Palestra e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në fundjavë do të jetë e rezervuar për hendboll. Në palestrën kryesore në vend do të zhvillohet turne final i Kupës së Kosovës.
Të shtunën luhen katër ndeshjet gjysmëfinale, dy te hendbollistët dhe dy te hendbollistet. Të dielën janë ndeshjet finale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjysmëfinalja e parë te hendbollistët është mes Rahovecit dhe Besa Famgasit. Zhvillohet prej orës 15:00. Besa e Pejës ka shumë vjet që dominon hendbollin kosovar. Është fituese në fuqi e Kupës, ndërsa e synon trofeun për herë të 15-të. Besa Famgas e ka përfunduar edicionin në vendin e parë, por synon fillimisht Kupën.
Rahoveci ka mbetur jashtë plejofit dhe për herë të parë paraqitet në turneun final të Kupës. Vlerësohet se forcimi i Rahovecit ka sjellë risi në hendbollin kosovar.
“Është ndeshje historike pasi që është hera e parë që klubi ynë kualifikohet në këtë fazë në garën e Kupës. Ekipi është i përgatitur për të dhënë maksimumin dhe për të sfiduar ekipin më të fortë në ligë në vitet e fundit”, kanë thënë te Rahoveci.
Gjysmëfinalja e dytë është në mes të Trepçës dhe Prishtinës. Fillon në ora 19:00. Skuadra mitrovicase e ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e dytë, ndërsa Prishtina në të tretën. Dy skuadrat do të takohen edhe në gjysmëfinale të plejofit, por fillimisht kërkojnë suksesin në ndeshjen e së shtunës.
Trepça e ka fituar Kupën e Kosovës dy herë, në vitin 1994 dhe 2002. Ndërkohë Prishtina e ka fituar Kupën katër herë, së fundi në vitin 2013.
Te hendbollistet, favorite vlerësohet skuadra e Istogut. Istogu ka fituar të gjitha ndeshjet në edicionin e rregullt kurse vjet fitoi dy trofetë.
Istogu në gjysmëfinale takohet me Ferizajn, nga ora 17:00. Në gjysmëfinalen e parë mes Vushtrrisë dhe Prishtinës, favorite vlerësohet skuadra vushtrriase. Kjo ndeshje luhet prej orës 13:00.