Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Drejtuesi kosovar i EWF-së kritikohet pasi qortoi ukrainasen që refuzoi të fotografohej me sportisten ruse

Drejtuesi kosovar i EWF-së kritikohet pasi qortoi ukrainasen që refuzoi të fotografohej me sportisten ruse

Foto e shkëputur nga videoja në instagram

Gara e peshëngritëseve në kategorinë deri 77 kilogramë në Kampionatin Evropian mbeti në hije të një incidenti që ndodhi pas ceremonisë së ndarjes së medaljeve.

Fituesja e medaljes së bronztë, Iryna Dombrovska e Ukrainës, refuzoi të merrte pjesë në fotografinë e përbashkët të medalisteve. Medaljen e argjendtë e fitoi rusja Varvara Kuzminova, që garoi si e pavarur. Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, sportistët ukrainas shpesh refuzojnë të fotografohen bashkë me sportistët rusë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për refuzimin që të fotografohet, ukrainasja Dombrovska u qortua nga presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), Astrit Hasani.

Sajti i njohur i sporteve olimpike, “Inside The Games”, ka shkruar se ndërhyrja e Hasanit po kritikohet shumë.

“Refuzimi çoi në një përballje të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë pas ceremonisë, ku Hasani, i cili është nga Kosova, u kap në video duke folur në mënyrë strikte dhe të ashpër me Dombrovskën dhe stafin e saj të trajnerëve”, ka shkruar “Inside The Games”.

Ky medium ka paraqitur edhe fjalimin qortues të Hasanit ndaj sportistes ukrainase.

“Është e papranueshme, sepse ky është sport. Sporti mbi politikën në organizatën tonë”, është dëgjuar të thoshte Hasani.

Videoja është publikuar në rrjetet sociale nga trajneri ukrainas, Dmitryi Sukhotskyi. Ai shprehu zhgënjimin me qëndrimin e EWF-së.

“Sportistja ukrainase, Iryna Dombrovska, e cili i fitoi tri medalje bronzi në Kampionatin Evropian, zbriti me qetësi nga podiumi pas ceremonisë dhe nuk mori pjesë në një fotografi në grup me një sportiste ‘neutrale’ nga Rusia. Është e rëndësishme të theksohet se nuk pati demonstrime, deklarata apo shkelje të protokollit. Sjellja e saj ishte respektuese dhe e përshtatshme”, shkroi Sukhotskyi.

Ai ka shtuar se nuk ka obligim që sportisti të marrë pjesë në fotografinë e përbashkët.

Sipas “Inside The Games”, incidenti ka shkaktuar valë mbështetjeje për sportisten ukrainase. Britanikja Sarah Davies, ish-kryetare e komisionit të sportistëve në Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes dhe fituese e medaljes të artë në Evropianin që të dielën përfundoi në Batumi të Gjeorgjisë, është rreshtuar publikisht me ukrainasen.

“Kjo është e papranueshme. Të flasësh me këdo në këtë mënyrë, pavarësisht se për çka bëhet fjalë, nuk është në rregull. Unë mbështes vendimet e këtyre sportistëve për të mos ndarë podiumin. Gara ka të bëjë me sportistët dhe punën e tyre të madhe dhe jo me bordin ekzekutiv dhe mendimet e anëtarëve të tij”, ka shkruar britanikja.

Forrester Osei, kryetar aktual i komisionit të sportistëve në Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes, lëshoi po ashtu një deklaratë solidariteti. Ai ka shprehur shqetësim për presionin e ushtruar mbi sportisten, shkruan “Inside The Games”.

“Është zhgënjim i madh të shohësh këtë video nga një Kampionat Evropian i suksesshëm. Nëse sportistja zgjodhi të mos bënte një fotografi për shkak të tensioneve rajonale që prekin vendin e saj dhe të dashurit e saj, është e drejta dhe përgjegjësia e saj të ushtrojë lirinë e shprehjes pa asnjë frikë. Sporti mund të jetë gjithashtu hapësirë për shprehje personale dhe për t’u bërë homazh shokëve të humbur. Qëndrojmë në solidaritet me sportisten”, ka shkruar Osei.

VIDEO: