027, ndeshja në Tuzla vlerësohet me shumë peshë. Nëse merr rezultat të favorshëm të enjten, Kosova do ta kërkojë kualifikimin në raundin e tretë dhe të fundit, të dielën në shtëpi. Ndeshja e kthimit zhvillohet nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve kalon në raundin e tretë kualifikues. Në raundin e tretë do të përballet me Ishujt Faroe.

Kosova është ende në pritje të kualifikimit në ndonjë ngjarje të madhe të hendbollit me ekipin e të rriturve. Me ekipet e grupmoshave të reja tashmë tri herë është paraqitur në Kampionate Botërore.

Mesazhi i veçantë i tifozëve boshnjakë në ndeshjen e kaluar të Kosovës në Tuzla

1 o. më parë / 18 mar 2026 13:30
Kosova Tuzla Bosnjë-Hercegovina

Një baner të veçantë kishin shfaqur tifozët e zjarrtë të Bosnjë-Hercegovinës, të njohur si “Fanaticos”, në ndeshjen e kaluar me Kosovën në hendboll, në arenën “Mejdan” në Tuzla.

Më 12 mars të vitit 2023, “Fanaticos” kishin shfaqur mesazhin “Mirë se vini lojtarë të Kosovës së PAVARUR”.

Ky mesazh ishte përcjellë me reagime të shumta. Derisa në Kosovë vlerësimet ishin shumë pozitive, serbët e Bosnjë-Hercegovinës kishin reaguar duke e vlerësuar mesazhin skandaloz.

Për shkak të ndikimit të serbëve, Bosnjë-Hercegovina vazhdon të mos e njoh shtetin e Kosovës.

Edhe para udhëtimit të ri për për Tuzla, hendbollistët kosovarë është dashur të pajisen me viza për të hyrë në Bosnjë-Hercegovinë.

Ndeshja e radhës e hendbollit mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës zhvillohet të enjte nga ora 20:00, po në Tuzla.