Scott Barnes, tifoz i përjetshëm i Aston Villas, nuk e kishte menduar kurrë se do ta shiste unazën me diamant të babait të ndjerë. Por kur Villa arriti në finale e parë evropiane që nga viti 1982, ai duhej të merrte një vendim emocional, shkruan BBC.
Barnes ndërmori hapin drastik për të shitur unazën e dashur, pasi ishte i suksesshëm në lotarinë për të blerë një biletë të finales, të martën. Ai kishte menduar se kjo nuk do të ndodhte kurrë.
Pronari i biletës sezonale te Villa, menjëherë mendoi se nuk do të mund ta përballonte fluturimin për në Stamboll për të parë nga afër Villan duke u përballur me Freiburgun gjerman në finale të Ligës së Evropës.
Finalja është të mërkurën e ardhshme.
Vetëm kur partnerja ia kujtoi unazën, u bë plani. Unaza e artë, e zbukuruar me nëntë diamante, u ble nga babai i tij, John Barnes, në vitin 1988.
Shitja e unazës nuk ishte e lehtë dhe Scotti duhej të vizitonte disa dyqane bizhuterish. Unazën dhe një orë dore megjithatë i shiti për 550 funte. Ai thotë se shpërtheu në lot kur mori paratë, pasi “ishte shumë i afërt me babain”.
Tifozi ka telashe serioze shëndetësore dhe ishte ndihmuar shumë nga babai. Ndonëse i regjistruar si person me invaliditet, ai përpiqet të jetë në secilën ndeshje, në shtëpi e në udhëtim.
Edhe
Mesazhi i fuqishëm i festës së McGinnit
Barnes ishte i përkushtuar të shihte finalen e skuadrës së zemrës. Ta shihte nga ndonjë ambient tjetër nuk do të ishte njësoj. Ai ka blerë biletën për në Stamboll dhe emocionet po i bëhen gjithnjë e më të mëdha.
Ai ndien se edhe babai do t’ia miratonte shitjen e unazës për të plotësuar ëndrrën për ta parë ekipin e zemrës nga afër.
BBC shkruan se këto rrëfime të tifozëve janë të ndieshme për lojtarët. Shumë prej tyre çmojnë sakrificat e tifozëve për të qenë pranë ekipit edhe në udhëtimet më të gjata.