Sport

Avdijaj synon shkëlqimin në Holandë, për të fituar rast tjetër te Kosova

Donis Avdijaj e shfrytëzoi mirë mundësinë e dhënë nga FC Emmeni. Gjatë qëndrimit në prova te klubi elitar i Holandës, Avdijaj i bindi drejtuesit e Emmenit që t’ia ofrojnë kontratën njëvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Por, Avdijaj ka edhe një synim tjetër të madh. Ai synon shkëlqimin te FC Emmeni për ta fituar sërish ftesën nga Kosova.

Te “Dardanët” për herë të fundit ishte dy vjet më parë. Madje, pati shënuar dy gola në fitoren e thellë ndaj Maltës, në kuadër të edicionit të parë të Ligës së Kombeve.

Avdijaj beson se ka ende çfarë të japë për Kosovën.

“Fillimisht dua të tregoj sukses këtu në Holandë dhe - nëse e meritoj ftesën dhe dëshira është edhe e Federatës që unë të bashkohem sërish - gjithmonë do të jem i hapur për ta dhënë më të mirën. Së bashku me Kombëtaren në futboll kemi pasur suksese çdo herë”, ka thënë të premten Avdijaj për KOHËN.

Në nivel përfaqësuesesh, Avdijaj fillimisht ka luajtur për grupmoshat U16, U17 dhe U19 të Gjermanisë.

24-vjeçari Avdijaj si i ri është vlerësuar njëri prej talenteve më të mëdha në futbollin gjerman. Luajti te të rinjtë e skuadrës VfL Osnabruck dhe të Schalkes 04. Schalke vendosi që ta huazojë atë në fillim të vitit 2015 për një sezon e gjysmë te klubi austriak Sturm Graz. Prej aty u transferua në Holandë, ku luajti si i huazuar te Roda JC fillimisht dhe më vonë kaloi te Willem II. I luajti 32 ndeshje zyrtare në Holandë dhe la përshtypje të mirë me 12 gola të realizuar.

Pak kohë kaloi edhe te Trabzonspori në Turqi, si dhe te skuadra e Heartsit në futbollin skocez.

FC Emmeni do të jetë stacioni i shtatë për Avdijajn në nivel klubesh në futbollin profesionist, prej vitit 2016.

“Pres që të stabilizohem te skuadra e Emmenit. Në dy vjet situata ka qenë disi e pafat. Në Skoci kampionati përfundoi më herët për shkak të pandemisë së COVID-19. Federata e Futbollit e Skocisë vendosi që ekipi ku unë luaja, Heartsi, të bjerë në ligën e dytë të futbollit skocez. Liga e dytë nuk ishte opsion për mua”, ka thënë Avdijaj që e vlerëson lart kampionatin holandez, në të cilin edhe ka përvojë.

“Ka kaluar goxha kohë, por tash kam bërë vend në një kampionat shumë të mirë. Do të mundohem që të shfaq shumë suksese”.

Karriera e Avdijajt në të kaluarën është përcjellë me vështirësi. Schalke e dënoi për shkak të aksidentit që e pati me makinë, ndërsa është raportuar shumë për të edhe për mungesë disipline. Sidoqoftë, Avdijaj sytë i ka vetëm kah e ardhmja.

“Në aspektin sportiv, gjithmonë kam treguar suksese. Për momentin, me rëndësi është që unë të luaj sërish futboll dhe ta tregoj veten me suksese, ashtu siç presin të gjithë nga unë”, theksoi Avdijaj.

Të premten pasdite, Avdijaj pati minuta për skuadrën e Emmenit në ndeshjen miqësore kundër Heracles Almelo. Skuadra e ish-reprezentuesit të Kosovës humbi 3:1 në udhëtim.

Avdijaj beson se mentaliteti i tij fitues do t’i shërbejë pozitivisht skuadrës ku do të bëjë karrierë.

“Dua vetëm fitore dhe të punoj e të përmirësohem sa më shumë që është e mundur. Pres nga vetja që të kem minimalisht 8 deri në 10 gola e asistime”, përfundoi Avdijaj.