Sport

Jo vetëm futbollistët shqiptarë bëjnë emër në Zvicër, Ardita Iseni po shënon shumë gola në Superligë

Ardita Iseni ishte para një zgjedhjeje të vështirë kur ishte 10 vjeçe. Asaj i duhej të vendoste shpejt – të luajë volejboll apo futboll. Rrugë tjetër nuk kishte. Vendosi për sportin më të popullarizuar.

“Me futboll kam filluar që kur isha 8-vjeçare. Unë kam luajtur edhe volejboll kur isha rreth 10 vjeçe. Kam bërë stërvitje në futboll, të hënën, të martën dhe të premten, kurse volejboll të martën dhe të enjten. Por kur stërvitjet në volejboll më ndryshuan në të hënën dhe të enjten, unë duhej të zgjedhja një sport. Vendosa për futboll”, ka thënë Iseni të dielën për KOHËN. “Edhe vëllai im luante volejboll, por jo futboll si unë”.

Dhe vendimi për të zgjedhur futbollin duket i drejtë tashmë. Iseni, 18-vjeçare, është pjesë e St. Gallenit që luan në nivelin më të lartë në futbollin e femrave në Zvicër. Pjesë e Supeligës së Zvicrës janë tetë ekipe.

Ardita vlerësohet edhe lidere në ekipin e saj. Në 13 ndeshje ajo ka shënuar po aq gola. Ndan pozitën e parë për gola të shënuara me një futbolliste tjetër. Por ekipi i saj ndodhet në vendin e parafundit (7).

“Falë bashkëpunimit me shoqet e skuadrës arrij të shënoj gola. Nuk e kam të vështirë të shënoj kur kam pasime të sakta. Unë thjesht e kryej detyrën time. Për mua nuk ka rëndësi se kush i shënon golat. Unë thjesht dua që ekipi të fitojë dhe ta ndihmoj ekipin sa më mirë”, është shprehur Iseni.

Sulmuesja e krahut u lind në Zvicër, derisa babai i saj është nga Maqedonia e Veriut.

“Babai im ka ardhur në Zvicër për të punuar, pastaj takoi nënën time dhe vendosi të qëndrojë. E kam pasur dhe e kam përkrahjen e tyre maksimale”, ka theksuar ajo.

Me futboll ajo nisi të merret duke ndjekur rrugën e një shoku.
“Vendosa që edhe unë të shkoj me të në stërvitje. Prej atëherë kam luajtur futboll me të, në klubin e tij. Gjatë viteve kam vendosur të ndërroj ambient për një klub më të mirë. U testova në stërvitje te St. Galleni dhe më pëlqeu shumë. Më pas vendosa të shkoj të luaj rregullisht”, është shprehur Iseni, që me St. Gallenin është edhe nënkampion i Zvicrës në grupmoshën U-17.

Ajo është pjesëmarrëse me Zvicrën U-17 në Kampionatin Evropian e po ashtu edhe me U-19.

Por asaj i vjen keq që futbolli i femrave në Zvicër nuk merr shumë vëmendje.

“Futbolli i femrave në Zvicër merr pak vëmendje dhe jashtë futbollit askush nuk të njeh. Por unë jam në rregull dhe e lumtur për atë që bëj në fushë. Nuk ka rëndësi se a njihem, por dua që me ekipin të arrij sa më shumë rezultate pozitive”, ka deklaruar Iseni.

Iseni është pjesë e Zvicrës, por ajo e lë të hapur mundësinë që të luaj për Shqipërinë ose Kosovën.

“Të gjitha opsionet janë të hapura, por do të vendos kur të jetë koha. E rëndësishme ta kem shëndetin dhe gjithçka të shkoj si është më së miri me klubin”, ka thënë Iseni.

Në Zvicër janë të rralla shqiptaret që luajnë futboll. Të rralla janë edhe në gjithë botën. Më të dalluarat janë Kosovare Asllani dhe Fatmire Bajramaj.