Sport

FFK-ja merr një goditje për planin e rikthimit të ndeshjeve

Federata e Futbollit e Kosovës dhe klubet po kërkojnë me ngulm për lejimin e vazhdimit të aktiviteteve të futbollit gjatë këtij muaji. Madje, FFK-ja u është drejtuar me kërkesë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Por, mikrobiologu Lul Raka, në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se aktivitetet sportive nuk duhet të nisin më herët sesa është planifikuar me masat e reja lehtësuese, e që janë në fazën e tretë, fazë që nis të zbatohet nga 1 qershori. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetësisë janë dy institucionet vendimmarrëse gjatë kësaj kohe të pandemisë. Raka ka kritikuar edhe daljen e Llapit në stërvitje për dy ditë me radhë.

“Edhe në futboll vlen e njëjta, si në politikë si në vende të punës. Prioritet është shëndeti i njeriut, prioritet është shëndeti i sportistit i futbollistit të Kosovës. Prandaj nëse kanë filluar stërvitjet, unë e di që kushtet e Kosovës as për së afërmi nuk i plotësojnë kushtet e Gjermanisë. Nuk kemi as kapacitet testues as izolues dhe nëse është parapa me rifillu në fillim të qershorit sportet kolektive atëherë kjo nënkupton që më 1 qershor duhet me i fillu stërvitjet, më 1 qershor nuk mund të hyhet direkt në lojë. Prandaj nuk guxojnë pa leje të Ministrisë së Shëndetësisë t’i rifillojnë garat”, ka thënë Raka.

Në fakt, FFK-ja po kërkon që ekipeve t’u lejohet stërvitja në grupe që nga java e ardhshme e më pas të rifillojnë edhe me gara. Synojnë që më 24 maj t’i organizojnë ndeshjet gjysmëfinale të Kupës, kurse më 30 maj të rifillohet me ndeshjet e mbetura të këtij edicioni. Por, Raka insiston që stërvitjet në grup të rifillojnë në qershor, megjithëse Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka ritheksuar se rifillimi i aktiviteteve sportive në qershor do të ishte vonë si për klubet ashtu dhe vetë sportistët.

Aktivitetet sportive në vend janë pezulluar nga 13 marsi, kur edhe u paraqitën rastet e para të personave të infektuar me koronavirus. Por, UEFA preferon që të vazhdohen garat dhe të ketë përfundim të stinorit aktual në fushë. UEFA u ka dhënë afat deri më datën 25 maj për të njoftuar për planet e tyre rreth rifillimit të kampionateve vendore, që duhet të përfundojnë deri më 20 korrik. Në FFK po synojnë përfundimin e rregullt të kampionatit, por nuk përjashtohet mundësia që kampionati të përfundojë edhe me plejof apo edhe anulim të kampionatit, nëse nuk rifillojnë gjatë këtij muaji me ndeshjet e Kupës dhe kampionatit. Në Superligën e Kosovës janë zhvilluar dy fazat e para, derisa kanë mbetur edhe 11 xhirot e fazës së fundit. Janë edhe ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Në gjysmëfinale janë Prishtina – Drenica dhe Ballkani – Feronikeli.