Anthony Joshua është lënduar në një aksident automobilistik që la dy të vdekur. Aksidenti ndodhi të hënën në Nigeri, ky ylli britanik i boksit ka qëndruar në ditët e fundit.
Ish-kampioni i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist ishte udhëtuar në veturën që ishte pjesë e aksidentit, ndërsa është dërguar në spital me lëndime të vogla.
“Sky Sports” ka raportuar që Joshua është në gjendje stabile, pas incidentit fatal.
Vetura “Lexus SUV” me të cilën po udhëtonte boksieri i njohur, u përplas me një kamion të palëvizshëm, ka thënë Komanda e Policisë së Shtetit Ogun në Nigeri.
Stafi mjekësor ka kryer disa “vlerësime klinike” për Joshuan, të cilat nuk kërkuan “ndërhyrje emergjente në atë kohë”, ka konfirmuar Qeveria e Ogunit dhe Lagosit në Nigeri.
“Anthony Joshua, kampioni britaniko-nigerian i boksit profesionist, u përfshi në një aksident rrugor në autostradën Lagos – Ibadan. Automjeti që transportonte ekipin prej katër personash, u përplas me një kamion të palëvizshëm. Kjo përplasje rezultoi me dy viktima”, thuhet në deklaratë.
“I shprehim ngushëllime familjeve të personave që mbetën të vdekur dhe i lutemi Zotit t’u japë forcë për të kaluar këtë moment të vështirë”.
Autoritetet e sigurisë në rrugë kanë thënë se dyshohet që vetura Lexus po udhëtonte me shpejtësi më të madhe se limiti i lejuar, ndërsa humbi kontrollim gjatë tejkalimit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale shfaqën Joshuan me dhimbje dhe të trullosur, ndërsa u ndihmua të dalë nga automjeti i aksidentuar.
Ai ishte në pjesën e pasme të veturës. Në veturë ishin edhe katër të rritur të tjerë. Joshua u ndihmua të dal nga një turmë kalimtarësh.
Detaje për dy personat e vdekur nuk janë dhënë ende.
Joshua, që ka prejardhje nigeriane, po kalonte ditët në Nigeri, pas fitores ndaj Jake Paul në Miami.
Pas mungesës 15 mujore në boks, Joshua u kthye me nokaut në raundin e gjashtë. E mposhti yllin e “YouTube” më 19 dhjetor.
Paul shprehu ngushëllimet e tij në një postim në rrjetet sociale, duke shkruar: “Jeta është shumë më e rëndësishme se boksi. Po lutem për jetët e humbura, për AJ dhe këdo që është prekur nga aksidenti”.
Presidenti i Nigerisë, Bola Ahmed Tinubu, shprehu po ashtu ngushëllime.
“Shpreh ngushëllimet për ju dhe familjet e juaja, ndërsa mbani peshën emocionale të këtij incidenti të pafat. Si sportist, ju gjithmonë keni treguar guxim, disiplinë dhe dashuri të palëkundur për vendin tonë. Këto janë cilësi që ju kanë bërë një burim krenarie kombëtare. Lutem për forcë e mençuri për ju gjatë kësaj periudhe të dhimbshme”, ka shkruar presidenti nigerian për Joshuan.