SOT

Gzimi nga Ferizaj që u bë shpëtimi i qenushës Liza dhe këlyshit të saj

Në vazhdim do të njihemi me një personazh shumë interesant, i cili në mënyrë vullnetare mori përsipër kujdesin dhe shërimin e një qenusheje, nga e cila lindën 4 këlyshë por dy prej tyre nuk i mbijetuan sëmundjes, e tjetri iu aksidentua, e tani Gzim Kadriu vazhdon të kujdeset për qenushën Liza dhe të voglën e saj që tani janë në gjendje të mirë falë kontributit të tij vullnetmirë.

Këta qenushë iu bënë rastësisht pjesë e jetës së tij.

E krejt kjo filloi disa muaj më parë kur qenusha tani e quajtur Liza i solli në jetë 4 këlyshë të vegjël në garazhin e Gzim Kadriut nga Ferizaj.

Gzimi posa i pa, nuk mendoi dy herë dhe mori përsipër kujdesin ndaj tyre, e më e rëndësishmja financoi edhe shërimin e qenushës, e cila sapo kishte lindur të vegjlit,  vuante nga sëmundje të ndryshme.

“Unë jam Gzim Kadriu nga Ferizaj, me origjinë jam nga Presheva, jetoj që 25 vjet këtu, me profesion jam autongjyrosës. Si çdo të diel ditë vikendi kam ardhë këtu në garazh, kur hy këtu e shoh një qenushe që kishte lindë por ishte në gjendje të rëndë, e marr në telefon veterinarin dhe i tregoj për gjendjen e saj, ndërkohë i dërgoj foto të qenushës dhe veterinari më tha se qenusha është në gjendje shumë të rëndë e duhet vazhduar me terapi, e për terapi unë mora përsipër gjitha shpenzimet për t’i dalë zot qenushës bashkë me veterinarin”, ka thënë Kadriu.

Gzimi tregon se fillimet kishin qenë të vështira, gjendja jo e mirë shëndetësore e Lizës e bënte të brengosej më shumë dhe frika se nuk do t’ia dilte të arrinte shërimin e plotë të saj. Ai u përkujdes që këta qenushë të kishin ushqyerjen e mirë dhe terapia të merrej me kohë, derisa e rimorën veten dhe tani gëzojnë shëndet të mirë.

“Më pas e improvizoj një shtëpizë të vogël si një vend më i sigurt, filloj t’i ushqej por nuk ishin në gjendje të mirë, me qumësht të freskët qenushët afrohen dhe fillojnë të ushqehen e në të njëjtën kohë merrnin terapinë, kështu nisën hapat e jetës dhe vendosa ta quaj Liza qenushën”, ka shtuar ai.

Nga 4 qenushë sa lindën, dy prej tyre nuk arritën të mbijetonin.

E më vonë ndodhi edhe një aksident tjetër që ishte fatal për këlyshin e tretë. Tani në përkujdesje i kanë mbetur vetëm Liza me një këlysh.

“Qenusha pati 4 këlyshë, por dy nuk i mbijetuan shkaku i sëmundjes që e pati zgjebën, kishte parazit e të tjera sëmundje. Një ditë dal para objektit kalon një zonjë dhe më tha dua të të pyes diçka, më pyeti për qenushën se a është këtu, i thashë që ka lindë te unë, u afrua me pa nga afër dhe më tha po ta jap një shtëpizë më të mirë se unë e kam pritë të lindë te unë por paska ardhë te ti. Isha një ditë në takim me policin Kanun Veseli dhe ai më tha se kjo ngjarje nuk bën pa u pa nga të tjerët”, është shprehur ai.

Muaj më vonë, nga një gjendje e rëndë shëndetësore, Liza e mirëkujdesur nga Gzimi tani ka marrë krejtësisht pamje tjetër, më e fortë e më shëndetshme po rritet në garazhin e tij.

“Kjo është gjendja aktuale e qenushës e cila e kishte gjendjen shumë të rëndë dhe unë nuk munda të qëndroj indiferent ndaj kësaj, tani qenushën e shoh të lumtur dhe jam i lumtur që kam arritë ta bëj këtë të mirë, si mesazh për të tjerët e kam që të mos kthejnë asnjë kafshë prapa sepse edhe këto kanë nevojë për dikë”, ka thënë Kadriu.

Gzimit dhe familjes së tij qenushët tanimë i janë bërë si anëtarë të tjerë të familjes, secili prej tyre iu ofron dashuri këtyre kafshëve dhe koha që e kalojnë së bashku thonë se është më e mira që kanë pasur deri më tani.