Sport

Dajaku, futbollisti i Bayernit që mund ta gjejë shkëlqimin tek Union Berlini

Para një viti e gjysmë sulmuesi Leon Dajaku iu bashkua gjigandit të Bundesligës së Gjermanisë, Bayern Munich. E për një vit e gjysmë Dajaku do t’i bashkohet një ekipi tjetër në Bundesligë.

Jo vetëm në atë kohë, por edhe tani, 19-vjeçari vlerësohet lart për stilin e lojës. Është cilësuar si njëri prej talenteve më të mëdha në Bundesligë dhe vazhdon të përcillet nga një numër i madh i ekipeve evropiane. Të mërkurën gjatë tërë ditës nëpër mediumet ndërkombëtare u raportua se për shërbimet e Dajakut kishin shprehur interesim një numër i madh i ekipeve të Evropës. Në mesin e këtyre ekipeve ishin Milani e Torino nga Italia, Nice nga Franca e Koelni nga Gjermania. U përmend edhe Union Berlini që bën gara në Bundesligë. E pikërisht Union Berlinin e ka zgjedhur Dajaku për të vazhduar karrierën. KOHA, sipas burimeve të afërta me futbollistin, ka mësuar se Dajaku do të huazohet për një vit e gjysmë te Union Berlini. Ai ka kontratë me Bayernin deri në verën e vitit 2023.

“Leoni pritet t’i bashkohet skuadrës së Union Berlinit në formë huazimi nga Bayern Munichu. Marrëveshja do të jetë huazim për një vit e gjysmë për shkak se Bayerni nuk ka dashur të heqë dorë përfundimisht nga ai”, ka thënë burimi i KOHËS. “Gjithçka është finalizuar dhe Leoni pritet të zyrtarizohet të premten te Union Berlini që në mbrëmje luan me Bayer Leverkusenin”.

Te Union Berlini, Dajaku pritet që ta ketë rastin që nuk e pati te Bayerni – të ketë minutazhë në Bundesligë. Sipas mediumeve gjermane, ishte trajneri i Unionin, Urs Fischer që e ka bindur Dajakun t’i bashkohet ekipit të tij. Fischer beson se Dajaku është sulmuesi në të cilin mund të llogarisë për pjesën e dytë të këtij edicioni, por edhe sezonin e ardhshëm.

“Te Unioni atij pritet t’i jepet hapësira e duhur. Kjo edhe është arsyeja që e ka zgjedhur këtë ekip”, shtoi burimi. “Ofertat nuk i kanë munguar pasi ka pasur interesim prej ekipeve nga të gjitha ligat e mëdha.

Këtë edicion Dajaku ka vetëm një paraqitje me ekipin e parë të Bayernit kur luajti 29 minuta kundër FC Duren në kuadër të raundit të parë të Kupës së Gjermanisë, ndeshje të cilin bavarezët e fituan me rezultatin 3:0. Sulmuesi me prejardhje nga Drenica është aktivizuar me ekipin e dytë të Bayernit që bën gara në kategorinë e tretë të Gjermanisë dhe ka shënuar tri gola në 14 ndeshje. Për shkak të huazimit të tij, Dajaku nuk ishte i përfshirë fare tek rezervistët e Bayernit për ndeshjen ndaj Meppenit që u luajt të martën mbrëma.

Dajaku iu bashkua skuadrës së Bayern Munichut në korrik të vitit 2019 kurse muaj më vonë debutoi edhe me ekipin e parë. U aktivizua për pak minuta në triumfin e Bayernit në shtëpi 2:0 kundër skuadrës së Wolfsburgut. Për kartonin e Dajakut, Bayerni i pagoi Stuttgartit 1.5 milionë euro dëmshpërblim. Dajaku si futbollist është zhvilluar te Stuttgarti, ekip që ka akademinë më të mirë në Gjermani prej të cilës kanë dalë lojtarët si Joshua Kimmich, Serge Gnabry, Timo Werner, Mario Gomez e Sami Khedira. Gjithashtu, Stuttgarti njihet si ekip që u jep hapësirë futbollistëve të rinj dhe kështu veproi edhe me Dajakun, të cilit i mundësoi të debutonte me ekipin e parë në Bundesligë në moshën 17-vjeçare. Dajaku në Gjermani është vlerësuar edhe si “Marco Reus i ri”. Gjithashtu, ai ka luajtur edhe nëpër të gjitha grupmoshat te Gjermania (U17, U18, U19, U20). Ai është në mesin e futbollistëve potencialë për ta veshur fanellën e Përfaqësueses së Kosovës në të ardhmen e afërt.