Arbëri

“Vëllezërit e Vitisë”: Dy mbështetës të terrorizmit dalin para gjyqit në Zvicër

ISIS

Dy shqiptarë, njëri nga Kosova, tjetri nga Maqedonia, po ballafaqohen me akuza të rënda nga drejtësia zvicerane. Ata dyshohen si përkrahës të Shtetit Islamik dhe të terrorizmit me qëllim të marrjes së pushtetit me dhunë në Kosovë. Ata fajësohen po ashtu se kanë magazinuar armë dhe kanë dërguar para në Kosovë për të korruptuar prokurorë kosovarë.

Pas më shumë se tre vitesh paraburgim, të hënën në Gjykatën Penale Federale në Bellinzona të Zvicrës filloi procesi kundër dy të dyshuarve si mbështetës të terrorizmit. Prokuroria i akuzon ata se nga Zvicra kanë mbështetur një grup në Kosovë të quajtur “Vëllezërit e Vitisë”. Ky grup është i afërt me Shtetin Islamik (IS), shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”. Të dy të dyshuarit jetojnë në Zvicrën franceze, por njëri është me origjinë nga Kosova, tjetri nga Maqedonia.

I pandehuri kryesor, një 37-vjeçar u tregua, sipas agjencisë së lajmeve SDA, “jashtëzakonisht fjalaman”. Ai praktikisht e pranoi fajin dhe u arsyetua se dëshiron të jetë i sinqertë. Ai shpjegoi se ndërkohë është distancuar nga islami radikal.

I pandehuri tjetër, një 34-vjeçar, ishte më i rezervuar, por dha gjithashtu disa sqarime. Për afrimin e tij me botëkuptimin e Shtetit Islamik ai tha: “Kisha simpati për këtë grup, sepse bënte gjëra të mira për popullsinë në Siri”. Më vonë edhe ai ishte shkëputur nga organizata, sepse ishte zhgënjyer nga mënyra si praktikohej feja në Maqedoninë e Veriut dhe nga sjellja e “vëllezërve” të organizatës: “Atyre kryesisht u interesonin paratë”.

Ai shtoi se që në natën e parë në burg, në vitin 2022, kishte kuptuar se “jeta e tij nuk kishte qenë në rregull”.

Prokuroria Federale i akuzon këta dy persona se që nga viti 2014 kanë themeluar një celulë islamiste me afërsisht një duzinë anëtarësh. Emri i grupit: “Vëllezërit e Gjenevës” - në analogji me një grup në Kosovë të quajtur “Vëllezërit e Vitisë”. Thuhet se grupi i Gjenevës i ka financuar dhe mbështetur “Vëllezërit e Vitisë” në Kosovë.

Sipas aktakuzës, ky grup ndiqte ideologjinë e organizatës terroriste Shteti Islamik, nënvizon “Tages Anzeiger”. Grupi ka magazinuar armë me synimin e marrjes së pushtetit në Kosovë me mjete të dhunshme. Po ashtu ka mbështetur financiarisht familjet e luftëtarëve të Shtetit Islamik. Përveç kësaj, thuhet se ka tentuar të korruptojë prokurorë kosovarë. Po ashtu, sipas Prokurorisë Federale, ka ftuar imamë radikalë në Zvicër për të përhapur ideologjinë “salafiste-xhihadiste”.

Prokuroria Federale shpjegoi se qëllimi i organizatave “Vëllezërit e Gjenvës” dhe “Vëllezërit e Vitisë” shfaqej veçanërisht në rekrutimin dhe indoktrinimin e anëtarëve dhe në destabilizimin e një rajoni në juglindje të Kosovës, për të vendosur atje sheriatin.

Të pandehurit hodhën poshtë disa akuza. Kështu, i akuzuari kryesor tha, për shembull, se depot e armëve dhe municionit në malet e Kosovës nuk kishin shërbyer për rrëzimin e qeverisë, siç pretendon Prokuroria Federale. Sipas tij, armët synonin të mundësonin një reagim ndaj një sulmi të Serbisë, e cila e pretendon Kosovën si territorin e vet, raporton “Tages Anzeiger”. Të dyshuarit ndodhen në paraburgim qe 3 vite; në rast se vërtetohet fajësia e tyre, ata mund të dënohen me deri në 10 vjet burg.