Liridon Mulaj të premten shënoi gol për fitoren e Kriensit në udhëtim te Xamaxi, në rangun e dytë të futbollit zviceran. Mulaj ishte vetëm njëri nga katër shqiptarët titullarë te Kriensi në këtë duel.
Liridon Berisha luajti tërë ndeshjen, Burim Kukeli u zëvendësua në minutën e 46-të, kurse Progon Maloku u largua nga loja 15 minuta para fundit. Dy shqiptarë të tjerë, Izer Aliu e Mark Marleku, u inkuadruan në lojë në minutën e 62-të, respektivisht në të 75-n. Shqiptari i shtatë i skuadrës, Albin Sadrijaj, nuk ishte i grumbulluar për këtë ndeshje.
Kjo fitore minimale bëri që Kriensi t’i largohet paksa zonës së rrezikshme që dërgon një rang më poshtë. Protagonisti në fitore, Mulaj, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur me golin, që ishte i treti i sezonit për 22-vjeçarin nga Isniqi i Deçanit. Ai të premten i shënoi ish-skuadrës.
“Ndihem mirë në këtë ekip. Jemi si familje. Më ka marrë Kriensi pasi në tre vjet kam luajtur shumë pak dhe këtë e vlerësoj shumë. Është një ekip me shumë lojtarë të rinj dhe të talentuar. Kemi shumë potencial. Nga fillimi jam ndier mirë pasi më kanë pritur shumë mirë”, thotë Mulaj për KOHËN.
Mulaj pjesë e Xamaxit ka qenë prej moshës 14-vjeçare deri në moshën 21-vjeçare. E pranon se nuk ka pasur shumë hapësirë.
Mulaj thotë se me lojtarët e tjerë shqiptarë do t’i bashkojnë forcat për ta mbajtur Kriensin në ligë. Kriensi është i teti me 16 pikë. Skuadra e fundit (10), Chiasso i ka 11 pikë. Vetëm e fundit bie nga liga.

“Kur jeni shtatë shqiptarë në ekip ndihesh mirë pasi flet me ta dhe kultura është e njëjtë. Bëjmë shaka së bashku, flasim për Kosovën dhe e kemi lidhjen shumë të mirë mes vete”, shton Mulaj, që thotë se ka kualitet të madh në ekipin ku është ai.
Beson se me shumë punë dhe durim do të arrijë në karrierë. Mulaj ishte pjesë e ekipeve zinxhirë te Zvicra. Me skuadrën U-20 të “helvetikëve” ka luajtur gjashtë ndeshje dhe ka shënuar dy gola.
“Kam qenë pjesë e të rinjve të Zvicrës, por i kam lënë dyert hapur në të ardhmen. Nuk i dihet jetës për atë nuk them se nuk do të luaja për Kosovën apo Shqipërinë. Do të ishte kënaqësi të luaja për të tri ekipet”, thotë ai.
22-vjeçari e pranon se po mëson shumë nga Burim Kukeli. Kukeli është lojtar që e ka përfaqësuar Shqipërinë. Ai ishte pjesë e skuadrës “kuqezi” në Evropianin 2016 në Francë.
“Burimi është një lojtar shumë i mirë. Me eksperiencën e madhe që e ka mund të na ndihmojë shumë. Ai ka luajtur në nivelin më të lartë të futbollit. Mundemi të mësojmë shumë prej tij”, thotë Mulaj, që tregon se janë shtatë fëmijë në familje. Edhe dy vëllezër të tij bëjnë karrierë te skuadrat Biel-Bienne dhe Pieterlen.
37-vjeçari Burim Kukeli padyshim se është futbollisti me më së shumti eksperiencë në klub. Karrierë kryesisht ka bërë me skuadra zvicerane. Është i lumtur që numri i shqiptarëve në ekip është i madh.
“Jemi shtatë shqiptarë dhe jam i lumtur për këtë, por në kampionat nuk na ka shkuar edhe aq mirë. Po mundohemi të bëjmë më mirë. Por unë kam qenë më shumë trajner-asistent vitin e kaluar. Tani do të jem edhe më shumë në fushë pasi që ekipi ka nevojë. Kryesorja është që të mbesim në ligë”, thotë Kukeli që nënvizon se Kriensi nuk është klub i madh.
Kukeli nuk e di se kur do të pensionohet. Ai ka shumë vjet të kaluara në futboll. Nëse ndihet mirë fizikisht, mund të vazhdojë edhe për një edicion.
“Qëllimi ka qenë që të luaja më pak, por si duket kanë nevojë akoma për mua. Ta përfundojmë këtë edicion e pastaj do të shohim. Nëse do ta ndiej veten se jam mirë, jam i gatshëm të luaj edhe më shumë”.
Pjesë e Kriensit është edhe 23-vjeçari i qendrës së mbrojtjes, Liridon Berisha.
“Ndihemi shumë mirë me bashkëkombësit e mi. Ne mund të flasim shqip dhe e kemi të njëjtën kulturë. Kalojmë shumë mirë së bashku. Qëllimi është që të mbesim në ‘Challenge League’”, thotë Berisha që mbështetet po ashtu në eksperiencën e mesfushorit Kukeli.
“Raporti me Burimin është shumë i mirë. Ne lojtarët e rinj kemi mundësi të mësojmë shumë nga Burimi, sepse na ndihmon me eksperiencën që e ka. Burimi ka shumë kualitet”, ka thënë futbollisti me prejardhje nga fshati Brekoc i Komunës së Gjakovës.
