Punimet për rregullimin e rrugëve dhe urave të dëmtuara në Drenas kanë përfunduar dhe është rikthyer qarkullimi i sigurt në qytet e në fshatra. Drejtori i Shërbimeve Publike të kësaj Komune ka thënë se pavarësisht dëmeve, tash është rikthyer qarkullimi i sigurt.
Drenasi ishte njëra ndër komunat që u përball më së shumti me vërshimet e fundit në Kosovë.
Intensiteti i lartë i ujit e të reshurat e mëdha atmosferike ndikuan që në këtë komunë të ketë dëme ekonomike familjare, bujqësore, biznesore e infrastrukturore.
Pas këtyre sfidave, punimet për rregullimin e rrugëve dhe urave të dëmtuara kanë përfunduar.
Drejtori i Shërbimeve Publike të Drenasit, Nexhmedin Gruda ka thënë se reshjet kanë qenë të intensitetit të lartë por kanë intervenuar menjëherë.
“Reshjet ishin të një intensiteti të lartë dhe menjëherë kanë filluar vërshimet. Të gjithë kemi dalë në teren dhe në fillim e kemi bërë vetëm monitorimin e situatës, kur pamë që vendin më kritik në atë pjesë e kishim në qendrën transformatike që e kemi në qendër të Drenasit atëherë ne kemi intervenuar në bashkëpunim edhe me KESCO-n kemi filluar menjëherë vendosjen e pompave që të vazhdojmë d.m.th edhe te ajo pjesë dhe të mos rrezikohet stabilimenti dhe të kemi rrymë në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.
Gruda shton se pas stabilizimit të qytetarëve me ujë e me rrymë, kanë vazhduar intervenimet në të gjitha fshatrat.
“ Më pas ka vazhduar stabilimenti në të gjitha fshatrat përreth, ku kemi pas vërshime me intensitet të lartë. Siç po shihet edhe mbrapa meje këtu, e ka larguar edhe asfaltin por qytetarët më pas kanë mundur të kalojnë lirshëm. Me stabilizimin e qytetarëve me ujë ne kemi vazhduar menjëherë me intervenim në të gjitha fshatrat”, ka shtuar ai.
Siç thotë ai, megjithëse nuk ka pasur ankesa, qytetarët nuk iu janë përmbajtur urdhrave që ekipet në teren kanë dhënë. Madje disa prej tyre e kaluan edhe shiritin.
“Ankesa nuk ka pasur por nuk ju kanë mbajtur urdhëresave që ne i kemi dhen,ë ka pasur raste kur e ka kaluar shiritin ka hyrë dhe ka ngecur në ujë, më pas ne është dashur të ndërhyjmë me zjarrfikës”, ka shtuar ai.
Sa i përket masave të reja të parandalimit, Gruda ka thënë se është bërë vlerësimi dhe listimi i të gjitha problemeve të cilat do të përcillen në ministri.
“Komuna qysh javën e kaluar e ka bërë vlerësimin e të gjitha përrockave dhe segmentëve të lumenjve që ka pasur mbeturina ose me anën e mbetjeve nga vërshimet. Ato i kemi listuar dhe i kemi përcjell në ministri që të bëhet vlerësimi i tyre pasi që komuna nuk ka buxhet dhe nuk ka ndonjë fond emergjent për të filluar menjëherë pastrimin e tyre”, ka shtuar ai.
Kërkesat e qytetarëve për vlerësim të dëmeve nga vërshimet, nuk kanë qenë të pakta, por fondi i emergjencave i mungon kësaj komune Këtë përgjegjësi e kanë hedhur te Qeveria e Kosovës.
“ Komuna është interesu, menjëherë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vijnë kërkesat e tyre për vlerësimin e dëmeve, i kemi krijuar 3 ekipe për vlerësim të dëmeve, një për ekonomi familjare, një për bujqësi, një për biznese ndërsa është themeluar edhe ekipi për dëme infrastrukturore. Kemi marrë diku 249 kërkesa, më pas i kemi klasifiku. Këto ekipe janë në përfundim të raportit, dhe brenda pak ditësh do të jetë i gatshëm dhe do ta përcjellim të qeveria e Kosovës për kompensim të këtyre dëmeve pasi që komuna nuk mund të bëjë kompensim sepse nuk ka fond të emergjencave”, ka thënë ai.
Sipas Drejtorit të Shërbimeve Publike, tash situata është e qetë përveç një ure që të dërgon në Krajkovë, e cila pritet të sanohet brenda pak ditësh.