SOT

Lagjja “Kurtaj” në Barilevë po braktiset, shkak mungesa e ujit të pijshëm

Me t’u zgjuar në mëngjes, Argjend Kurtajn e shoqërojnë bidonët që i mbush me ujë.

Në lagjen “Kurtaj” të fshatit Barilevë ka vite që banorët nuk e kanë rrjetin e ujësjellësit me ujë të pijshëm, si rrjedhojë ata janë të detyruar që ta sigurojnë ujin në mënyra alternative.

Banorët kanë hapur edhe puse për furnizim me ujë për pjesën e higjienës në shtëpitë e tyre.

Problemi nuk është i ri. Vitin e kaluar një fëmijë u helmua nga konsumimi i ujit të puseve të hapura në këtë lagje, duke alarmuar banorët për rrezikun që u kanoset çdo ditë.

Sipas banorëve, ky rast do të duhej të ishte një kambanë alarmi për institucionet.

“Problemi me ujë të pijshëm në lagjen tonë është i kamotshëm. Rreth 100 banorë këtu nuk kemi ujë të pijshëm. Shumica prej banorëve e kanë lëshuar lagjen e disa të tjerë janë duke e menduar largimin nga këtu pikërisht për shkak të mungesës së ujit të pijshëm. Sidomos gjatë verës kur moti është shumë i nxehtë ne duhet ta bartim ujin gjatë gjithë kohës. Pastaj ne duhet ta blejmë ujin si për pastrim, si për pije. Kemi pasur rast që nga konsumimi i ujit të bunarëve që i kemi hapur ne vetë është helmuar një fëmijë vitin e kaluar edhe ka vdekur. Gjendja është e rëndë për jetesë këtu”, thotë Kurtaj.

Përveç kësaj, banorët thonë që kanë shpenzime të mëdha mujore për blerjen e ujit për konsum.

“Shumica prej banorëve këtu punojnë punë sezonale dhe nuk i kanë ndoshta kushtet ekonomike për blerjen e vazhdueshme të ujit, sepse edhe kjo e ka një kosto të kushtueshme. Kosto mujore për mua për blerjen e ujit është diku rreth 100 euro. Ne kemi njerëz të vrarë gjatë luftës pikërisht për mbrojtjen e vendit dhe tash ne ta lëshojmë vendin tonë për shkak të mungesës së ujit që është e drejtë elementare për jetë nuk po mundem as ta paramendoj një gjë të tillë”, shton Kurtaj.

Ata shprehën të indinjuar me neglizhencën e Komunës.

“Komuna na ka thënë që projektin duhet ta bëjë ujësjellësi, ai e ka kryer projektin, e kemi dorëzuar te Komuna dhe kanë ngecur. Nuk e dimë arsyen pse kanë ngecur, nuk është projekt i kushtueshëm diku 77 mijë euro në bazë të informacioneve që na i kanë dhënë. Komuna e Prishtinës besoj që gjatë një muaji këto para i shpenzon në dreka dhe darka, sepse nuk janë shumë e madhe, nuk e di pse nuk po i gjen për ne, nuk e di. Normalisht që jemi të indinjuar me neglizhencën e komunës, nuk është duke na përfillur aspak”, thekson Kurtaj. 

Kryetari i fshatit Isa Rexha, thotë që lagjja ka edhe probleme të tjera, si mungesa e kanalizimit e po ashtu edhe ndriçim gjysmak.

“Banorët e lagjes në fjalë kanë problemin e mungesës me ujë të pijshëm për shumë vjet. Mirëpo problemet e lagjes nuk përfundojnë këtu. Komuna ka filluar me ndriçimin publik e kanë ndaluar punën në gjysmë, shumë banorë më poshtë kanë probleme edhe me kanalizimin që nuk kanë një rrjet dhe detyrohen që të hapin gropa artificiale për të bërë një zgjidhje”, deklaron Rexha.

Në Komunën e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje derisa në buxhetin e vitit 2025 ka para të ndara për fushë futbolli e investime në kanalizim të fshatit. 

Në KRU “Prishtina” kanë thënë që vetëm Komuna është përgjegjëse për zgjerimin e rrjetit.

“Për lagje ose fshatra që nuk kanë rrjet të ujësjellësit përgjegjëse janë komunat. KRU “Prishtina” është përgjegjëse vetëm për mirëmbajtjen e rrjetit aktual dhe furnizimin me ujë. Komuniteti nga lagjja “Kurtaj” duhet të drejtohet në Komunën e Prishtinës për projekte të ujësjellësit”, thuhet në përgjigje.
Barileva ndodhet vetëm pak kilometra nga kryeqyteti dhe vazhdon që të mbetet pa shërbimet bazike për jetesë.