SOT

Sfidat e prindërve në Kosovë mes karrierës dhe planifikimit familjar

Rritja e inflacionit dhe kërkesat e shumta për kujdesin ndaj fëmijëve në Kosovë kanë ndikuar që vitet e fundit të mos ketë rritje të kënaqshme të natalitetit. Madje çiftet e reja po e shtyjnë planifikimin familjar për në moshë më të madhe.

Megjithëse disa nga shtesat për nënat lehona dhe fëmijët të ofruara nga Qeveria e Kosovës, kanë qenë një ndihmesë për fillimin e jetës familjare, ato nuk janë të mjaftueshme.

Paulina Nushi-Muhaxhiri, gazetare dhe nënë, tregon se si grua e punësuar i ishte dashur të planifikonte mirë të dyja shtatzënitë e saj, për shkak të angazhimeve dhe karrierës. Ajo thotë se sot ka më pak lindje për shkak të shtrenjtimit të jetesës dhe vështirësive për të balancuar karrierën me jetën familjare.

“Dy shtatzënitë e mia kanë qenë të planifikuara. 6 muaj pas martesës mora lajmin që po prisja vajzën dhe më pas edhe djalin. Kur ka planifikim, gjithçka është më e lehtë, sidomos në menaxhimin e financave. Sot kemi më pak lindje sepse mënyra e jetesës ka ndryshuar. Më parë kishte shumë anëtarë në familje dhe për fëmijët kujdeseshin të afërmit. Sot nënat punojnë dhe e kanë të vështirë të menaxhojnë jetën mes karrierës dhe familjes”, thekson Nushi-Muhaxhiri.

Ajo shton se shteti duhet të ketë politika më të mira sociale, pasi një grua që nga shtatzënia përballet me shumë shpenzime për kujdesin ndaj vetes dhe foshnjës. Ajo përmend vendet e zhvilluara, ku shteti ofron ndihmë konkrete për nënat e reja.

“Besoj se rënia e natalitetit nuk i shërben shoqërisë. Shumë të rinj po migrojnë. Shteti duhet të krijojë politika sociale që u mundësojnë çifteve të reja të krijojnë familje më lehtë. Në shtetet nordike nënat nuk brengosen se çfarë do të marrin me vete në spital. Në Finlandë, për shembull, nëna merr një çantë me të gjitha gjërat esenciale për vete dhe foshnjën. Në Kosovë nga shtatzënia e tutje gratë duhet të mendojnë për çdo gjë dhe kjo ndikon në uljen e natalitetit. Më mirë të mos sjellim në jetë një fëmijë të paplanifikuar, sepse nëse nuk i sigurojmë kushte të mira jetese bëhet shumë e vështirë”, thotë Nushi-Muhaxhiri.

Ajo shton se për gratë me karrierë kostot për kujdesin ndaj fëmijës janë shumë të larta, përfshirë edhe pagesën për institucionet arsimore private, që ofrojnë një ambient të sigurt për fëmijët derisa prindërit janë në punë.

“Ne si prindër duhet të mendojmë edhe për shkollimin e fëmijëve, për investimin në qëndrimin ditor në shkolla private. Nënat punojnë me orar të plotë dhe nuk është e lehtë të jesh njëkohësisht nënë dhe profesioniste. Prandaj detyrohemi të paguajmë më shumë për kujdesin ndaj fëmijëve. Për këto arsye shumë të rinj e shtyjnë krijimin e familjes ose mendojnë të kenë vetëm një apo dy fëmijë”, shton Nushi-Muhaxhiri.

Ajo thekson se që në fillim të muajit i duhen të paktën 500 euro për të mbuluar shpenzimet për dy fëmijët e saj.

“Është shumë e konsiderueshme – të paktën 500 euro në muaj për shkollim dhe kujdes për dy fëmijë, pa përfshirë gjërat e tjera esenciale, që gjithashtu kushtojnë. Këto janë arsyet pse çiftet planifikojnë familje të vogla”, deklaron ajo.

Nga ana tjetër, sociologu Genx Xërxa thotë se për të rritur dhe për t’u kujdesur për një fëmijë deri në moshën 18-vjeçare në Kosovë një familje duhet të investojë deri në 150 mijë euro.

“Vetëm për muajt e parë të foshnjës shpenzimet mujore shkojnë deri në 50 euro për ushqim dhe pelena. Kujdesi në kopshte kushton deri në 200 euro. Pastaj kemi transportin, kujdesin shëndetësor, të gjitha këto përbëjnë një kosto të madhe. Mendohet se për të rritur një fëmijë deri në moshën 18 vjeçe në Kosovë kushton deri në 150 mijë euro. Në Britani të Madhe kjo shifër arrin deri në 200 mijë”, thotë Xërxa.

Ai thekson se në vendin tonë mungojnë politikat e duhura sociale. Nëse kjo situatë vazhdon, sipas tij, nataliteti do të bjerë dhe çiftet do të hezitojnë të krijojnë familje.

“Ka disa shtesa, por ato janë ndihmë e vogël. Fëmijët, veçanërisht në vitet e para përballen shpesh me probleme shëndetësore dhe kjo shton kostot. Politikat stimuluese për rritjen e natalitetit mungojnë. Qeveria duhet të mendojë seriozisht për këtë çështje. Jeta është bërë e shtrenjtë dhe çiftet e reja janë të detyruara të rishqyrtojnë planifikimin familjar”, deklaron Xërxa.

Por, nga ana tjetër, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, viti 2023 është përmbyllur me 31.110 lindje brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2024 ka pasur një rritje të vogël, me gjithsej 31.717 lindje. Ndërsa në muajin korrik të këtij viti janë regjistruar 2.664 lindje, një rritje prej rreth 5% krahasuar me muajin qershor të të njëjtit vit.