Në vetëm tre muaj e gjysmë të këtij viti, 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës. Edhe ky vit nuk i gjen më mirë punëtorët e Kosovës, sa i përket sigurisë në punë dhe respektimit të të drejtave të tyre.
Përderisa sipas vendimit të Qeverisë së vitit të kaluar, paga minimale duhet të jetë 350 euro disa punëtorë të sektorit privat vazhdojnë të marrinë pagë ndër 200 euro.
Kështu thotë Jusuf Azemi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës duke theksuar se punëtorët teknikë në Universitetin e Prishtinës paguhen jashtëligjshëm vetëm 192 euro.
“Në disa vende situata është më e mirë se sa vitet e kaluara e kjo shkaku i liberalizimit të vizave, sepse janë hap rrugët dhe punëtorët nuk donë të punojnë për një pagë 300 euro e sidomos punëtorët profesionit. Punëtorët që i kemi publiko-privat këta i kemi shumë keq. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale të jetë 350 euro, punëtorët e gjimnazit në Drenas paguhen me pagë 232 euro neto dhe punëtorët teknik që punojnë në Universitetin e Prishtinës që janë diku rreth 400 teknik këta paguhen jashtëligjshëm 192 euro përkundër asaj që i kemi njoftuar të gjitha institucionet për këto çka po ndodhin”, thekson Azemi.
Siguria në punë është një tjetër shqetësim, sidomos për sektorin e ndërtimtarisë.
“Që nga ardhja e kësaj qeverie është ndryshuar paga minimale dhe po shihet që kjo nuk po respektohet dhe kjo po përkthehet me ikjen e qytetarëve jashtë shteti. Për 3 muaj e gjysmë i kemi humbur 10 punëtorë nga pakujdesia e punëdhënësit e pastaj nga institucionet që e kanë për detyrë të inspektojnë”, deklaron Azemi.
Më 1 maj, punëtorët e sektorit privat do të protestojnë për kushte më dinjitoze pune.
“Kërkesa kryesore do të jetë paga minimale të jetë 600 euro. Do të punohet më shumë mbi ligjin e sigurimeve shëndetësor. Të jemi të barabartë me punëtorët e sektorit publik sidomos te pjesa e stazhit pasi punëtorët e sektorit privat rreth 95 për qind nuk e gëzojnë këtë të drejtë ndërsa ligji e thotë qartë. Kemi probleme që edhe pushimet janë vetëm nga 12 ditë dhe jo ashtu siç e thotë ligji”, thekson Azemi.
Pakënaqësi të mëdha ka edhe nga punëtorët e KEK-ut.
Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka paralajmëruar protestë për 1 maj.
“NE kërkojmë ngritjen e pagave duke e pasur parasysh ngritjen e inflacionit dhe ngritjen e çmimit të rrymës. Paga është e ulët, punëtorët e KEK kanë kushte të rrezikshme në punë dhe kanë paga të vogla. Ne rrezikojmë, punojmë, prodhojmë kurse KEDS po bëhet milionerë. Kërkojmë pagesë për rrezikshmëri, pagesë për punëtorët e fundjavës ashtu siç e ka caktuar Gjykata Kushtetuese. Kërkojmë themelimin e Gjykatës së Punës. Shpeshherë e kemi dëgjuar nga Qeveria që nuk ka nevojë të krijohet Gjykata e Punës është e pavërtetë. Ne kemi mijëra lëndë të punëtorëve të KEK pikërisht për mos respektim të të drejtave të punës, dhe pse të mos ketë një Gjykatë e Punës dhe do respektohej më mirë ligji i punës”, deklaron Llumnica.
Qytetarët gjithashtu shprehin pakënaqësi për trajtimin e punëtorëve në Kosovë.
Sipas Sali Salihut, punëtori në Kosovë trajtohet si skllav.
“Punëtori hala te ne e ka rolin e skllavit. Qashtu sillet qoftë privat, qoftë shteti. Në të njëjtën mënyrë. Prej para erës tonë kur skllavo-pronari ka pas të drejtë të bëj çka të dojë. Vetëm brenda këtij viti janë mbytë shumë punëtorë në ndërtimtari. Punëtori nuk ka siguri. Edhe punëtori duhet të ketë të drejtë. Pavarësisht a është në privat edhe në të shtetit kontribuojnë për shtet. Nuk është duke punuar qeveria, ministria. Kjo është turpi i botës se çfarë po bëhet këtu”, deklaron Salihu.
Ai mendon se në ditët e sotme, jeta e kafshëve vlerësohet më shumë se jeta e njerëzve.
“Për shtetin gjithçka për punëtorin asgjë. Shtresa e punëtorëve më gjendje të rëndë që janë te ne nuk besoj që është edhe në ndonjë vend tjetër. Vetëm në disa vende ku ende janë duke u matur nëse të qëndrojë ende në drunj apo të zbresin. Sot më shumë ka vlerë një qen se fëmija. Qeni i merr 50 euro në muaj e fëmija 20 euro”, shton Salihu.
Një tjetër qytetar thekson se siguria në punë duhet të jetë prioritet.
“Po shihet se sa punëtorin e kemi të vdekur për 3 muaj. Të drejtat nuk zbatohen. Siguria është parësore pastaj vijnë të tjerat, pra të tjerat janë më pak të vlefshme. Është tepër shumë. Kontrata është e rëndësishme. Ne jemi realitet tjetër, nuk duhet të punohet asnjë ditë pa kontratë”, deklaron ai.
Vedat Bahtiri, një qytetar tjetër, shton se punëtorët në sektorin privat ngarkohen me shumë punë, ndërsa pagat janë të ulëta.
“Sipas mendimit tim duhet të ketë kushtetutë siç duhet jo kriminale pra për të garantuar të drejtën e sigurisë së punëtorit, pagës e jo një punëtorë të punojë një punë dhe të kryej 10 të tjera. Paga 300 euro, është e vogël si të mbijetojë punëtori. Kjo është absurde, vetëm me mbytë popullin. Unë jam invalid i luftës tre plumba i kam në trup ka me ja mbajtur. Janë çmend vetëm pas pozitave, etjeve për pare, për krim”, thekson Bahtiri.
Ndërkohë, një tjetër qytetar shpreh shqetësimin se nuk ka përgjegjësi për humbjen e jetëve të punëtorëve.
“Po i shoh çdo javë, çdo muaj që po vdesin punëtorët. A e dinë sa e marrinë përgjegjësinë ata? Vetëm dy ditë. E pse i kanë lënë fëmijët e vegjël, kurrfarë përgjegjësie s’ka. Më përgjegjësi ka një qenë që shtetit në shesh se punëtori. Policia të marrin për atë qen a për njeriun s’ka asnjë përgjegjësi”, deklaron ai.
Ali Rexha, një qytetar tjetër, thekson se të drejtat e punëtorëve po përkeqësohen çdo ditë.
“Përkundrazi po vjen duke u përkeqësuar, çmimet sa po shkojnë po vijnë duke u rritur. Gjithmonë ja kam dhënë krahun punëtorit. Për mjerim është punëtori. Nëse e përmendim një pastruese e cila i nënshtrohet materieve kimike e nuk ka siguri aspak”, thekson Rexha.
Më 1 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, janë paralajmëruar protesta në sheshet e Prishtinës për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtave të punëtorëve.