SOT

Rikthehen fermerët e tregut mobil me produkte të freskëta e cilësore

Kush zgjohet herët në mëngjes ka fatin të blejë produktet më cilësore e të freskëta nga fermerët vendorë. Të gjitha këto fruta e perime i kanë kultivuar vetë në tokat e tyre e tani ato kanë zënë vend në tezgat e tregut mobil në Prishtinë.

Për fermerët, dita nis herët. Njësoj edhe për Osman Kryeziun nga fshati Sllovi e Lipjanit, i cili për tri ditë me radhë sjell prodhimet e tij të freskëta për t’i shitur në sheshet e kryeqytetit.

“Vij nga fshati Sllovi merrem me prodhime bujqësore, është viti i 10 këtu që po punoj, në krah të këtij tregu kam arrit të investoj në sera të rris sipërfaqen time. Kam prodhime të ndryshme, kam tranguj, kungulleshkë, qepë të reja, domatet për pak ditë do të dalin në treg, brokoli, patate e shumë të tjera”, thotë Kryeziu.

Ai thotë se produktet që i shet nuk mund të zëvendësohen me ato që shiten në tregjet e mëdha.

Vjelja e tyre bëhet çdo ditë, gjë që i bën edhe më të freskëta dhe më cilësore.

“Qytetarëve shpesh u them nëse shikon ën gjithë Prishtinën produktet si këtu në treg mobil nuk mundesh me i gjet sepse ne në ora 5 në mëngjes i vjelim nga bahçja i sjellim këtu dhe trangujt janë tejet të freskëta. Jemi të përgatitur që nga dhjetori me fara e deri tani kur dalim në treg. Ne jemi më të lirë madje edhe qytetarët habiten por u themi se produktet po i blejnë direkt nga fermeri prandaj edhe janë më të lira çmimet tek n. Prodhimet tona janë 80% sigurisht më të mira dhe kur blejnë tek ne ndihmon fermerin dhe shtetin tënd”, deklaron Kryeziu.

Valbona Sopa rrëfen se me lindjen e diellit arrin në treg dhe vendoset pranë tezgës së saj për të mirëpritur konsumatorët me produktet bujqësore më të mira vendore.

“Në treg jam që 10 vite me prodhime të freskëta, nga Sllovia vij dhe falënderoj shumë komunën e Prishtinës dhe Lipjanit që na ka dhënë mundësinë të shesim produktet tona këtu. Para orës 7 të mëngjesit jam këtu me produkte të freskëta përderisa shkojnë qytetarët në punë ata blejnë produktet tona”, thotë Sopa.

Ajo thotë se, ndonëse tregu sivjet filloi me vonesë, pati shumë konsumatorë që u gëzuan për rikthimin e tyre, sepse u kishte munguar shija e prodhimeve vendore.

“Na ka munguar tregu shumë, fidanët është dashur me i shit më herët por konsumatorët kanë kontaktuar direkt me mua dhe i kam shit. Kur na kanë parë qytetarët janë gëzuar shumë sepse u ka munguar prodhimi vendor, produkte ke ku të duash por jo si tonat, secili e din që në mëngjes i vjelim dhe të freskëta shiten”, thekson Sopa.

Remzi Demolli, një tjetër bujk nga Prishtina, premton produkte të mira e me çmime të volitshme për konsumatorët.

“Unë kam 10 vite që jam në treg por si fermer punoj tash e 30 vite, me fillimin e punës së tregut neve na jepet mundësi e madhe dhe kur ia fillojmë punën e dimë se ku do të drejtohemi dhe ku do shko prodhimi ynë. Konsumatorët marrin tek ne sepse janë të sigurt dhe bio, e ka disa muaj që kanë filluar duke na pyet se kur do dalim në treg por komuna pak e ka vonuar tregun, madje kam pas disa fidanë që na kanë shkuar dëm sepse nuk kemi pas vend ku t’i shesim prandaj tregu mobil është jetik për ne”, deklaron Demolli.

Me 30 vjet përvojë në bujqësi dhe një dekadë në tregun mobil, ai thotë se ka arritur stabilitet financiar dhe, sipas tij, kjo punë ia vlen.

“E tërë familja ime merremi me këtë punë të bujqësisë, në sezonë marrim disa punëtorë por shumë pak. Për mua kjo punë ia ka vlejtur, unë jetoj në fshat por kam shtëpi edhe në Prishtinë dhe atë e kam arrit falë punës me bujqësi”, shton Demolli.

Më 17 qershor rifilloi tregu mobil dhe, ashtu si çdo vit, fermerët do të ekspozojnë produktet e tyre bujqësore dhe artizanale çdo të martë në sheshin 'Zahir Pajaziti', të mërkurën në sheshin 'Bill Clinton' dhe të enjten në sheshin 'Adem Jashari' në Prishtinë.