Ka nisur shpërndarja e mjeteve financiare nga pakoja emergjente e ndarë ditë më parë nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në këtë kohë të krizës që e ka shkaktuar përhapja e pandemisë COVID-19.
Përfitues të kësaj pakoje financiare emergjente janë futbollistët dhe stafi teknik i klubeve të Kosovës të të gjitha rangjeve. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka konfirmuar se mjetet tashmë kanë nisur të shpërndahen nëpër xhirollogaritë e futbollistëve. Sipas FFK-së, këto mjete janë të destinuara ekskluzivisht për futbollistët. Në fakt, futbolli i Kosovës sikurse është ndërprerë që nga muaji i shkuar pas vendimit të Qeverisë për pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive shkaku i rasteve të para të konfirmuara me koronavirus më 13 mars.
“Kanë nisur të shpërndahen qysh dy ditë më parë, por ato do të derdhen në xhirollogaritë e lojtarëve sipas dërgesave të listave nga klubet”, ka thënë Ademi të mërkurën për gazetën.
Se futbollistët kanë filluar t’i marrin mjetet financiare të ndara nga FFK-ja, e ka konfirmuar edhe drejtori i klubit Flamurtari, Agim Hasani. E një gjë e tillë në kushte anonimiteti është konfirmuar edhe nga vetë futbollistët. Hasani ka pranuar se për lojtarët, por edhe vetë klubet, pakoja emergjente e FFK-së është një ndihmesë e madhe.
“Është ndihmë e madhe, sepse të gjithë po e shohim se kjo pandemi ka paralizuar gjithçka, dhe është një ndihmë e qëlluar në këto momente të vështira”, ka thënë Hasani.
Në bazë të kësaj pakoje të FFK-së, për klubet e Superligës është caktuar se do të ndihmohen 35 persona me shumën prej 350 eurosh, të Ligës së parë 30 persona me shumë prej 200 eurosh, të Ligës së Dytë 25 persona me shumën 150 euro, të Ligës së Tretë 20 persona me shumën prej 100 eurosh, Ligës së Femrave (seniore) 25 persona me shumën prej 200 eurosh, Ligës së femrave (U-16) 20 persona me 100 euro, klubet e futsallit 15 persona me nga 100 euro, gjyqtarët e ndeshjeve me nga 200 euro, gjyqtarët e kategorive të reja nga 50 euro dhe delegatët e ndeshjeve dhe kontrollorët e referimit nga 100 euro...(gjerësisht në Kohën Ditore)