Ylldren Ibrahimaj bëri hap të madh në karrierë duke ndërruar klubin dhe duke shkuar në një ambient krejtësisht të ri. Mund të vlerësohet si ndryshim pozitiv, pasi elita e futbollit të Rusisë konsiderohet shumë më e fortë se ajo e Norvegjisë.
Javë më parë Ibrahimaj, 25-vjeçar, u zyrtarizua te skuadra e Uralit me kontratë të vlefshme për tri vjet e gjysmë. Ai e la Vikingun, klubin norvegjez te i cili bëri emër.
Në “Eliteserien” të Norvegjisë në edicionin e kaluar që përfundoi në dhjetor, Ibrahimaj luajti në 29 ndeshje, realizoi shtatë gola e asistoi në tri raste.
Statistika të ngjashme ai shpreson që të ketë edhe në elitën e futbollit rus, të cilën e konsideron shumë të vështirë.
“Po ndihem shumë mirë te Urali. Po kalojmë shumë mirë, ndërsa fazën përgatitore po e kryejmë në Dubai. Është gjë e mirë pasi edhe kam nisur të luajë menjëherë me ekipin në ndeshje miqësore”, ka thënë Ibrahimaj për KOHËN, të dielën.
Urali në ndeshjen e parë miqësore në Dubai fitoi kundër Krasnodarit me rezultatin 3:1. Minuta pati edhe Ibrahimaj.
“Loja e parë miqësore kundër Krasnodarit përfundoi shumë mirë. Fituam me rezultatin 3:1 dhe pata paraqitje të mirë”, shtoi ai.
Urali e luajti edhe një tjetër miqësore kundër Livas dhe e fitoi 2:1.
Ëndrra e Ibrahimajt ka qenë gjithmonë që të përparojë në karrierë e të luajë te ndonjë klub jashtë Norvegjisë. Sidoqoftë janë paraqitjet te Vikingu që bënë që ai të grumbullohet nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes. Kosova do t’i ketë ndeshjet e rëndësishme kualifikuese për Botëror që nisin në muajin mars, ndërsa Ibrahimaj shpreson që ta fitojë besimin e përzgjedhësit zviceran e të ftohet sërish. Deri tani nuk e ka pasur rastin të luajë me “dardanët” në ndeshje zyrtare, por beson në kualitetet që i ka dhe shpreson ta ketë rastin së shpejti.
“Besoj që me paraqitje të mira te Urali do ta fitoj edhe besimin e Bernard Challandesit. Dëshira ime më e madhe është që të luajë për Kosovën. Nuk e kam pasur rastin ende të luaj, por shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë së shpejti”, shtoi ai.
25-vjeçari nga Kosova që luan në pozitën e sulmuesit të krahut të djathtë shpreson që ta bind edhe trajnerin e ekipit që të ketë sa më shumë minutazhë në fushë. Për këtë, premton se do të bëj punë të madhe.
“Niveli i ekipit është shumë i mirë dhe ka konkurrencë të madhe. Por, unë do të punoj fort që ta bind trajnerin e ekipit me paraqitje të mira”.
Ibrahimaj ka bërë edhe krahasimin e kampionatit norvegjez me atë rus. E pranon se do ta ketë të vështirë ambientimin me ligën e re, por nuk e sheh të pamundur.
“Dallimi i kampionatit norvegjez me atë rus është se në Rusi luhet më shumë futboll fizik. E fizikisht unë jam shumë mirë dhe shpresoj që të kem suksese”, përfundoi ai.
Synimi i Ibrahimajt është që të zhvillohet dhe të bëhet sa më i mirë që është e mundur. Synim tjetër është që me Uralin të luajë në gara evropiane. Aktualisht skuadra e tij është larg që ta arrijë një gjë të tillë. Është në vendin e 12-të me 21 pikë.
Ky ekip u ngjit në elitën e futbollit të Rusisë në edicionin 2012/13.