Temperaturat e larta nuk e ndalin aspak 63-vjeçarin Ymer Bajrami nga fshati Orllan i Podujevës, t’i kalojë ditët duke i pastruar hapësirat përreth Liqenit të Batllavës.
Ai rrëfen se gjithçka nisi kur mbeti pa punë dhe duke jetuar afër liqenit filloi të pastrojë në mënyrë vullnetare zonën përreth shtëpisë së tij. E angazhimi i tij nuk kaloi pa u vërejtur nga Komuna e Podujevës.
“Në vitin 2001 kam punuar diçka tjetër por pasi që u mbyll objekti nga AKP-ja ne mbetëm në rrugë. Unë e kam shtëpinë dhe jetoj afër liqenit këtu, duke e parë që në këto hapësira mblidheshin shumë mbeturinat dhe vinin deri te shtëpia ime, kam marrë vetiniciativë që pas një para kam pastruar zonën time rreth shtëpisë dhe 100 metra më larg. Mirëpo tani duke e parë punën time më pati kontaktuar komuna në kohën e Agim Veliut me një kontratë mbi vepër. Pastaj me ardhjen e qeverisjes së re tash jam i punësuar me kontratë njëvjeçare”, ka thënë Bajrami.
Ymeri e bën punën me përkushtim dhe dashuri, por shprehet i zhgënjyer me sjelljen e vizitorëve që vazhdojnë ta ndotin zonën.
Ai tregon se, më herët, në zonë janë vendosur rreth 150 kosha për hedhjen e mbeturinave, por fatkeqësisht shumica prej tyre janë shkatërruar.
“Aspak nuk më vjen vështirë puna këtu. Unë kam shumë vullnet dhe e gjitha kjo që të jetë ky vend i pastër. Unë i kam pengesë shumë të madhe mbeturinat që po i lënë këtu dhe shpeshherë iu them vizitorëve që të mos lënë mbeturina, hanë, pinë dhe vetëm largohen. Masovisht këtu i lënë mbeturinat. Nuk e kanë fare problem që e lënë bërllokun e vet. Këtu i kanë sjellë 150 kosha të mbeturinave, një herë i ka sjellë ambasada e Luxemburgut, asnjë nuk është e pranishme këtu. I kanë djegë disa të tjerat nuk e di se çfarë iu kanë bërë”, ka shtuar ai.
Ymeri thotë që me t’u pensionuar më nuk do të vijë përreth liqenit, pasi nuk po i bën mirë gjendja e krijuar.
“Jam i nervozuar tepër shumë, tash edhe pak dal në pension edhe po mendoj që të mos vij më asnjëherë këtu. Një katund më larg kam ara dhe do të merrem me bujqësi. As edhe me para, le të më paguaj kushdo më nuk vij. Do ta ndërtoj një shtëpi atje dhe nuk vij më këtu. Aq, po më pengon kjo gjendje nuk po më bën mirë as mua”, është shprehur ai.
Sipas tij, Liqeni i Batllavës ka nevojë për më shumë mbikëqyrje.
“Këtu duhet të sillen edhe më shumë njerëz që e mbikëqyrin vendin. Me i fotografu veturat dhe targat dhe me i denoncu ose me i gjobit. Duhet të merren ekspertët të cilët dinë më shumë se unë për këtë dukuri. Këtu edhe pishat i thyejnë, e po ashtu ndezin edhe zjarre me to. Unë i marr me barkë ato që janë djegë edhe i largoj nga këtu. Unë kam punuar edhe në Gërmi më herët por nuk bëjnë kështu atje”, ka thënë ai.
Ai potencon që gjatë vikendeve gjendja rëndohet edhe më shumë.
“Vikendeve këtu është katastrofë gjendja. Po vijnë edhe natën njerëzit këtu, ata e bëjnë gërdinë këtu. Vijnë me shokë natën nuk ka mbikëqyrje dhe nuk e ndalin dorën. Unë vetëm sa e pastrova plazhin numër 6 së bashku me bashkëshorten”, ka deklaruar ai.
Liqeni i Batllavës nuk është vetëm një burim uji, por edhe një nga perlat natyrore të Kosovës.
Mbrojtja e liqenit është përgjegjësi e përbashkët, e institucioneve, qytetarëve dhe secilit që dëshiron një natyrë të pastër dhe ujë të pijshëm për gjeneratat që vijnë.