Të mërkurën në mëngjes u vendos në Poloni. Të shtunën në mëngjes u largua nga Polonia. Por periudha treditore do ta shënojë karrierën e karateistit Alvin Karaqi.
Ai fillimisht mbajti flamurin shqiptar në ceremoninë hapëse të Lojërave Evropiane. Më pas bëri të mundur që flamuri shqiptar të ngrihet lart. Mundësoi që të intonohet himni shqiptar në ngjarjen e madhe sportive të kontinentit.
“Janë dy momentet më të mira, më të bukura në karrierën time”, ka thënë Alvin Karaqi për KOHËN pasditen e së shtunës. Ai ka folur derisa ishte në rrugë për kthim në shtëpi, në Zvicër. Menjëherë të dielën u kthehet detyrave të përditshme, obligimeve si mjek.
“Jam kujdestar për 24 orë”, ka treguar karateisti prishtinas.
Në vendin e punës do të paraqitet si kampion i Lojërave Evropiane në karate. Karaqi të premten fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 84 kilogramë. Në finale e kaloi holandezin Brian Timmermans. Në gjysmëfinale ishte më i mirë se italiani Michele Martina. Ende pa u paraqitur në gjysmëfinale ka qarë shumë.
“Kam qarë si fëmijë”, thotë Alvini.
Pasi kaloi me sukses grupin, me dy fitore e një humbje, Alvini e ka ditur se e ka kaluar barrierën e madhe. Tashmë e kishte të sigurt medaljen e bronztë, por ishte i bindur se do të shkojë deri në fund. Si garues i Kosovës, Alvin Karaqi, ishte fare pranë medaljes në Lojërat e para Evropiane në vitin 2015 në Baku dhe më pas në vitin 2019 në Minsk, në edicionin e dytë të Lojërave Evropiane. Ndërkohë kaloi te Shqipëria, për shkak të trajtimit jo të duhur në Kosovë dhe të premten fitoi medaljen e parë të Shqipërisë në histori të Lojërave Evropiane.
“Kam besuar se do të fitojë medalje. Jo që kam besuar, kam qenë i bindur për medalje. Ngjyrën e medaljes nuk e kam menduar shumë. Por kur dola me sukses nga grupi kam thënë se nuk e lëshoj të artën. Kur hyra në zonën e medaljeve, kam qarë shumë dhe e kam ditur se nuk e lëshoj të artën. Trajneri (Fehmi Mahalla) më ka thënë që të mos e lëshojë rastin dhe i jam përgjigjur që nuk ka shans ta lëshoj këtë mundësi”, ka treguar Karaqi.
Ai nuk ka vërejtje me mënyrën se si ka shkuar gara. Është shumë i kënaqur edhe me përkrahjen që ka pasur nga Komiteti Olimpik i Shqipërisë (KOKSH). Drejtuesit e KOKSH-it i ka njoftuar vetëm të mërkurën, por vlerëson trajtimin që ia kanë bërë.
“Më nderuan për ta mbajtur flamurin shqiptar në ceremoninë hapëse, që të jem bajraktar. Ishte moment krenarie. Ishte momenti më i mirë në karrierë deri te sigurimi i medaljes së artë. Më pas erdhi e arta, intonimi i himnit kombëtar. Janë dy momentet më të mira në karrierë. Përfundimisht janë dy momentet më të mira në karrierë. Kisha shumë emocione. Në podium lotët nuk më janë ndalur. Ishin lot të gëzimit për suksesin, por edhe lotët e emocioneve të krijuara për dhjetë vjet. Ishte një zbrazje nga emocionet që janë krijuar për mbi një dekadë”, ka thënë Alvin Karaqi.
Ai kohë të gjatë ka qenë pjesë e klubit prishtinas, Ippon. Karrierë ka bërë edhe në Francë. Krahas karrierës në karate, ka kryer shkollimin për mjek. Tani është i angazhuar në profesionin e tij në Zvicër. Por karrierën sportive nuk e lë anash.
Karaqi është prej karateistëve më të mirë shqiptarë në histori. Në shumë raste u ishte afruar medaljeve të mëdha. Të premten shkroi histori.
Për trajner në Lojërat Evropiane, Karaqi e kishte Fehmi Mahallën, ish-karateistin shumë të suksesshëm që jeton në Zvicër. Në Lojëra Evropiane janë paraqitur vetëm nga tetë karateistë për kategori. Janë përzgjedhur prej më të mirëve. Gara ishte e shkurtër, por e nivelit shumë të lartë.
Karaqi është përgatitur me Fehmi Mahallën për ngjarjen kontinentale në Poloni. Me Mahallën ka shumë vjet që bashkëpunon, por shpreh keqardhje që nuk ka punuar vazhdimisht me të. Respekti i Alvin Karaqit për Fehmi Mahallën është maksimal.
“Fehmi Mahalla është çelësi kryesor i suksesit. Nëse do të duhej t’ia jepja dikujt medaljen, do t’ia varja në qafë me shumë dëshirë Fehmiut. Natyrisht merita ka edhe Shqipe Zogiani. E kisha si nënë të dytë. Më ka përkrahur edhe trajneri në Francë, sidomos kur kisha vështirësi në karrierë. Por Fehmiu është tjetër gjë. Vetëm ta kem përkrah mjafton. Ndikimi i tij është shumë i madh, i jashtëzakonshëm. Nuk po flas vetëm për karatenë. Karateja e tij është e përkryer. Por ndikimi nuk kufizohet vetëm në karate. Më dhemb fakti që nuk e kam pasur gjithnjë përkrah”, ka thënë Alvin Karaqi, sportisti shembullor e i urtë.
Karaqi të shtunën merrej me falënderimin e shumë njerëzve që e kanë uruar për suksesin. Nuk do të ketë shumë kohë për këtë. Të dielën është në punë.
“Ka bërë bujë suksesi. Ishte moment madhështor. Nuk kam pasur shumë kohë për të reflektuar për të arriturën. Por përfundimisht është shpërblim për punën që e kemi bërë për dekada të tëra”, ka thënë Alvin Karaqi.