Besa Famgas ka shënuar fitore “evropiane” të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Besa e mposhti skuadrën turke Depsas Enerji me rezultat 39:34. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të parë të Kupës Evropiane për hendbollistë. Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit.
Ekipi pejan që nga fillimi i ndeshjes ishte në epërsi. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:16 për Besën. Në fund dallimi ishte pesë gola.
“Ndonëse me fond të limituar të lojtarëve, Besa Famgas ka shfaqur shpirt luftarak dhe shënoi fitore që ka rëndësi edhe për të ardhmen e këtij klubi me nam”, ka shkruar Federata e Hendbollit e Kosovës.
Ali Abdulah Zayan ishte më efikasi te Besa Famgasi me 14 gola. Nëntë i shënoi Deniz Terziqi e shtatë Amar Muqolli. Katër gola i shënoi Jon Vokshi, nga dy Enis Kuleta e Edonis Hajra dhe një Ilir Istrefaj. Me 13 pritje u dallua edhe portieri Olt Kabashi.
Ndeshja e kthimit është të shtunën e ardhshme në Ankara të Turqisë.
Plot shtatë skuadra kosovare paraqiten në gara evropiane në hendboll.