Futbollistët e klubit Llapi janë të parët që kanë rifilluar stërvitjet në grupe të vogla pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë për masat lehtësuese të fazës së parë, fazë në të cilën nuk përfshihen edhe aktivitetet sportive.
Hapja selektive e aktiviteteve sportive nga Ministria e Shëndetësisë është paraparë nga 1 qershori, por skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina është paraqitur të hënën në “Zahir Pajaziti” për t’u stërvitur në grupe. Trajneri Batatina ka konfirmuar për Koha Ditore se kanë rifilluar me stërvitje dhe thotë se nuk i kanë shkelur masat.
“E kemi filluar punën në grupe dhe në orare të caktuara. Grupi i parë ka punuar nga ora 14:00, pastaj grupi dytë nga ora 15:00 dhe grupi tretë nga ora 16:00. Stërvitjet janë bërë në katër grupe nga dy lojtarë dhe kështu janë përfshirë të gjithë 20 lojtarët. Nuk i kemi thyer masat, sepse nuk është i ndaluar vrapimi dhe stërvitja në distancë. Ne nuk e kemi thyer asnjë masë sepse kemi ruajtur distancën njëri nga tjetri. Është e lejuar që deri në 2-3 veta mund të bëjnë vrapime”, ka thënë Batatina.
Në letrën dërguar MKRS-së, javën e shkuar, FFK-ja ka kërkuar se nga data 10 maj, klubeve t’u lejohet rifillimi i stërvitjeve në grupe të vogla duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19; dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës të luhen më 24 maj; kampionati të vazhdojë më 30 maj. Dhe, me këtë dinamikë, kampionati do të kryhej sipas FFK-së më 20 korrik. Por, FFK-ja ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Aktivitetet sportive në vend janë pezulluar nga 13 marsi, kur edhe u paraqitën rastet e para të personave të infektuar me koronavirus. UEFA tashmë e ka caktuar 19-20 korrikun si datë të fundit për përfundimin e kampionateve në Evropë, përfshirë këtu edhe Superligën e Kosovës në futboll.
Në FFK po synojnë përfundimin e rregullt të kampionatit. Por, nuk përjashtohet mundësia që kampionati të përfundojë edhe me plejof. Futbollistët deri tash kanë stërvitur në mënyrë individuale. Por, kjo nuk ka mjaftuar për ta ruajtur formën fizike. Trajneri Batatina thotë se puna të hënën është bërë vetëm me top. “Kemi punuar me top, por vërehej se kishte rënie të formës e sidomos pjesa teknike. Por, ne do të vazhdojmë punën deri më 10 maj në këtë formë dhe më pas të shohim për hapat tjerë. Unë pres që shpejtë të kthehemi në formën ideale për të qenë gati për edicionin e ri”, është shprehur Batatina.
Batatina thotë se ka informata se kampionati do të lejohet të rifillojë më 5 qershor. “Sipas informatave që kam është thënë se kampionati mos të fillojë nga 1 qershori por 5 qershor”, ka thënë Batatina.