Sporte të tjera

Kosova synon t’i mbyllë kualifikimet me paraqitje dinjitoze

volejboll

Volejbollistët e Kosovës e nisën me humbje kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian, që organizohet vitin e ardhshëm në Bullgari, Finlandë, Itali dhe Rumani. Në gusht të vitit të kaluar, në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan, u mposhtën nga Letonia me rezultatin 3:0 në sete. Humbje me rezultat të njëjtë Kosova pësoi ditë më vonë nga Sllovakia në Nitra. “Dardanët” nga Sllovakia pësuan humbje 3:0 edhe më 9 gusht në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Kualifikimet i mbyllin të shtunën me ndeshjen që luhet në Riga ndaj Letonisë. Ky ballafaqim nis në orën 18:30.

“Djemtë po gëzojnë formë të mirë fizike dhe atmosferë pozitive në skuadër”, ka shkruar Federata e Volejbollit e Kosovës.

Pas tri ndeshjeve, Kosova është e fundit në Grupin G. Sllovakia është e para me nëntë pikë, pas tri fitoreve e një humbjeje, ndërsa Letonia e dyta i ka gjashtë pikë në tri ndeshje. I ka dy fitore e një disfatë.

Te Kosova kanë thënë se do të mundohen të bëjnë paraqitje dinjitoze.

Bardhyl Hajdaraj është njëri prej volejbollistëve më me përvojë bashkë me kapitenin Gazmend Husaj, në grupin që udhëhiqet nga selektori nga Mali i Zi, Darko Prebiraçeviq.

“Jam njëri prej lojtarëve me më së shumti përvojë në Kombëtare të Kosovës dhe në këto kualifikime e kemi edhe legjendën e këtij sporti, Gazmend Husajn. Me bashkimin e eksperiencës së lojtarëve më me përvojë, si dhe dëshirës së madhe nga lojtarët e rinj, pres ndeshje të mirë, pa presion, që ta hap një derë të madhe për gjeneratën e re që po vjen pas nesh në përfaqësuese”, deklaroi Hajdaraj të premten për KOHËN.

Ai thotë se e rëndësishme për gjithë skuadrën është të paraqitet mirë, duke i shmangur gabimet që janë bërë në ndeshjet e kaluara.

“Nuk mund të them se presim fitore, por gjithmonë në sport ka befasi të bukura”.

Malaziasi Prebiraçeviq u zyrtarizua si selektor i ri i “Dardanëve” më 17 korrik të këtij viti, duke e zëvendësuar çekun Martin Nemec.

Ndeshja debutuese e selektorit malazias ishte ajo e kaluara ndaj Sllovakisë.  

Evropiani 2026 i volejbollit do të jetë edicioni i 34-t. Vetëm për herën e katërt organizohet në katër shtete të ndryshme.