Ditë të madhe, ditë të pritur për vite të tëra, e kishte vlerësuar faqja zyrtare e klubit Ferizaj 7 korrikun e vitit të kaluar. Në njoftim thuhej se klubi do të jetë në duar të sigurta, nën drejtimin e donatorëve, ish-futbollistit anglez që ka bërë karrierë në Premier League, Brian Deane, dhe dy anglezëve Benjamin James Rees e Oliver Codrington.
Të tre anglezët ende i kanë 51 për qind të aksioneve në klubin e futbollit Ferizaj, kurse pjesën tjetër të aksioneve e kanë vendorët.
U premtua se klubi do të arrijë shpejtë të luajë edhe në Ligën e Kampionëve. Pritjet se Ferizajn do ta shohë në Evropë i kishte edhe kryetari i komunës, Agim Aliu. Por, me gjithë fjalët e mëdha, “lulëzimi” i Ferizajt nuk ndodhi. Madje situata vetëm u keqësua.
Sot klubi Ferizaj rrezikon shuarjen për 76 mijë euro.
Konsorciumi i Britanisë së Madhe, “Central Capital Consultants” (CCC), në një letër dërguar KOHËS ka njoftuar se e ka kaluar në votim për t’i shitur shumicën e aksioneve në klubin e futbollit Ferizaj, me efekt të menjëhershëm. Por, zyrtarë që janë pjesë e klubit Ferizaj, thonë në kushte anonimiteti se nuk ka asnjë të interesuar për blerje të aksioneve, me çka edhe rrezikon shuarjen klubi.
Në klubin Ferizaj, pranojnë se pronarët britanikë nuk janë aktivë në punët e përditshme të klubit për afro një vit, sa edhe kanë kaluar që nga marrja e shumicës së aksioneve.