Armend Thaqi të mërkurën regjistroi edhe një fillim të ri me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, në fitoren kundër Moldavisë (1:0). Ishte ndeshja e tij e tretë me fanellën e Kosovës.
Muharrem Sahiti, që udhëhoqi përfaqësuesen në mungesë të selektorit Bernard Challandes, e inkuadroi Thaqin në minutën e 89-të në vend të Bersant Celinës.
Thaqi luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë, teksa me paraqitjen e së mërkurës u bë lojtari i parë i Superligës së Kosovës që fitoi minuta në ndeshje garuese të përfaqësueses. Dy ndeshjet e tij të para ishin miqësore.
“Primare për mua është që të luaj mirë. Shpresoj që ta kem fatin e të transferohem në ndonjë ekip jashtë Kosovës. Kam qenë afër disa skuadrave, por ka dështuar në fund. Ëndrra ime është plotësuar me atë paraqitje, por sigurisht se shpresoj për më shumë suksese”, thotë Thaqi.
Debutimi në ndeshje kompetitive me Kosovën për Thaqin ka qenë edhe më i ëmbël, pasi ai me bashkëlojtarë e mbyllën një vit të vështirë me fitore. Kosova e fitoi takimin e fundit të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve dhe siguroi mbetjen në Ligën C.
“Normalisht që është ndjenjë krenarie dhe nderi të paraqitesh për vendin tënd në një ndeshje zyrtare në gara të UEFA-s dhe FIFA-s. Për secilin futbollist është ëndërr veshja e uniformës kombëtare dhe një ëndërr e realizuar për mua”, ka theksuar Thaqi.
28-vjeçari mendon se kjo është një nismë e mbarë, që mund t’i hapë rrugë atij për të ardhmen.
“Fakti që jam paraqitur në fushë kundër Moldavisë më ka bërë të ndihem shumë mirë. Është ndeshja ime e tretë, mirëpo e para zyrtare që ishte edhe e vlefshme për Ligën e Kombeve. Për mua primare është që të vazhdoj me paraqitje sa më të mira dhe ta ndihmoj klubin ku jam, Ballkanin. Më pas, janë të tjerët që vendosin se a e meriton Armendi të jetë pjesë e përfaqësueses. Por është e sigurt se gjithmonë jam i gatshëm të jap 100% nga vetja, për vendin tim”, shtoi Thaqi, që me Kosovën luajti edhe 7 minuta kundër Letonisë në fitoren 4:3 para tre vjetësh dhe 90 minuta në humbjen nga Suedia në janar të këtij viti.
Në të kaluarën të grumbulluar nga Superliga e Kosovës kanë qenë kryesisht portierët. Në kualifikimet e Botërorit 2016, nën drejtimin e Albert Bunjakit, ishte i grumbulluar portieri Bledar Hajdini sa ishte pjesë e Trepçës ’89. Në ndeshjen e fundit të atij cikli eliminator kundër Islandës u ftua edhe Visar Bekaj, gardiani i Prishtinës në atë kohë, që tash është pjesë e Tiranës. Asnjëri nga ta nuk pati minuta në ndeshje zyrtare.
Pa paraqitje në gara zyrtare ishte edhe Faton Maloku, portieri i Dritës, në ndeshjet e Ligës së Kombeve të edicionit të parë.
Në mungesë të shumë futbollistëve për ndeshjet e nëntorit, për shkak të lëndimeve e pandemisë së koronavirusit, vend në listë pati edhe për Mirlind Dakun. Daku, me gjithë formën e mirë me 17 gola në 11 lojë për Ballkanin, luajti vetëm në miqësoren kundër Shqipërisë, të cilën Kosova e humbi 2:1.