Sport

Tre vëllezër bëjnë tifo për tri klube të ndryshme në Serie A

Në një kënd në lagjen “Dardania” në Prishtinë janë disa shkallë të ngjyrosura me ngjyrat e flamurit të Italisë. Shkallët janë pranë kafenesë me emrin “Pippo”. Shkallët me ngjyrat e flamurit të Italisë, në fakt, simbolizojnë gjigantët e futbollit italian, Milanin, Juventusin e Interin.

“Pippo” është edhe nofka e pronarit, Genc Syla. Lidhet me sulmuesin e famshëm italian, Filippo Inzaghi.

Me skuadrën e Milanit dhe me sulmuesin Inzaghi, Genci, vëllai i Florentit dhe Artanit, është i lidhur për kohë të gjatë. Florenti është vëllai i madh dhe bën tifo për Juventusin. Genci bën tifo për Milanin, kurse më i vogli nga vëllezërit, Artani, është fans i flaktë i Interit.

Dashuria për Milanin, Gencit i ka lindur në kohën kur në këtë skuadër luanin Zvonimir Boban, Paolo Maldini, Alessandro Costacurta, Franco Baresi e George Weah. Thotë se me këta lojtarë Milani ishte vetë futbolli.

“Sulmuesi im i preferuar ka qenë çdoherë Pippo Inzaghi. Ishte pjesë e Juventusit, kurse transferimi i Pippos nga Juve te Milani ishte si të më pyesnin mua drejtuesit e klubit për këtë transferim”, thotë Genci duke qeshur.

38-vjeçari ka luajtur futboll në të kaluarën. Thotë se ka qenë i mirë.

“Gjatë stërvitjeve, sa isha pjesë e 2 Korrikut, të gjithë shokët filluan të më thërrisnin Pippo. Ka qenë po i njëjti rol që e kishte edhe ai në fushën e lojës”.

Të tre vëllezërit kanë luajtur futboll në të kaluarën. Kanë arritur deri në ekipin e parë të klubit “verdhekaltër” nga Prishtina.

“Që të tre kemi qenë lojtar aktivë, i kemi kaluar të gjitha grupmoshat dhe kemi arritur tek ekipi i parë. Por, me kohën që ecte shpejt, nuk kishte kushte për të vazhduar tutje. U detyruam të largoheshim nga futbolli aktiv, ndërsa unë përfundova studimet në Fakultetin e Edukimit Fizik. Që të tre ishim në 2 Korriku. Kemi luajtur edhe bashkë. Secili ka qenë më i mirë se tjetri”, thotë Genc Syla.

Kur vjen çështja se cila është skuadra më e mirë prej atyre që vëllezërit i pëlqejnë, Genci natyrisht se thotë Milani.

“Në Itali për kundërshtar e shoh vetëm Juventusin, ndërsa për Evropë nga Italia jemi pa konkurrencë. Atmosfera në shtëpi është shumë e mirë, sidomos në këtë sezon. Milanin e kemi në vendin e parë qe një kohë të gjatë”, thotë ai.

Genci i ngacmon më shumë vëllezërit lidhur me ekipet që i përkrahin. Ia përmend Florentit finalen e Ligës së Kampionëve, ku Juventusi humbi nga Barcelona në vitin 2015 me rezultatin 3:1.

“Vëllai ka qenë në finalen e Berlinit. Atij i janë kthyer paratë e biletës, sepse e ka parë vetëm Barcelonën, pasi Juventusi nuk e ka prekur topin fare në atë duel”, thotë Genci në shaka.

Me vëllain tjetër, Artanin, Genci ka pasur udhëtime të shumta ku kanë përcjellë derbin e Milanos. Deri te stadiumi shkojnë së bashku, ndërsa aty ndajnë rrugët. Shikojnë ndeshjet nga tribunat ku vendosen tifozët e klubeve të pëlqyera.

“Me Artanin kemi qenë shpesh në derbin e Milanos. Deri në ‘San Siro’ shkojmë bashkë, ndërsa në tribuna ai shkon te tifozët e Interit, kurse unë te ‘rossonerët’”, tregon ai.

Në një udhëtim që e kanë pasur nuk kanë arritur t’i shohin ekipet e zemrës.

Pas një sulmi kardiak vite më parë kishte ndërruar jetë kapiteni i Fiorentinës, Davide Astori. E gjithë xhiroja në Serie A u shty, e kjo bëri që Genci e Artani të ktheheshin nga Italia në Kosovë pa e parë derbin.

“Momenti më i keq që e kam përjetuar në futboll si tifoz i Milanit është humbja nga Liverpooli në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2005. Më mirë të mos e kujtoj. Kujtimi më i mirë është në Athinë, hakmarrja kundër Liverpoolit. Dy gola i kishte shënuar pikërisht Pippo”.

Image