SOT

Të rinjtë dëmtojnë shëndetin me ushtrime dhe dieta të sforcuara para sezonit të verës

Jemi afër stinës së verës dhe shumë prej nesh dëshirojmë të dukemi mirë në plazh. Por për të pasur një trup të mirë dhe të shëndetshëm, është e domosdoshme të jemi të angazhuar me aktivitete fizike gjatë gjithë vitit.

Por, ka prej tyre që duan që brenda pak javësh të arrijnë rezultate. Kjo shihet nga numri i madh i regjistrimeve në palestër gjatë pranverës. 

Besnik Humolli, nutricionist dhe trajner fitnesi, thotë se shumë persona pak para verës nisin ushtrime intensive dhe dieta të rrepta, të cilat shpesh shkaktojnë efekte anësore për shkak të qasjes ekstreme.

“Si nutricionist dhe trajner fitnesi çdo ditë merrem me klientë dhe kërkesa të ndryshme, zakonisht para verës ka klientë dhe kërkesa më të mëdha që vera t'i gjejë në format më të mira, shumica kalojnë në ekstrem duke e tepruar me stërvitje, madje ka prej tyre që ushtrojnë dy herë në ditë e unë nuk jam pro kësaj sepse e kalojnë në mbingarkesë dhe mund të kenë lëndim ose ndezje muskulore po ashtu edhe ka prej tyre që kalojnë në dieta të forta nga një mënyrë të ushqyerit që bien në diçka drastike ose edhe përdorin substanca të ndryshme përfshirë çaja për dobësim që në fakt ato dëmtojnë zorrët, lukthin dhe nuk i pëlqej këto ndryshime të mëdha sepse duhet një kohë për t’u adaptuar me ushtrime dhe ushqim cilësor”, thekson Humolli.

“Kot stërvitesh nëse nuk ke një regjim me ushqyerje të mirë”, thotë Humolli për ata të cilët qëllim kanë humbje në peshë.

“Arrijnë të humbin peshë kur kombinohet regjimi i ushqimit dhe ushtrimet, njëra pa tjetrën nuk shkon tanimë janë më të vetëdijesuar sepse më herët kanë menduar që nëse veç ushtrohesh dhe han çfarë të duash mund të ia dalësh por tani kjo gjë ka ndryshuar e kanë kuptuar që në fakt ushqimi është kryesori e pastaj vjen stërvitja, kot stërvitesh nëse nuk ke një regjim me ushqyerje të mirë”, deklaron Humolli.

Ai rekomandon një konsum më të lartë të proteinave dhe yndyrave të shëndetshme, ndërsa sugjeron uljen e konsumit të karbohidrateve dhe sheqernave, veçanërisht kur aktiviteti fizik është i ulët. 

“Neglizhohet konsumimi i proteinave dhe yndyrave të mira gjatë ditës, duhet më shumë konsumim i tyre, sa i përket karbohidrateve energjisë e sheqernave duhet të zvogëlohen sepse është zvogëluar edhe aktiviteti fizik, njerëzit e kanë psikike kur thonë se ka rënë sheqeri dhe duhet konsumuar diçka të ëmbël, por në mënyrën e jetesës se si e bëjmë çdo gjë me telefona, qëndrojmë shumë ulur gjatë ditës dhe nuk i nevojitet trupit aq shumë sheqer dhe energji, duhet të bëjmë konsumim më të madh të proteinës, vezë e mish dhe yndyra të mira, vaj ulliri, avokado dhe arrore për ata që kanë metabolizëm më të shpejtë dhe më pak karbohidrate, pasta, oriz e patate”, shton Humolli.

Kohëve të fundit janë moshat më të vjetra që kanë përkujdesje më shumë për shëndetin me ushtrime e ushqim të mirë, e të rinjtë po dëmtojnë organizmin me ushqime të shpejta e aspak të shëndetshme.
“Në këto 10 vitet e fundit, më herët fëmijët dhe moshat e reja janë kujdesur më shumë me aktivitete fizike, e të moshuarit e kanë lënë veten anash dhe kanë pasur më shumë probleme, e tani është krejt e kundërta, të moshuarit merren më shumë me aktivitete dhe sport e madje edhe me ushqime, e të rinjtë tani po ushqehen me ushqime të shpejta, kanë mungesë të vitaminave, mineraleve tani ka shumë dallim mes viteve”, thotë Humolli.

Nutricionisti tregon se jo të gjitha ushqimet e shëndetshme mund të na bëjnë mirë, disa prej tyre mund të japin reaksione alergjike apo edhe intolerancë, prandaj rekomandohen edhe testet e tilla para se të fillojmë me një regjim ushqimi.

“Kohëve të fundit ka përmirësime, më vjen mirë që e kanë kuptuar rolin e të ushqyerit dhe nutricionit, më herët janë ushqyer me gjithçka, disa ushqime mund të japin intoleranca dhe alergji nuk do të thotë se çdo ushqim i shëndetshëm të bën mirë, duhet bërë analiza dhe kontrolle në lidhje me stilin e të ushqyerit dhe sa më shumë aktivitet fizik”, thekson Humolli.

Nutricionisti dhe trajneri i fitnesit bënë thirrje që vazhdimisht të kemi një stil të shëndetshëm të të ushqyerit dhe jetesës, sipas tij çdo gjë e shpejtë dhe e sforcuar mund të na dëmtojë shëndetin dhe të na ofrojë rezultatin e kundërt të kërkuar. Aktivitet fizik gjatë tërë vitit, e ushqim të mirë, për një jetesë të shëndetshme.