Esat Shala është koleksionuesi i mbi 2000 videokasetave që dokumentojnë luftën e fundit në Kosovë dhe masakrat në vend. Ai ka nisur i vetëm pas asnjë mbështetje institucionale muzeun që pritet të hapet për publikun këtë vit. Kjo shënohet si një ëndërr e realizuar e tij dhe kurorëzim i krejt kësaj punë disavjeçare.
Plani është bërë.
Madje edhe punimet kanë nisur.
Mjetet janë të pakta e kushtet minimale.
Në fshatin Krajkovë të Komunës së Drenasit, Esat Shala, koleksionues i dëshmive të luftës, ka nisur i vetëm ndërtimin e një muzeu dhe arkivi për dokumentimin e krimeve serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka treguar gjithë idenë që ka për këtë projekt i cili pritet të jetë vlerë kombëtare e asnjëherë pronë personale.
“ Muzeu ka filluar në mesin e dhjetorit dhe ka kapacitet prej 120 ulëseve dhe do të jetë një projektor shumë i madh mrena ku shikuesit d.m.th do të ketë njerëz shumë që do të vijnë ta vizitojnë këtë muze e do të shohin videot e luftës që nuk janë parë kurrë. Do të ketë edhe psikolog dhe fotografi e arkiva të ndryshme. Do të marrim edhe rrëfime të personave e dokumentarë”, ka thënë ai.
Kjo ide ka ardhur me ndihmën e një shoku të tij, i cili kohë më parë i kishte thënë se është diçka që vlen të bëhet.
Pas punës shumëvjeçare të Shalës në koleksionimin e mbi 2000 videokasetave në mënyrë vullnetare, ai tashmë po e realizon ëndrrën e tij të fëmijërisë.
“ Te unë ka ardhë një shok i Prishtinës, Arbër Azemi, e me një shok të tij ka qëndru te unë dhe kemi biseduar për materiale të luftës, zakonisht i kam tregu disa pjesë të luftës video që nuk janë parë kurrë deri sot dhe dëshira ime ka qenë aty për aty ka lind një ide dhe nuk e kam ditur që ka qenë një arkitekt i diplomuar dhe ai pas dy javësh ma ka sjellur planin dhe projekti”, ka shtuar ai.
Këtë iniciativë ai e ka nisur i vetëm, pa asnjë mbështetje institucionale.
“ Financimi është i popullit, d.m.th Komuna e Drenasit dhe Skenderajt më ka injoru dhe nuk më ka marrë parasysh në lidhje me këtë projekt, as shteti nuk më ka marrë parasysh, këtë projekt mund ta përfundoj vetëm populli e individët e ndryshëm. Po më ndihmojnë edhe shokët në Amerikë”, ka thënë Shala.
Shala ka bërë të ditur se vendosmëria është e madhe dhe motivi qëndron i njëjtë, të mos harrohet historia e Kosovës.
“ Vullneti është sepse ne para luftës kemi qenë të përndjekur nga shteti serb, Sahit Shala është vrarë, më pas lufta, më pas u zhduk mixha im, më pas edhe motra dhe ushtarët e tjerë. Kjo është ëndrra ime, puna ime nuk do të ndalet, do të vazhdoj edhe në terren të bëj më shumë se në të kaluarën, mijëra njerëz presin që dikush të jua hap derën e të tregojnë rrëfimet”, ka thënë ai.
Koleksionuesi i mijëra dëshmive të luftës, u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në nismën e tij.
“ Obligim nuk besoj që e ka dikush, por ai që ia do të mirën këtij vendi, e ka mundësinë në këtë muze të kontribuoj sepse ky vend ky teatër, është baza që do e godas shtetin serb”, është shprehur Shala.
Kontributin e më shumë se dy dekadave, vëllai i dëshmores Luljeta Shala po e vazhdon me muzeun që pritet të hapet brenda këtij viti.