Pasi u rrit ndjeshëm në futbollin skocez, Florian Kamberi kishte vendosur të kthehej në Zvicër me synim për të realizuar rregullisht te St. Galleni. Te skuadra e elitës helvetike u transferua në gusht të vitit të kaluar, por nuk ia doli të lërë gjurmë. Por nuk e gjeti veten te St. Galleni dhe sulmuesi 25-vjeçar vendosi për një lëvizje tjetër në karrierë.
Në fillim të këtij muaji u kthye në elitën e Skocisë, duke firmosur me Aberdeenin.
Kamberi luajti tetë ndeshje në Superligën e Zvicrës dhe një në kualifikime të Ligës së Evropës me St. Gallenin, por nuk shënoi gol.
“Floriani e ka treguar kualitetin në ligën tonë gjatë një periudhe kohore. E dinim se është një mundësi për ta marrë atë dhe e kemi kërkuar vazhdimisht. Është shumë entuziast. Ka kualitete padyshim, eksperiencë në ligë dhe shpresojmë se do ta ndihmojmë të ambientohet shpejt. Kam besim se ai mund të ketë ndikim deri në fund të edicionit”, kishte thënë trajneri Derek McInnes pas ardhjes së Kamberit, që karrierën profesioniste e ka nisur te Grasshopperi në Zvicër.
Kampionati skocez për Kamberin është shumë i njohur. Ka luajtur me dy skuadra tjera. Me Hibernianin bëri emër duke luajtur në total 84 ndeshje gjatë të cilave shënoi 30 gola derisa kontribuoi edhe me 13 asistime. Edhe te Rangersi bëri karrierë si i huazuar për gjysmë sezoni dhe në nëntë ndeshje shënoi një herë e asistoi në dy gola tjerë.
Shkëlqimin e dikurshëm në kampionatin skocez, Kamberi e kërkon sërish.
Beson në grupin që Aberdeeni e ka dhe shpreson që ta arrijë ndonjë garë evropiane në edicionin aktual.
“Kampionati skocez është shumë i vështirë dhe duhet të punosh shumë. Unë do ta jap maksimumin që ta ndihmoj ekipin tim të ketë rezultate të mira dhe të kualifikohemi në gara evropiane. Besoj që e kemi potencialin e duhur. Jemi një ekip i kompletuar”, ka thënë Kamberi për KOHËN.
“Futbollin skocez e njoh shumë mirë. Kam pasur shumë vite të mira, prandaj edhe pse kisha oferta të tjera, vendosa të kthehem këtu dhe ta tregoj veten”.
Kamberi theksoi se futbolli në Skoci i përshtatet shumë, për shkak të shumë paraqitjeve të mëparshme në këtë ligë.
“Mendoj se futbolli që luhet në Skoci më përshtatet shumë. Më përshtatet po ashtu edhe loja të cilën e zhvillon Aberdeeni. Prandaj jam shumë i lumtur. Ishte zgjedhje personale”, theksoi ai.
Megjithatë Kamberi nuk e di të ardhmen. Do të jetë deri në fund të sezonit i huazuar te skuadra skoceze, por nuk e përjashton mundësinë që të largohet nga St. Galleni në afatin kalimtar veror.
“Kam kontratë me St. Gallenin deri në vitin 2023. Ta shohim se çfarë do të ndodhë në verë. Të shohim se si do të ecin punët deri atëherë, por unë mund të lëviz”, përfundoi sulmuesi.
Pas kalimit në Skoci, Kamberi pati probleme me lejen e punës dhe mungoi në ndeshjet që skuadra e tij i humbi nga Livingstoni dhe Hiberniani me rezultatin identik, 2:0.
Por, ai e fitoi të drejtën e lojës dhe u paraqit të shtunën në kuadër të xhiros së 29-t. Aberdeeni barazoi pa gola me St. Mirrenin, ndërsa Kamberi e kompletoi ndeshjen.
Skuadra e tij aktualisht ka 45 pikë dhe është në vendin e katërt në renditje. Megjithatë, ka krizë në shënimin e golave. Nuk ka realizuar asnjë në pesë duelet e fundit.
Aberdeeni takimin e radhës e luan në udhëtim te Celticu që është në vendin e dytë me 61 pikë pas 28 xhirove.