Jetmir Topalli është ndarë i kënaqur që ka arritur ta shënojë golin e parë në Turqi. Sulmuesi Topalli të enjten shënoi një gol në fitoren e Yeni Malatyaspor ndaj Artvin Hopaspor, në kuadër të raundit të tretë në Kupën e Turqisë.
“Po ndjehem tejet mirë për golin e parë. Shpresoj që të vazhdoj të shënoj gola edhe në ndeshjet tjera. Për aq mundësi që do të kem, do të jap maksimumin që të arrijë suksese sa më shumë”, ka thënë të enjten Topalli për “KOHËN”.
Topalli 22-vjeçar tregoi po ashtu se golin e shënuar e kanë pritur mirë edhe në klubin në të cilin u transferua në afatin kalimtar veror nga skuadra e Ballkanit të Suharekës.
“Të gjithë në klub e kanë mirëpritur këtë gol të shënuar. Më kanë përkrahur shumë dhe shpresoj të vazhdoj kështu e të mos i zhgënjej”, ka theksuar Topalli.
Për ish-sulmuesin e disa skuadrave kosovare, kalimi në Turqi u vlerësua pozitivisht.
Pas golit të shënuar, Topalli pret të ketë edhe më shumë hapësirë në klubin turk. Ishte kjo vetëm paraqitja e tij e katërt te Malatyaspori, dhe e para në kuadër të Kupës së Turqisë.
“E imja është që të punoj maksimalisht për çdo ditë në ushtrime. Këto janë vendime të trajnerit, por unë jam i gatshëm gjithmonë që ta jap më të mirën”, ka shtuar Topalli.
Topalli ka thënë se në fillim ka pasur vështirë, por që tash ndjehet mirë fizikisht.
“Ka dallim shumë të madh futbolli në Kosovë dhe në Turqi. Dallimi qëndron në aspektin fizik dhe shumë në atë taktik. Në fillim kam pasur vështirësi, por me kalimin e kohës, me ndihmën e lojtarëve, kam arritur që të ambientohem dalëngadalë”, ka thënë Topalli.