Në tërësinë e saj, shfaqja e baletit “Zëri i saj – Nexhmije Pagarusha” artikulon me qartësi një estetikë konceptuale, ku jeta e artistes nuk shfaqet si një vijë e drejtë e suksesit të pandërprerë, por si një trajektore e përbërë nga tensione të brendshme, ndërprerje dhe rikthime të vazhdueshme. rrëfimi ndërtohet mbi momentet më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së saj, jo vetëm përmes zërit dhe këngëve të saj, por edhe përmes elementeve e përjetimeve që karakterizuan etapa të ndryshme të jetës së saj artistike dhe personale
Baleti “Zëri i saj – Nexhmije Pagarusha” shfaqur premierë më 6 dhe 7 maj 2026, në prag dhe në vetë ditën e lindjes së ikonës, për mua artikulohet si një akt memorial për “Bilbilin e Kosovës”. Ky projekt ndërinstitucional bashkoi Operën e Kosovës, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe drejtimin e baletit nga Shkolla e Mesme e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, si dhe disa solistë nga Opera dhe Baleti i Tiranës, në një shfaqje me koreografi dhe koncept artistik nga koreografi Driton Saqipi (aktualisht u.d. drejtor i shkollës së muzikës në Prishtinë).
Sipas konceptit të shfaqjes, rrëfimi ndërtohet mbi momentet më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së saj, jo vetëm përmes zërit dhe këngëve të saj, por edhe përmes elementeve e përjetimeve që karakterizuan etapa të ndryshme të jetës së saj artistike dhe personale. Ajo jetoi dhe veproi në kohën e saj me famën dhe suksesin që e shndërruan në ikonë, ndërsa sot, përveçse e ka vendin e merituar në historinë e muzikës shqiptare, vazhdon të shërbejë si burim frymëzimi për forma të ndryshme të krijimtarisë artistike: për riinterpretime dhe riaranzhime të këngëve të saj, për shfaqje teatrore, libra, dokumentarë, e madje edhe për performanca baleti, siç ishte vetë kjo shfaqje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNexhmije Pagarusha përfaqëson figurë unike, pozicioni i së cilës në historinë e muzikës shqiptare mbetet i papërsëritshëm. Jeta dhe karriera e saj bartin në vete dualitetin që ndërthur: një përvojë individualisht të jashtëzakonshme, por njëkohësisht paradigmatike për fatin e artistit, ku ndërthuren dy pole të kundërta të dimensionit shpirtëror dhe artistik: entuziazmi kolektiv dhe izolimi i heshtur. Ajo depërtoi në botën e artit në një kohë kur afirmimi i figurës së gruas në mjedisin kulturor shqiptar nuk ishte i lehtë; zëri dhe interpretimi i saj ishin të veçantë, prandaj publiku e priste me admirim dhe e duartrokiste sa herë që ngjitej në skenë. Mirëpo, pas kulmeve të suksesit, erdhi përballja me vetminë: momenti kur ritmet e krijimtarisë dhe performancave u zbehën, gjeneratat ndryshuan dhe prania e dikurshme u largua gradualisht nga qendra e vëmendjes publike. Pikërisht kjo dialektikë e brendshme e karakterizon historinë jetësore të saj, e cila vijon të jetojë përtej ekzistencës fizike. Në diskursin filozofik të artit, kjo përkufizohet si “jetë përtej jetës”: një ekzistencë e vazhdueshme nëpërmjet formës artistike, e cila rikontekstualizohet pareshtur në të tashmen dhe në të ardhmen. Sipas koncepteve të Carl Dahlhaus, ajo nuk duhet kuptuar thjesht si një kronologji veprash dhe ngjarjesh, por si një proces i vazhdueshëm riinterpretimi, në të cilin e kaluara riformësohet vazhdimisht nga perspektiva e së tashmes. Në këtë dimension, figura e Nexhmije Pagarushës nuk mbetet e ngurtësuar në një kohë të kaluar, por rikthehet vazhdimisht si një prani dinamike, e aftë të prodhojë kuptime dhe vepra të reja në çdo epokë.

Nëse largohemi nga dimensioni monumental dhe memorial i Nexhmije Pagarushës, dhe kthehemi te vetë shfaqja si objekt analize, atëherë vëmendja zhvendoset nga figura, drejt gjuhës konkrete artistike të ndërtuar skenikisht. Një nga elementet e fuqishme të baletit është prania konstante e vetë zërit të këngëtares dhe këngëve të saj. Këngët në sfond funksionojë si një narrator që udhëheq zhvillimin skenik, duke shënuar rrjedhën e jetës, fillet e karrierës, dashurinë me kompozitorin Rexho Mulliqi, ngritjen artistike, famën, përballjen me paragjykimet dhe thashethemet, kulmet e suksesit e deri te rruga e heshtur drejt pleqërisë dhe vetmisë. Në këtë aspekt, koreografi Driton Saqipi duket se ka përzgjedhur me delikatesë pikat muzikore që në mënyrë kronologjike e emocionale e përcjellin këtë zhvillim. Kështu repertori i zgjedhur është i mbushur me mjaftë simbolikë, të menduar mirë. Përfshirja e këngës “Mbi re” të Severin Kajtazit, në fillim të shfaqjes, nuk është aspak rastësore; përkundrazi, ajo funksionon si një paradigmë poetike për figurën e Nexhmije Pagarushës, një yll që edhe sot shkëlqen mbi re. Fakti që baleti hapet pikërisht me këtë këngë, të interpretuar nga vetë Pagarusha në edicionin e parë të festivalit “Akordet e Kosovës” në vitin 1963, ku ajo fitoi çmimin e parë, krijon po ashtu një lidhje domethënëse në kuptimin e përgjithshëm të shfaqjes, si metaforë e ngritjes së saj artistike dhe e pozitës që ajo zuri në kujtesën kolektive shqiptare. Një tjetër moment me ngarkesë emocionale dhe të dashurisë është përdorimi i këngës “Me lule të bukura” të kompozitorit Tish Daija, përmes së cilës artistikisht përshkruhet takimi i saj i parë me kompozitorin Rexho Mulliqi. Ky takim nuk paraqitet përmes një narrative eksplicite, por ndërtohet në heshtje, përmes gjuhës së trupit dhe atmosferës teatrale, duke e bërë skenën më intime, sepse pikërisht në një ambient teatri ishte takimi i tyre i parë. Pjesa “Zëra në hije”, e kompozuar nga kompozitori Fatbardh Dubovci, me asistent kompozitoren Risa Ramadani (një pianiste e re, nxënëse e klasës së dhjetë në shkollën e muzikës në Prishtinë), sjell në plan artistik sfidat, paragjykimet dhe presionet që e kanë shoqëruar figurën e artistes ndër vite. Kompozitori Dubovci këtu ka ndërtuar një atmosferë tensioni psikologjik përmes pëshpëritjeve të balerinave në skenë, ku teksti i shqiptuar është version i përkthyer në shqip i një strofe nga teksti liturgjik latin “Dies Irae|. Paralelisht me këtë, materiali muzikor dominohet nga insistimi i vazhdueshëm mbi një qendër të vetme tingullore (nota La) e cila krijon një ndjesi gravitacioni akustik. Kjo qasje nuk paraqet fenomen të ri në historinë e krijimtarisë muzikore; një paralele interesante mund të tërhiqet me veprën “Musica Ricercata No. 1” të kompozitorit György Ligeti, vepër e ndërtuar pothuajse tërësisht mbi insistimin obsesiv të një tingulli dominant dhe transformimeve graduale ritmike e dinamike që burojnë prej tij. Pas kësaj pjese, tri momente domethënëse e karakterizojnë vijimësinë e baletit: interludi me valle popullore, i interpretuar nga valltarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”, që sjell në vëmendje dimensionin e Nexhmije Pagarushës si pjesë aktive dhe bashkëpunëtore e vazhdueshme e këtij ansambli; kulminacioni emocional dhe artistik me interpretimin e “Bareshës” së Rexho Mulliqit, pjesë ku shfaqja fiton masë, volum dhe intensitet skenik; dhe kontrasti i fortë me monumentalitetin e “Bareshës” që vjen nga poezia e poetes Naime Beqiraj, interpretuar nga aktorja Edona Reshitaj – segment që sjell kthesë drejt intimes dhe reflektives, ku figura e saj zhvishet nga monumentaliteti publik dhe afrohet me dimensionin e saj personal.
Interludi me valle popullore nuk mund të shihet vetëm si element dekorativ folklorik brenda shfaqjes, por si segment që rikthen në vëmendje një dimension të rëndësishëm të figurës së Nexhmije Pagarushës: lidhjen e saj të hershme dhe të vazhdueshme me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe me turnetë e shumta koncertale që ansambli realizoi në vende të ndryshme të Evropës. Kulminacioni emocional i gjithë baletit arrihet me interpretimin e “Bareshës” së Rexho Mulliqit, pikërisht sepse kjo vepër përfaqëson në çdo dimension simbolin më emblematik dhe më domethënës të zenitit artistik të këngëtares. Në këtë pikë, koreografia, muzika dhe dinamika kolektive bashkohen në një moment kulmor me intensitet emocional dhe vizual. Krejt në një plan tjetër estetik dhe dramaturgjik vjen pjesa e poezisë. Teksti është i ndërtuar nga një dimension i dyfishtë: nga njëra anë është poezia për bilbilin e Kosovës si një “zanë” e skenës shqiptare, e nga ana tjetër, në pjesën e dytë poezia zhvendoset në vetën e parë duke folur për dashurinë, rininë dhe plakjen. Kjo poezi përcillet nën tingujt e violonçelit, përmes një fragmenti të shkëputur nga vepra “Elegjia për violonçel solo” e kompozitorit Fatbardh Dubovci.
Pothuajse në tërësi, pjesa e materialit muzikor gjatë baletit vjen nga repertori që në vitet ’70 dhe ’80 ishte pjesë e skenës muzikore sidomos në kuadër të festivalit “Akordet e Kosovës”. Veçanërisht spikatin këngët “Zëri i tij më thërret” kompozuar nga Gjergj Kaçinari, “Baresha” nga Rexho Mulliqi dhe sidomos kënga “Vet ke mbet” po ashtu kompozim i kompozitorit Gjergj Kaçinari. Në aspektin dramaturgjik, përzgjedhja e këngës “Vet ke mbet” si pjesë përmbyllëse e baletit rezulton jashtëzakonisht domethënëse. Struktura melodike, teksuale dhe emocionale e kësaj kënge, e ndërtuar mbi ndjesinë e mungesës, vetmisë dhe zbrazëtisë, përputhet fuqishëm me fazën e fundit të jetës së artistes. “Vet ke mbet”, në këtë kontekst, nuk mbetet vetëm këngë; ajo shndërrohet në simbol dhe sinonim të vetë fatit të saj. Nëse mund të tërhiqet një paralele simbolike me veprën “Requiem” të Wolfgang Amadeus Mozart, të cilën kompozitori ia kushtoi vetes së tij, ngjashëm, edhe kënga “Vet ke mbet” në repertorin e Nexhmijes fiton dimensionin e një “lamtumire” sidomos e lidhur me fatin e saj personal.
Kur fokusin e analizës e zhvendosim te lëvizja skenike e këtij baleti, ajo që vërehet më së shumti është dominimi dhe besnikëria e koreografit Saqipi ndaj një fryme neoklasike. Edhe në ato segmente ku paraqiten elemente të lëvizjeve kontemporane, struktura bazë e ndërtimit koreografik mbetet e mbështetur mbi qartësinë formale dhe simetrinë e estetikës neoklasike. Një element i rëndësishëm që duket është përdorimi i përsëritjeve të motiveve koreografike, të cilat krijojnë një ndjesi ciklike duke i dhënë baletit në disa momente edhe frymë minimaliste.
Brenda strukturës performative të baletit, rol të rëndësishëm luajtën solistët e ftuar dhe trupat e ndryshme interpretuese, të cilët i dhanë shfaqjes një karakter të hapur bashkëpunues. Nga Opera dhe Baleti i Tiranës u paraqitën solistët Adela Muçollari dhe Anxhelo Muçollari, të cilët sollën një nivel të lartë profesionalizmi interpretativ, që së bashku me balerinët e tjerë profesionistë si Ersa Sopa, Justin Deda dhe Esmerald Gashi, i dhanë ngjyrë të veçantë kësaj shfaqjeje. Element që duhet theksuar përbën pjesëmarrja e nxënësve të drejtimit të baletit të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Duke marrë parasysh faktin se ky drejtim ka një histori relativisht të re institucionale në Kosovë, (i themeluar në vitin 2001 në nivelin e mesëm dhe më pas i zgjeruar në vitin 2016 në nivelin e shkollës së ulët), pjesëmarrja e nxënësve në një produksion të tillë, merr dimension të theksuar simbolik, sepse shfaqja vije pikërisht në dhjetëvjetorin e themelimit të shkollës së ulët të baletit pranë Shkollës së Muzikës, duke u lexuar si një dëshmi e qartë e fryteve të një dekade pune të vazhdueshme në formimin e gjeneratave të reja balerinësh.
Në përmbyllje të kësaj analize, mund të thuhet se në tërësinë e saj, kjo shfaqje artikulon me qartësi një estetikë konceptuale, ku jeta e artistes nuk shfaqet si një vijë e drejtë e suksesit të pandërprerë, por si një trajektore e përbërë nga tensione të brendshme, ndërprerje dhe rikthime të vazhdueshme. Prandaj, figura e Nexhmije Pagarushës, rikthehet në vëmendje përmes veprave të tilla, që e bëjnë atë njëkohësisht, ikonë dhe individ. Pra, baleti “Zëri i saj” e solli ikonën Nexhmije Pagarusha, në një dimension tjetër, duke dëshmuar se figura e saj mbetet një prani e hapur dhe vazhdimisht produktive, si subjekt që vazhdon të gjenerojë përherë frymëzim në zhanre dhe forma të ndryshme të shprehjes artistike.
Dr.sc. Kristina Palokaj-Perkola është muzikologe