Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Me 56 balona nxënësit nderojnë dëshmorët e familjes Jashari

Më 5, 6 dhe 7 mars, çdo shkollë e Kosovës kujdeset që nxënësit e saj të mësojnë dhe të ruajnë në mendje informacionet për Epopenë e UÇK-së dhe sakrificën e familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt, gjatë vitit 1998.

Shkolla “Dëshmorët e Koshares”, që çdo ditë të shënuar të vendit organizon aktivitete në bashkëpunim me nxënësit, 27-vjetorin e kësaj ngjarjeje e shënoi në mënyrë të veçantë. Për të përkujtuar sakrificën e Jasharëve, 56 balona u ngritën në qiell për të nderuar 56 viktimat e familjes.
Sipas mësimdhënëses, Pranvera Qerimi, këto aktivitete ndihmojnë nxënësit të kuptojnë më mirë rreth historisë së vendit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Këto aktivitete kanë shërbyer shumë në të mirën e nxënësve, sepse nxënësit përfshihen në aktivitet, shembull ne kemi folur për Besarta Jasharin, por ne e kemi ftuar atë në shkollë dhe ajo ka qenë tek ne e kanë parë nga afër, madje edhe për nënën Ferdonie disa herë kemi përmendë, por ndryshe ka qenë kur e kemi vizituar nga afër dhe kemi dëgjuar rrëfimin e saj”, thekson Qerimi.

Ajo thekson se nxënësit mezi presin këto data për të nderuar të gjithë dëshmorët e vendit tonë, duke njohur kontributin dhe sakrificën e tyre për lirinë që gëzojnë sot.

“Sot jemi duke organizuar një aktivitet duke përfshirë datat historike  5, 6, 7 mars që ka filluar epopeja e Prekazit, familja Jashari ranë heroikisht. Si simbol për sakrificën e tyre kemi vendos që me nxënësit e shkollës të jemi me veshje kombëtare, me nga një balon, me emrin e dëshmorit përpara, do të kuptojmë për historinë që ka ndodhur dhe do i ngritin 56 balonat për 56 dëshmorët e rënë. Qëllimi i aktivitetit është që nxënësit të jenë të mirinformuar për këtë ngjarje dhe jo vetëm të kalojmë si informacion përmes librave”, deklaron Qerimi.

Nxënësi i klasës së 8-të, Drilon Mujota, para shokëve dhe shoqeve të klasës prezantoi historinë e familjes Jashari, duke çmuar secilin dëshmor të luftës së fundit në vend.

“Është shumë e rëndësishme t'i mbajmë këto aktivitete, mësuesja Pranvera është iniciatore e këtyre aktiviteteve që na ndihmon neve me i mbajt në mend më mirë. Sot unë e kam përgatitë një prezantim, kam hulumtuar më shumë në internet, sepse kam ditë se çka është Epopeja, por jo aq gjerësisht, kur i mora shënimet nëpër internet kuptova shumë mësime dhe do t’i mbaj mend gjithmonë. Familja Jashari sakrifikoi dhe ne nuk do ta harrojmë asnjëherë e po ashtu do të jemi mirënjohës gjithmonë”, deklaron Mujota.

Drejtoresha e shkollës “Dëshmorët e Koshares”, Afërdita Beqa thotë se shkolla që udhëheq është me fat që ka mësimdhënës dhe nxënës të tillë, të cilët çdo kontribut të dëshmorëve e përkujtojnë përmes aktiviteteve të tilla.

“Sot në shkollë ne kremtojmë me nderin më të thellë Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe sakrificën heroike të Jasharëve, aktiviteti është shumë i rëndësishëm për ne si institucion arsimor, sepse duam të përcjellim te gjeneratat e reja vlerat e sakrificës dhe nderit, 56 balona do t’i lirojmë si simbolikë e të flijuarve për liri’, thekson Beqa.

Pas orës historike, 56 nxënës u renditën njëri pas tjetrit, duke mbajtur në duar emrat e secilit dëshmor të familjes Jashari. Në fund, ata lëshuan balonat në qiellin e kaltër si shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve të vendit.