Sport

Zeka i gatshëm të përballet me UTA Aradin në FIFA: Vendosa ta vija familjen në vend të parë

Mevlan Zeka

Sulmuesi Mevlan Zeka ka dalë me reagim pas paralajmërimit të klubit rumun UTA Arad se do ta paraqesë në FIFA.

Zeka ishte kthyer në Kosovë pas kampit përgatitor në Slloveni dhe nuk u kthye në Rumani për arsye familjare.

Drejtori i përgjithshëm, Alexandru Meszar, tha të martën për “GSP” se Zeka nuk e ka respektuar kontratën. Por, Zeka në reagim thotë se vendosi ta vinte familjen në rend të parë.

“Më 23 qershor 2025 iu bashkova klubit në fazën përgatitore në Slloveni, ku qëndrova për 10 ditë. Dua të falënderoj nga zemra trajnerin, stafin dhe bashkëlojtarët për mikpritjen dhe respektin që ma dhanë që nga dita e parë. Gjatë kësaj periudhe bashkëshortja ime kishte shfaqur shqetësime shëndetësore.

Ndërsa unë isha ende në Slloveni, ajo iu nënshtrua disa testeve mjekësore dhe fatkeqësisht situata doli të jetë serioze, jo e lehtë. Pas përfundimit të fazës përgatitore, klubi na dha dy ditë pushim për t’u kthyer tek familjet tona. Pikërisht në ato ditë mora lajmin për gjendjen dhe situatën serioze me te cilën po kalonte bashkëshortja”, ka shkruar Zeka në reagim.

Golashënuesi më i mirë në Kosovë, me 22 gola, në sezonin e kaluar, luajti për Suharekën, për të cilën ishte edhe kapiten.

Ai insiston se ka qenë e pamundur të kthehet në Rumani.

“Përgjegjësia ime si kryefamiljar, bashkëshort dhe baba ishte më e madhe se çdo detyrim si futbollist. Sugjerimi i mjekut që bashkëshortja ime kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm bëri që vendimi im të ishte i qartë, pasi terapitë që ajo duhej të ndiqte ishin të pamundura të përballoheshin pa praninë time”, ka shtuar Zeka.

“Unë nuk kam baba, vëllai im nuk jeton në Kosovë, dhe jam i vetmi mashkull në familje, pranë nënës, bashkëshortes dhe djalit tim. Në atë moment ishte e pamundur të largohesha prej tyre dhe të udhëtoja për në Rumani. Situata ishte e rëndë dhe si çdo njeri vendosa ta vija familjen në vend të parë”.

Ai ka mohuar se ka stërvitur me ndonjë klub në Kosovë.

“Nuk është e vërtetë që jam stërvitur apo kam nënshkruar me ndonjë skuadër tjetër, apo që jam larguar pa komunikim. Që nga dita që jam kthyer në Kosovë nuk kam bërë asnjë seancë stërvitore. Kam shpjeguar situatën në klub dhe kam dorëzuar të gjitha raportet mjekësore që dëshmojnë gjendjen e bashkëshortes sime. Kam bashkëpunuar ngushtë me menaxherin tim për të gjetur një zgjidhje të drejtë për të gjitha palët”, ka theksuar Zeka.

Ai thotë se është i gatshëm të përballet me klubin rumun në FIFA.

“Nëse rasti shkon në FIFA, unë do të përballem me çdo situatë dhe do të kërkoj të drejtat e mia si çdo futbollist që është gjendur në situata të tilla. Nuk jam i pari që përballem me këtë sfidë, por shpresoj të jem i fundit, sepse nuk dua të shoh asnjë futbollist tjetër të kalojë atë që po kaloj unë. Kjo është puna jonë dhe me të mbajmë familjet tona”, thotë Zeka.

Zeka pranon se nuk ka marrë asnjë pagë deri më tani.

“Gjithashtu kam hequr dorë nga çdo e drejtë financiare për të mos e dëmtuar klubin, sepse e respektoj UTA Arad dhe tifozët e saj. Për mua ky transferim ishte një ëndërr dhe një hap i madh në karrierë. Është e dhimbshme të mos jem sot në Arad për të luftuar për fanellën e klubit, por ka momente në jetë kur futbolli duhet të ndalet përpara përgjegjësisë ndaj familjes”, ka thënë Zeka. 

Ai shpreson ta ketë mirëkuptimin e klubit rumun dhe rasti i tij të zgjidhet pa pasur nevojë të përballet në FIFA.

Zeka 31-vjeçar me klubin UTA Arad ka kontratë dyvjeçare.

Ka shumë futbollistë shqiptarë që luajnë për klube të ndryshme rumune. Ndikimi i tyre është i madh.