Sport

Selmani ia ka konfirmuar Suedisë se ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën

Sulmuesi Astrit Selmani dhe menaxheri i Përfaqësueses së Suedisë, Stefan Petterson, ditë më parë kanë zhvilluar një takim. Takimi ngjalli dyshime se Selmani mund të ndërrojë vendimin e tij dhe ta përfaqësojë Suedinë, kundërshtaren e parë të Kosovës për ciklin e dytë kualifikues të saj, atë për Botërorin “Katari 2022”. Edhe më shumë dyshimet u rritën kur as menaxheri i përfaqësueses së Suedisë e as Selmani nuk treguan se çka ishte diskutuar në atë takim. Por është vëllai dhe menaxheri i Astritit, Elbasan Selmani, që të enjten për KOHËN ka bërë të ditur se sulmuesi i Hammarbyt ia ka konfirmuar zyrtarit të Federatës suedeze se ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën.

Elbasani ka theksuar se Astritit i është thënë nga Petterson se Suedia e ka në planet e saj. Por, sipas tij, Astriti nuk do ta ndërrojë fjalën e dhënë dhe se do të luajë për Kosovën.

Ndeshjen ndaj Suedisë, Kosova e luan më 28 mars në Prishtinë, kurse më 31 mars në Sevilla kundër Spanjës. Para këtyre dy ndeshjeve, Kosova në Prishtinë më 24 mars e luan miqësoren kundër Lituanisë.

“Pas takimit që ka pasur Astriti me Federatën e Suedisë, e kemi kontaktuar menjëherë Federatën e Futbollit të Kosovës dhe ia kemi bërë me dije që të mos marrin ndonjë lajm të padrejtë për Astritin. Federatës së Kosovës i kemi thënë se Astriti u ka treguar suedezëve që mendjen e ka vetëm për Kosovën. Suedia i ka treguar Astritit se e ka në plan dhe së është e interesuar për të. Kjo vjen gjithmonë kur një lojtar prej Suedisë vendos të luajë për ndonjë shtet tjetër”, ka thënë Elbasan Selmani.

Në fakt, Selmani ditë më parë për KOHËN kishte konfirmuar se do të jetë pjesë e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji, pasi ka kompletuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të luajtur. Madje, përzgjedhësi Bernard Challandes ia ka dërguar edhe ftesën në klub, ndonëse lista e Kosovës ende nuk është bërë publike.

Sulmuesi 23-vjeçar në fillim të këtij viti iu bashkua Hammarbyt pas paraqitjeve fantastike që i pati sezonin e shkuar te Varbergsi, ekip për të cilin shënoi 17 gola dhe asistoi tetë herë në 28 paraqitje.

“Astriti ka dëshirë dhe shpresë vetëm për Kosovën. Kosova është vendlindja dhe për vendlindjen dëshiron të luajë. Tash kush dëshiron të garojë për Astritin le të presin në ndeshje, aty le të mundohen ta zënë. Kjo vlen për Suedinë dhe të gjithë të tjerët. Astriti ia ka dhënë fjalën Federatës së Futbollit të Kosovës. Ne ia kemi dhënë besën dhe nuk i ndërrojmë fjalët, pastaj për gjërat e tjera vendos Federata e Kosovës. Premtime askush nuk bën, vetëm diskutime të qarta. Astriti i ka treguar Suedisë për statusin e tij me FFK-në”, është shprehur vëllai i Astritit, Elbasani.

Sulmuesi i skuadrës elitare të Suedisë, Hammarby, u lind në Malmo të Suedisë, por me rrënjë është nga Mitrovica. Ai nuk ka luajtur ende në nivel përfaqësuesesh. Një gjë të tillë do ta bëjë me Kosovën. Selmani shumë herë ka përsëritur se do të ishte krenar po të luante për përfaqësuesen e Kosovës.

Kosova ka disa lojtarë në Skandinavi, ndërsa edhe Suedia është vend që “furnizon” ekipet përfaqësuese të Kosovës.

Kosova është bazuar në sulmuesit shtatlartë Vedat Muriqi e Atdhe Nuhiu në vitet e fundit. Selmani është tip tjetër i lojtarit. Është këmbëngulës dhe nuhatës i golit. Loja e Kosovës në sulm do të fitojë dimension tjetër me ardhjen e sulmuesit energjik.

Ai është zbulim i edicionit 2020 në Allsvenskan të Suedisë. Edicionin e vitit të kaluar 23-vjeçari e ka përfunduar me plot 15 gola e gjashtë asistime. Me të përfunduar sezoni i kaluar në elitën e futbollit të Suedisë, u largua nga Varbergsi për t’iu bashkuar Hammarbyt, klub me të cilin nënshkroi kontratë deri në fund të vitit 2024.

Para se të largohej nga Varbergsi, Selmani karrierë ka bërë edhe te skuadrat e tjera suedeze, Torns, Rosengard, Kristianstad, Angelholm dhe BK Olympic. Ai shpreson që pas Hammarbyt dhe debutimit te Kosova, ta bëjë shpejt edhe ndonjë hap më të madh në karrierë.

“Letrat janë duke u kryer. Pra gjithçka që varet prej meje është përfunduar. I kam kryer të gjitha, tash jam në pritje të pasaportës së Kosovës. Kam biseduar edhe me drejtuesit e Federatës dhe puna është mirë. Në Federatë më kanë ndihmuar shumë rreth dokumentacionit. Do të isha i kënaqur nëse do ta kisha mundësinë të luaja për Kosovën. Gjërat po shkojnë në atë drejtim. Ëndrra ime është të luaj për Kosovën dhe po më realizohet kjo ëndërr”, pati thënë ditë më parë për KOHËN Astrit Selmani. Ai po e realizon një ëndërr.