Ekipi i boksierit kosovar, Haxhi Krasniqi, nuk po ndal përpjekjet për të kontestuar rezultatin e duelit ndaj gjermanit, Dominic Boesel. Boesel e kishte mposhtur Krasniqin me pikë, më 9 tetor në Magdeburg të Gjermanisë. Kështu e kishte fituar titullin në versionin IBO, që nuk është prej më të mëdhenjve.
Krasniqi dhe ekipi i tij që nga fillimi kanë kontestuar rezultatin, ndërsa nuk kanë ndalë përpjekjet për të dëshmuar që ai megjithatë ishte fituesi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSë fundi, ekipi i Krasniqit ka angazhuar gjyqtarë të boksit, që kanë bërë rivlerësimin e meçit. Komisioni i gjyqtarëve është mbledhur të shtunën dhe e ka vlerësuar Krasniqin fitues. Kjo natyrisht nuk ka ndonjë vlerë sa i takon rezultatit zyrtar të duelit.
Gjyqtarët ishin të përzgjedhur nga ekipi i Krasniqit dhe ky vlerësim nuk merret për bazë nga IBO-ja dhe WBA-ja, versioni i madh i boksit profesionist. Meçi ishte eliminator për titull në WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë.
Të pesë gjyqtarët e kanë vlerësuar Krasniqin fitues. Të gjithë ishin gjermanë. Dy e vlerësuan me rezultatin 116:112, dy me 115:113 dhe një me 115:114. Fitorja e Boeselit, që në fakt ishte kontestuar gjerësisht, ishte me pikë dhe me rezultat të ngushtë.
Të gjithë gjyqtarët e angazhuar ishin aktivë dhe të licencuar. Vlerësimi i tyre është bërë në një ngjarje publike në Gjermani.
“Jam shumë i lumtur që ky rivlerësim ka ndodhur. Tani është konfirmuar nga gjyqtarët se unë jam fitues i vërtetë i duelit. Po shikoj para drejt luftës së tretë, por natyrisht dua të paraqitem si kampion botëror”, ka thënë Krasniqi.
Është deklaruar edhe njëri prej gjyqtarëve, Timo Hoffman.
“Boksi është sport i vështirë dhe unë jam i lumtur që pasi është marrë një vendim i gabuar, dikush më në fund është ngritur dhe ka thënë se vendimi është i gabuar dhe ne duhet ta përmirësojmë gabimin. Kundërvajtjet në boks shkatërrojnë shumë karriera”, ka thënë Timmo Hoffman.
Nga ekipi i Krasniqit kanë thënë se do të vazhdojnë me veprime për të dëshmuar se ai ishte fituesi.
Federata përkatëse kishte refuzuar të bënte një rivlerësim, që nuk është ndonjë praktikë e shpeshtë në boksin profesionist.
Nuk dihet se cilat do të jenë zhvillimet pas këtij veprimi të ekipit të Krasniqit. Ka gjasë që rivlerësimi të ndikojë në raportet me SES-Boxing, por edhe me organizatat e mëdha të boksit.
Krasniqi e kishte mposhtur Boeselin më 10 tetor të vitit të kaluar. Kishte fituar titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA, që ndërkohë u anulua si titull nga ky version. WBA-ja është prej katër federatave të mëdha të boksit profesionist. Krasniqi e kishte fituar edhe titullin në IBO, që nuk është prej katër versioneve më të mëdha. Këtë titull e humbi në meçin e dytë, ku vlerësimi mbetet diskutabil.