Nxënësit e shkollës “Nazim Gafurri” zhvilluan një aktivitet vetëdijesues në kuadër të fushatës kundër trafikimit me njerëz. Nxënësit përmes skeçeve, vallëzimeve, vizatimeve dhe fletëpalosjeve përcollën mesazhe të fuqishme kundër trafikimit me njerëz. Ata treguan kreativitet, përkushtim dhe vetëdije për rëndësinë e mbrojtjes nga ky fenomen.
Mësimi tërësor në Prishtinë tani po u jep hapësirë më shumë nxënësve dhe mësimdhënësve të zhvillojnë aktivitete kreative përmes së cilave përcjellin mesazhe të fuqishme me realizimin e fushatave të ndryshme. E fundit ka qenë fushata kundër trafikimit me njerëz. Të vegjlit, përmes skeçeve, vallëzimeve, vizatimeve dhe fletëpalosjeve treguan kreativitet, përkushtim dhe vetëdije për rëndësinë e mbrojtjes nga ky fenomen. Mësimdhënësja Gëzime Fejzullahu tregon se për çdo fillimvit planifikohet se si do të jetë viti shkollor. Aty u përfshi aktiviteti kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kundër dhunës.
“Zakonisht çdo fillimvit bëjmë plan për aktivitetet e tërë vitit dhe në çdo aktivitet kemi paraparë të bëjmë diçka që i përket dhunës brenda moshatarëve, por edhe jashtë shkollës. Me këtë fushatë për trafikimin dhe dhunën si shkollë kemi menduar që aktivitetin ta shfaqim përmes artit, këngës, baletit. Ka qenë aktivitet i mirëpritur nga fëmijët, kemi marrë mendime edhe nga ta si ta realizojmë bashkë me ta dhe prindërit. Jemi munduar dhe e kemi përgatitur me shumë dëshirë”, theksoi Fejzullahu.
Mësimdhënësja tha se praktika gjithnjë i bën fëmijët të mësojnë më shumë rreth fenomeve që trajtohen duke e bërë më të lehtë përcjelljen e mesazhit.
“Me mesazhe pozitive jemi munduar të arrijmë te qëllimi. U kemi treguar se çfarëdo lloj dhune dhe trafikimi nuk është kënaqësi, por problem. Nxënësit kur vijnë mundohemi që përmes bisedave të ndryshme t’u tregojmë se çfarë do të thotë dhunë dhe kanë qenë të interesuar për të mësuar më shumë”, shtoi Fejzullahu.
Ajo thotë se ky aktivitet nuk është i vetmi, tema të tilla të ndjeshme do të trajtohen me aktivitete interesante dhe me mesazhe të fuqishme.
“Pjesa kryesore është dhënë një ditë, por nuk do të mbarojë me kaq. Do të vazhdojë me shumë fushata me nxënës më të rritur, për të dhënë mesazhe për fëmijët e vegjël dhe do të jetë gjatë tërë vitit. Shkolla e ka një ekip që merret me bullizmin dhe mundohemi t’i aktivizojmë fëmijët që kanë bërë probleme me aktivitete si vizatime, që të vetëdijesohen rreth dhunës që mund të ushtrojnë. Dua të jap një mesazh për fëmijët: thoni jo dhunës, bullizmit, trafikimit, sepse vetëm atëherë jemi të ditur dhe dimë ta mbrojmë veten dhe të tjerët”, theksoi Fejzullahu.
Fëmijët thanë se vazhdimisht këto tema i diskutojnë edhe me prindërit e tyre, por aktivitetet shkollore i bëjnë ta kuptojnë më thellë se çka nuk është e lejuar dhe mund të jetë e dënueshme me ligj.
“Ne kemi bërë përgatitje me vallëzim, e cila titullohet ‘Stop dhunës’. Dhuna është problem serioz që ndikon në jetën e njerëzve. Dhuna nuk njeh moshë, e as vend, ndodh kudo dhe gjithkund. Dhuna është e ndaluar me ligj dhe pa paqe dhe respekt nuk kemi përparim. Babi im është polic dhe më ka treguar çka është e ndaluar dhe e lejuar. Ai, prej që kam qenë i vogël, më ka treguar se dhuna është kundër ligjit dhe është shumë e dëmshme”, tha nxënësi Nart Hajdini.
Ata po ashtu mësuan se fëmijët janë lehtë të trafikueshëm kudo në botë dhe si të mbrohen në raste të tilla kur cenohet siguria e tyre.
“Për mua ka qenë hera e parë kjo fushatë. Kemi mësuar çka është trafikimi i qenieve njerëzore, ku njerëzit e rrezikshëm mundohen të marrin ose shesin dikë. Kam mësuar që trafikimi është i keq dhe është krim, duhet ndaluar atë më shpejt, sepse shumë fëmijë gjatë botës janë në rrezik të madh. Ne kemi mësuar se njerëzit e këqij të pyesin për çështje personale dhe që nuk duhet të ndodhë kështu”, theksoi nxënësja Aria Kastrati.
Për aktivitetin ka folur edhe nxënësja Hira Shabani.
“Neve na kanë thënë se trafikimi është krim i madh që ndodh më shumë te fëmijët ose të rinjtë. Kemi bërë aktivitete dhe program, kemi treguar për trafikimin dhe si ndodh në jetë. Unë kam dëgjuar edhe më herët dhe tani kam mësuar më shumë në shkollë. Edhe prindërit po ashtu më kanë treguar për këtë fenomen të keq. Trafikimi ndodh në internet kur dikush të pyet për çështje personale dhe ne nuk duhet shpërndarë të dhënat tona njerëzve që nuk i njohim”, tha ajo.
Aktivitete të tilla në shkolla kanë një rëndësi të madhe, sepse ndihmojnë fëmijët të njohin më mirë të drejtat e tyre, t’i dallojnë format e dhunës dhe trafikimit, si dhe të mësojnë mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit.