Sport

Ngritja e shpejtë e Kastratit në Holandë

Arian Kastrati është futbollisti i radhës i talentuar në të cilin Kosova mund të llogarisë në të ardhmen. Kastrati 19-vjeçar, ka bërë hapa të shpejtë në karrierën e tij. Ai së fundi është ftuar tek ekipi i parë i skuadrës elitare të Holandës, Fortuna Sittard. Në të dyja ndeshjet ku Kastrati u ftua, atë të javës së kaluar dhe më datën 5 të këtij muaji, Sittardi shënoi fitore fitoi. Mposhti së fundi Heraclesin 2:1, derisa triumfoi edhe ndaj Willem II me rezultatin 3:2. Kastrati shpreson shpejt ta fitojë edhe rastin të luaj rregullisht te Fortuna, por për këtë thotë se vendos trajneri i ekipit. Megjithatë, ai vlerëson se është gati t’i tregojë vlerat e tij.

“Janë tri javët më të lumtura të karrierës, pasi mora ftesë të jem pjesë e ekipit të parë në dy ndeshje. Është një ndjenjë shumë e mirë. ‘Eredivisie’ është ligë e madhe me skuadra të mëdha si Ajaxi, Feyenoordi e Fortuna. Trajneri është shumë pozitiv, edhe nga shokët e skuadrës kam vlerësime të mira. Shpresat i kam që do ta kem rastin, por krejt varet nga trajneri. Ai më vlerëson”, ka thënë Kastrati të premten për KOHËN.

Edhe babi i Arianit, Fatoni thotë se i biri i tij e ka talentin, por që në fund të fundit, është trajneri i Fortuna Sittardit që i merr vendimet. Mirëpo, ai ka shtuar se i biri i tij punon shumë dhe i kushton rëndësi secilit detaj, përfshirë edhe ushqimin.

“Ne mund ta çojmë në qiell, por është trajneri, ai që vendos. Të gjitha i ka arritur vet, me punë. Punon jashtëzakonisht shumë. Cristiano Ronaldon e ka përcjellë shumë, pra që nga mënyra e të ushqyerit e deri te puna në stërvitje”, ka thënë Faton Kastrati.

Kastrati ishte një prej pesë lojtarëve nga ekipi U21 te Fortuna që janë testuar. Por, Kastrati thotë se është përzgjedhur vetëm ai për të vazhduar stërvitjet me ekipin e parë. Karriera e Kastratit nisi qysh në moshën katërvjeçare. Babai i tij thotë se dashurinë për futbollin ia ka kuptuar qysh kur ishte vetëm dyvjeçar.

“Që 16 vjet është thuajse çdo ditë është me top. Dëshira i është shtuar edhe më shumë. Ndihet sikur është duke ecur nëpër qiell. Na tregon rregullisht në shtëpi se çfarë gola ka dhënë në stërvitje. Është shumë entuziast”, ka treguar Faton Kastrati, që ka migruar për një jetë më të mirë në Holandë para 32 vjetësh.

Te skuadra e Sittardit është zhvilluar si futbollist. Vitin e kaluar është shpallur kampion me të rinjtë, derisa pas përfundimit të sezonit gjatë pushimit, Kastrati lëndoi gjurin dhe u detyrua të pauzojë për tetë muaj.

“Ka qenë golashënuesi më i mirë në ligë në vitin 2019 për ekipin U19. I ka shënuar 47 gola dhe ka pasur 15 asistime në 31 ndeshje”, ka theksuar babai i Arianit që është i gjatë hiq më pak se 195 centimetra.

Faton Kastrati zbulon se i biri i tij pëlqen dy yjet e futbollit botëror, portugezin Cristiano Ronaldon dhe suedezin Zlatan Ibrahimoviqin. E këtë e pranon edhe Ariani. Ai madje thotë se për t’i arritur dy idhujt e tij është e pamundur, por thotë se synon të arrij lartë.

“Teknikisht jam shumë i mirë, gjuaj me të dyja këmbët njësoj, por jam i mirë edhe në gjuajtjet me kokë. Edhe fizikisht jam goxha mirë”, ka thënë Kastrati.

Kastrati e ka trashëguar futbollin nga familjarët e tij. Por, Fatoni pranon se i biri ka ecur goxha shumë.

“Fillimi nuk ka qenë i vështirë për të, sepse e ka pasur pasion qysh nga fëmijëria”, ka treguar ai.

E nëse babai i tij pyetet sot, atëherë Kastrati do të luajë për Kosovën në të ardhmen. Ai insiston se do të mundohet ta bindë të birin që ta përfaqësojë vetëm Kosovën, nga e cila edhe pret ftesë.

“Nëse dëshiron të tregojë se është shqiptar, duhet të luajë për Kosovën. Për Kosovën do të kisha pasur shumë dëshirë. I përcjell edhe Adnan Januzajn, Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën. Këta luajnë për Zvicrën dhe Adnani për Belgjikën. Por, nëse unë pyetem, do t’i kisha thënë të luajë për Kosovën. Kosova duhet të jetë në radhë të parë”, insiston Fatoni.

E Ariani nuk ka folur sa i përket asaj se cilin vend dëshiron ta përfaqësojë në të ardhmen. Por, ai nuk e fsheh dëshirën që të arrijë të luajë për Ajaxin në Holandë, ose Juventusin, Bayern Muenchenin, PSG-në, Barcelonën e Real Madridin. Kastrati ka një menaxher nga Turqia. Thotë se ka marrë edhe oferta, por thotë se është herët t’i zbulojë ato.

“Menaxherin e kam nga Turqia dhe sigurisht se ai ka kontaktet e tij. Kam oferta nga Turqia, por ende nuk e di të ardhmen time”, ka thënë Kastrati, derisa i ati i tij shton se dëshira është që ta mbaj sa më afër djalin e tij.

“Nuk kam dëshirë ta largoj fëmijën. Do të kisha preferuar të mbetet afër nesh, por të shohim se si do t’i ecë karriera”, ka thënë Faton Kastrati.