Prishtinë, 7 shkurt – Leart Paqarada është i vetmi mbrojtës natyral i krahut të majtë te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Megjithatë, Paqarada kryesisht nuk ka qenë zgjedhja e parë e Bernard Challandesit për atë pozitë.
Challandes më shumë i ka besuar Benjamin Kolollit, që në nivel klubesh luan dukshëm më i avancuar. Dhe Paqarada kryesisht ka mbetur rezervist i Kolollit. Në krahun e majtë në disa raste është aktivizuar edhe Florent Hadërgjonaj.
Por, Paqarada ka shpresë se kjo situatë do të ndryshojë.
Këtë edicion Paqarada po vlerësohet shumë në rangun e dytë të futbollit gjerman. Jo vetëm për paraqitje në fazën e mbrojtjes, por edhe në atë të sulmit.
Paraqitjet e tij të mira janë edhe një sinjal që përzgjedhësi Bernard Challandes t’ia japë rastin më shumë. Paqarada te Kosova ka qenë i pranishëm në 20 ndeshje në total, që prej debutimit më 3 qershor 2016 kundër Ishujve Faroe. Kosova e fitoi atë miqësore 2:0, ndërsa Paqarada kishte asistuar në golin e parë të shënuar nga Albert Bunjaku.
Shkaku i problemeve me COVID-19 ai nuk u grumbullua me Kosovën në tri ndeshjet e fundit, ato të muajit nëntor, pasi Gjermania kishte rregulla të rrepta. Por, Paqarada i kompletoi dy ndeshje të Ligës së Kombeve në tetor, në humbjen 1:0 kundër Sllovenisë në shtëpi dhe në barazimin pa gola në udhëtim te Greqia. Pak minuta luajti edhe në ndeshjen më të rëndësishme të Kosovës, atë të humbur nga Maqedonia e Veriut, 2:1.
Edicioni i ri në Bundesliga 2 për mbrojtësin e krahut të majtë të St. Paulit po vlerësohet pozitiv. St. Paulit, Paqarada iu bashkua në verën e vitit të kaluar nga skuadra e Sandhausenit.
Te Sandhauseni luajti për gjashtë vjet rresht dhe deri tani është ballafaquar dy herë me ish-skuadrën.
Në takimin e parë të këtij kampionati kundër Sandhausenit, Paqarada ishte mundur me rezultatin 1:0 në kuadër të xhiros së tretë. Ai u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë dhe e pranon se nuk ka luajtur mirë në atë ndeshje. Por, të premten që shkoi, St. Pauli e fitoi takimin e xhiros së 20-të ndaj Sandhausenit me rezultatin 2:1. Mbrojtësi i Kosovës luajti 90 minuta dhe u nda jashtëzakonisht i lumtur për këtë fitore.
“Jam shumë i kënaqur me fitoren kundër ish-klubit. Në lojën e parë kundër Sandhausenit kishim humbur dhe nuk kam bërë paraqitje të mirë. Por, jam edhe më i lumtur që tani arritëm të bëjmë paraqitje të mirë dhe të fitojmë”, ka thënë Paqarada të dielën për KOHËN.
St. Pauli është në pozitë të vështirë në Bundesliga 2 aktualisht. Zë vendin e 14-të me 22 pikë pas 20 xhirove. Ka vetëm 10 pikë më shumë se vendi i fundit në tabelë, Wurzburger Kickers.
Vështirësi në fillim të kampionatit kishte edhe vetë 26-vjeçari Paqarada, që kishte ndërruar ambient pas një kohe shumë të gjatë.
“Në fillim të sezonit kisha nevojë të mësohem me ekipin e ri, mirëpo, pas një kohe mora vetëbesim dhe paraqitjet për çdo javë kanë qenë edhe më të mira”, thotë ai.
Majtaku në edicionin e shkuar kishte zhvilluar 33 ndeshje në total. Kishte realizuar një gol e pesë asistime.
Aktualisht po ka paraqitje më të mira. Në 17 ndeshje në të gjitha garat ka bërë tri asistime dhe e ka fituar besimin e trajnerit Timo Schultz.
Beson dhe shpreson që ta fitojë edhe besimin e përzgjedhësit të Kosovës, zviceranit Challandes.
“Besoj që Challandesi i përcjellë të gjitha ndeshjet që lojtarët e Kosovës i luajnë. Në fund është trajneri, ai i cili vendos se a do të më japë më shumë minuta në kualifikime. Deri atëherë ende ka kohë. E rëndësishme është që ta mbaj formën për të qenë 100% i përgatitur për Kosovën”, nënvizoi Paqarada.