Federata e Volejbollit e Kosovës ka bërë hap të rëndësishëm në përdorimin e teknologjisë. Sipas FVK-së, Kosova është e vetmja në rajon që nga viti i ardhshëm në ndeshjet e rëndësishme do ta ketë të pranishme teknologjinë “Video Challenge”.
Ky sistem i teknologjisë ka nisur së zbatuari në garat e rëndësishme evropiane për të shmangur gabimet gjatë ndeshjeve. E nga viti i ardhshëm, një gjë e tillë do të ndodhë edhe në Kosovë.
Kështu ka njoftuar të martën Federata e Volejbollit e Kosovës. FVK-ja ka shkruar se “Video Challenge përfaqëson një risi të rëndësishme në volejbollin modern”, ndërsa ka shtuar se “do të rritet ndjeshëm saktësia e vendimeve të gjyqtarëve, transparenca dhe drejtësia sportive”.
Kryetari i FVK-së, Bahri Gjinovci, deklaroi për KOHËN se kjo është fjala e fundit e teknologjisë dhe se ka kushtuar afro 30 mijë euro. Ai ka treguar se kanë nisur procedurat me kompaninë dhe nga java e ardhshme do të mbahen trajnime për përdorimin e saj.
“Do të jenë katër gjyqtarë të rinj që do të trajnohen për këtë sistem. Dhe menjëherë do të fillojmë me implementimin e teknologjisë për lojërat finale që i kemi dhe ta aplikojmë menjëherë në vitin që vjen. Finalet e plejofit, finalet e Kupës, Superkupës, Kupën e Federatës, ligës ‘Gjergj Kastrioti’, përfshirë edhe aktivitetet ndërkombëtare, në të gjitha që i kemi, kjo do të jetë në funksion”, theksoi Gjinovci.
Kamerat që përdoren për këtë lloj sistemi janë të shumta dhe të vendosura në gjithë fushën, duke mos lejuar të ndodhin gabime. Pamjet e përsëritjeve janë shumë të qarta me 15 kamera, nga ajo që është sqaruar nga federata evropiane.
Sipas të dhënave, vendosja e kamerave merr kohë deri në dy orë.
Teknologjia po ashtu ka kosto edhe në mirëmbajtje.
“Është njëra prej ‘video-challenge’ më të avancuara. Ka kushtuar diku rreth 30 mijë euro. Edhe mirëmbajtja e pajisjes shkon diku prej 4 mijë deri në 6 mijë euro. Ky projekt është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka shtuar Gjinovci.
Ai theksoi se kjo teknologji do të jetë e pranishme edhe në garat evropiane të volejbollit.
“Me këtë hap strategjik, Federata e Volejbollit e Kosovës vazhdon të konfirmojë rolin e saj si një federatë që avancohet, e përkushtuar ndaj inovacionit, zhvillimit dhe rritjes së cilësisë së volejbollit kosovar”, ka shkruar FVK-ja.