Gjilan, 22 nëntor - Çdo sportist e ka një tregim për t’ua thënë të tjerëve. Një grup dukshëm më i vogël ka një rrëfim që inspiron mijëra të tjerë.
I tillë është edhe rasti i Enis Xhemailit, futbollistit të Dritës në grupmoshën U15.
Enisi po vazhdon ta jetësojë ëndrrën e futbollit, të cilën e nisi shtatë vjet më parë. Ai synon që një ditë të bëhet futbollist i madh, të luajë për një ekip të madh e ta përfaqësojë Kosovën, raporton KOHA.
Talenti nuk i mungon. Nuk i mungon as vullneti. Madje, tek Enisi vullneti është shumë i theksuar. Ai shquhet për punë e përkushtim.
“Hobi im është futbolli. Me futboll disi kam qejf të arrij shumë. Kënaqem me futboll. Mjafton ta kem vetëm një top dhe mund të jetoj”, ka thënë Xhemaili në një intervistë dhënë “KOHËS”.
14-vjeçari vlerësohet lart për talentin që e ka edhe nga trajneri i tij, Ardian Latifi. Majtaku gjilanas dallohet për nga eleganca që ka në fushën e lojës, për pasime të sakta e gjuajtje të fuqishme. Xhemaili në katër ndeshjet e luajtura këtë edicion ka nëntë gola të shënuar. Është shumë i dashur edhe për shokët e skuadrës.
Por, ai nuk kënaqet me të arriturat e deritanishme. Thotë se vetëm me punë të madhe arrihet çdo gjë dhe se mund të bëhesh i madh në çdo aspekt, veçanërisht në atë sportiv.
“Të gjithë të rinjtë duhet të merren sa më shumë me sporte, sepse sporti është vetë jeta. Të merren me futboll, basketboll, çfarëdo qoftë. Duhet të ushtrojnë shumë për t'u bërë të mëdhenj”, ka thënë Xhemaili.
Enisi ka vizion të qartë për të ardhmen. Ai ka thënë për KOHËN se futbollit nuk do t’i ndahet asnjëherë.
Dëshiron të jetë frymëzim për të rinjtë dhe që përvojën ta ndajë me të tjerët.

“Kam bërë shumë për futboll dhe do të bëj. Në të ardhmen, pasi ta përfundoj karrierën si futbollist, dua të bëhem trajner i futbollit. T'i mësoj të rinjtë të bëhen futbollistë të mirë”, thekson Xhemaili.
Pos futbollit, Enisi ka edhe synime të tjera në jetë. Shpreson t’i ndihmojë të tjerët me projektet të cilat i ka, e që beson fuqishëm se do t’i realizohen.
“Dëshira ime është që ta bëj një fondacion që t'i ndihmoj njerëzit që janë me sëmundje, që janë të varfër. Dua t'i ndihmoj të gjithë që e kanë dëshirën të luajnë futboll që nga fëmijëria. Dua t'ua plotësoj çdo dëshirë të gjithëve”, përfundoi ai.
Ardian Latifi, trajner i Enis Xhemailit dhe grupmoshës U15 te Drita, flet për cilësitë të cilat i posedon 14-vjeçari. Thotë se ka statistika të jashtëzakonshme.
“Enisi është në mesin e shumë lojtarëve të mirë që gjinden për momentin në akademinë e klubit të futbollit Drita. Është lojtar model, lojtar kreativ. Lojtar i cili luan mirë në dy drejtimet, edhe në lojën ofensive, edhe në lojën defensive. Kohëve të fundit po shënon shumë gola. Në përgatitjet parasezonale, e kam llogaritur, ka luajtur afër 800 minuta. Në 15 ndeshje miqësore i ka diku 18 gola të shënuar”, thotë trajneri i Dritës, Latifi.
Trajneri Latifi dhe prindërit e Enisit e dinë se djaloshit të talentuar do t’i duhet një ndërhyrje kirurgjike në të ardhmen. Intervenimi mund t’i kushtojë shumë para, por Latifi thekson se e ka ndihmën e koordinatorit të shkollës së futbollit, Beqir Rukovci, si dhe drejtorit gjeneral të klubit, Feti Murseli. Shton se edhe shteti duhet të kontribuojë kur të vijë koha e ndërhyrjes kirurgjike.
Futbollisti i talentuar nuk e ka gjysmën e njërës dorë. Kjo nuk e ndal aspak.
“Enisi ka lindur me gjysmë dore. Për momentin në gjeneratën U13 e U15 nuk po ka probleme, mirëpo në të ardhmen ta shohim çfarë mund të bëjmë, sepse do të dalë në kategori më të madhe, me U17, U19, pse jo edhe në ekipin e parë. Djaloshi ka potencial, por jam skeptik pasi shkaku i dorës mund të ketë duele më shumë, ndërsa me kategoritë më të reja ka duele më pak”, tregon Latifi.
Skuadra që ai drejton ka lojtarë cilësorë. Dhe ka shoqëri të mirë. Të kënaqur janë trajneri i ekipit, por edhe kapiteni Fiton Kadriu dhe mesfushori Ermal Sadiku.
“Është një grup i mirë, grup që premton shumë. Pse jo në të ardhmen ta furnizojmë ekipin e parë, pasi ka lojtarë me bagazh që mund të luajnë edhe në arenën ndërkombëtare. Aty është edhe synimi kryesor i Dritës. Synimi është zhvillimi individual i lojtarëve”, nënvizon trajneri i të rinjve të Dritës.
kapiten i gjeneratës U15. Vlen të ceket se gjatë pandemisë kur nuk ka filluar liga, më vonë kemi zhvilluar edhe shumë ndeshje miqësore ku kemi luajtur me shumë ekipe të Kosovës dhe thuajse të gjitha i kemi pasur me rezultate pozitive”, thotë kapiteni Fiton Kadriu.
“Gjatë pandemisë kemi bërë lojë miqësore të shumta jashtë regjionit të Gjilanit, me ekipe të mëdha. Kemi pasur lojë pozitive. Tani kemi filluar ligën dhe kemi zhvilluar tre lojë. Gjatë atyre lojërave, kemi pasur lojëra të mira dhe kemi marrë pikët e plota”, përfundoi mesfushori Ermal Sadiku.
Drita U15 në katër takime të zhvilluara ka treguar formë shumë të mirë. Ka marrë tri fitore e një disfatë. Dhe kontribut të madh në këtë ka dhënë Enis Xhemaili.