Sport

Hasani e vlerëson hap para në karrierë kalimin në kampionatin izraelit

Prishtinë, 10 shkurt – Kur Florent Hasani në shkurt të vitit 2018 iu bashkua Diosgyorit të Hungarisë pati paralajmëruar se shumë shpejt do të bëjë një hap tjetër para në karrierë. E këtë hap, Hasani e ka bërë të mërkurën pasdite, kur u zyrtarizua tek ekipi elitar i Izraelit, Hapoel Kfar Saba. Mesfushori Hasani insiston se kalimi te skuadra Hapoel Kfar Saba është tjetër hap i qëlluar dhe përpara në karrierën e tij.

Ai e vlerëson elitën e futbollit të Izraelit më të fortë sesa atë të Hungarisë, në të cilën luajti për tre vjet. Ndërsa beson se me paraqitje të mira te Hapoel Kfar Saba do të bëjë një hap tjetër të rëndësishëm në karrierë, duke kaluar te ndonjë ekip që bën gara në një kampionat më të fortë në Evropë.

“E vlerësoj si hap para dhe hap të mirë për karrierën time kalimin te Hapoel Kfar Saba, duke marrë parasysh ligën dhe ekipet që marrin pjesë në kampionatin izraelit. Këtu ka ekipe shumë të forta, të cilat kanë shumë suksese edhe në garat evropiane”, ka thënë Florent Hasani të mërkurën për KOHËN.

Hasani për tri sezone ishte pjesë e kampionatit hungarez me skuadrën e Diosgyorit. Me ekipin e ri, ai ka firmosur kontratë për një vit e gjysmë, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Hasani thotë se ka pasur edhe oferta nga klubet e tjera kur e shkëputi kontratën me Disogyorin, por në fund vendosi që të vazhdojë karrierën në Izrael. Për 23-vjeçarin, interesim kishin shprehur një skuadër jashtë Hungarisë dhe një tjetër brenda Hungarisë. Klubi hungarez, emrin e të cilit nuk e ka bërë të ditur futbollisti kosovar, ishte interesuar për Hasanin edhe në verë. Megjithatë, ishte projekti i Hapoel Kfar Sabat që e bindi Hasanin t’i bashkohet.

“Pas një periudhe trevjeçare në Hungari, tash e kam bërë një hap tjetër drejt Izraelit. E vlerësoj shumë kalimin tim në këtë kampionat. Statistikat për ligën e Izraelit tregojnë se liga është më e fortë dhe më kualitative se ajo e Hungarisë”, ka shtuar ai, duke nënvizuar se gjithçka është finalizuar në dy javët e fundit.

Me skuadrat e tjera nuk është arritur gjuha e përbashkët mes klubeve të interesuara dhe ish-klubit të Hasanit në Hungari.

“Ka dy javë që e kam pasur ofertën nga Kfar Saba dhe kam marrë shumë njohuri për ligën. Shumë lojtarë të tjerë, menaxherë dhe trajnerë më kanë rekomanduar që të vij këtu”, zbulon Hasani.

Hapoel Kfar Saba në “Ligat ha’Al” në Izrael është në pozitën e nëntë. Pas 20 ndeshjeve ka arkëtuar 20 pikë. Është ende larg arritjes së vendit të gjashtë, i cili siguron pjesëmarrjen në garat e plejofit. Synim i Hasanit me ekipin e tij është pikërisht pozita e gjashtë, të cilën beson se mund ta arrijnë.

“Objektivi i skuadrës dhe i imi është që në këtë sezon ta arrijmë plejofin, pra pozitën e gjashtë. Besoj që ekipi e ka kualitetin e mjaftueshëm për të arritur aty”, nënvizon Hasani, që pranon se mund ta ndihmojë shumë ekipin në fazën ofensive.

Skuadra e tij e re ka shënuar vetëm 18-të gola, ndërsa ka pranuar 26-të të tjerë.

“Kam kontratë një vit e gjysmë dhe brenda kësaj kohe do të mundohem që të kem formë të mirë. Qëllimi im është të paraqitem sa më mirë me skuadrën, ndërsa në karrierë të lëvizi sa më lart që të mundem”, u shpreh 23-vjeçari.

Të lumtur për sigurimin e shërbimeve të Hasanit, janë shprehur edhe zyrtarët e skuadrës izraelite. Ardhjen e tij e kanë bërë të ditur në faqen zyrtare të klubit.

“Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Florent Hasani, i cili ka nënshkruar me klubin kontratë për një vit e gjysmë është i mirëseardhur. Hasani ka regjistruar tetë paraqitje dhe e ka një gol të shënuar me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. Në tri edicionet e fundit ka luajtur në elitën e futbollit të Hungarisë. Ai ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar 7 herë. Paç fat, Florent!”, shkruhet në njoftimin e klubit.

Hasani ka tetë paraqitje me Kosovën dhe një gol të shënuar. Golin e pati realizuar në tetor të vitit 2019 në ndeshjen miqësore kundër Gjibraltarit, me të cilin ua siguroi fitoren “Dardanëve”. Hasani e ka një titull kampioni të fituar në Superligën e Kosovës me skuadrën e Trepçës ’89 në sezonin 2016/17. Atëbotë, Hasani vlerësohej si njëri prej më të mirëve dhe më të merituarve për këtë sukses të ekipit mitrovicas, ku pati shënuar 16 gola.