Të mërkurën në Prishtinë ka nisur edicioni i 9-të i Festivalit të Kafesë dhe Çajit, një ngjarje që mbledh të gjithë ata që nuk e imagjinojnë ditën pa këto pije. Afro 30 brende vendore dhe të huaja morën pjesë në këtë festival që zgjati deri të premten. Qëllimi ishte promovimi i artit, kulturës dhe traditës së përgatitjes së kafesë dhe çajit në Kosovë. Për atmosferën dhe reagimin e vizitorëve, më shumë do të mësojmë nga materiali në vazhdim.
Me hyrjen në stinën e vjeshtës, kafja dhe çaji bëhen pijet më të kërkuara. E si çdo vit, edhe këtë shtator Prishtina u bë nikoqire e Festivalit të Kafesë dhe Çajit.
Edicioni i 9-të i Festivalit mblodhi rreth 30 brende të njohura, nga ato vendore e deri te ato ndërkombëtare. Synimi ishte i qartë: të promovohet kultura e përgatitjes së kafesë dhe çajit në Kosovë, dhe të ofrohet një përvojë unike për konsumatorët.
Sipas baristëve, qytetarët mezi e presin këtë festival çdo vit.
“Meraklinjtë e kafesë e kanë pritur shumë mirë festivalin, si çdoherë tjetër. Vizitorët janë thuajse të njëjtit, të interesuar të shohin nëse ka ndonjë risi nga vitet e kaluara. Ka nga ata që e njohin dhe e dallojnë kafenë cilësore, shumica preferojnë Danesi. Këtë vit kemi shtuar disa produkte të reja. Kafen dhe çajin e ofrojmë falas dhe baristi ka një rol kyç, nga bluarja deri te përgatitja, veçanërisht për espresson, që është ndër më të kërkuarat”, thotë Fatlum Spahiu.
Espresso nuk është e vetmja që pëlqehet, edhe kafeja turke mbetet ndër më të dashurat për kosovarët.
“Ky është edicioni i 9-të i Festivalit dhe pa dyshim ia vlen të mbahet. Qytetarët e dinë që do të gjejnë këtu kafe dhe çaj cilësor. Janë mbi 25 brende që marrin pjesë dhe secila ka shijen e saj. Ne ofrojmë espresso, kapsula, 3-në-1, dhe natyrisht kafenë turke, që është më e kërkuara, sepse është pjesë e traditës sonë. Leze Qena e ka promovuar atë më së miri”, thekson baristi Jetmir Maliqi.
Festivali ka tërhequr edhe vizitorë të huaj, veçanërisht nga Italia dhe Brazili.
“Përveç kosovarëve, kemi pasur vizitorë italianë dhe brazilianë që janë ndarë shumë të kënaqur. Në Kosovë ka baristë të talentuar. Kam marrë pjesë në shumë panaire jashtë vendit, por kur organizohet një festival i tillë këtu, mezi e pres”, shton Maliqi.
Sipas baristëve, italianët shpesh mbesin të habitur me nivelin e konsumit dhe përgatitjes së kafesë në Kosovë.
“Ne kemi gjashtë vite që jemi pjesë e festivalit. Është një përvojë shumë e mirë sepse konsumatorët mund të shijojnë kafenë dhe të krahasojnë cilësinë mes brendeve. Kemi edhe italianë që vijnë çdo vit. Çuditen kur shohin që një popullsi kaq e vogël konsumon kaq shumë kafe dhe sidomos për espresson, na lavdërojnë për përgatitjen. Pyesin nëse kemi ndonjë trajnim, por u themi që është dashuria ndaj kafesë që na bën të dallojmë”, thekson barist Florim Foniqi.
Në shumicën e shtandeve pijet ofrohen falas për të gjithë vizitorët.
“Para pandemisë kërkohej më shumë makiato, por tani është vetëm espresso ajo që kërkohet më së shumti. Kush dëshiron të shijojë kafenë, është i mirëpritur deri të premten, gjithçka është falas, qoftë çaj apo kafe”, thekson Foniqi.
Ngjarja nuk u shoqërua vetëm me kafe e çaj, vizitorët patën mundësi të shijonin edhe muzikë e aktivitete kulturore gjatë gjithë kohës.