Miodrag Popoviq (1920 - 2005) ka qenë historian i letërsisë serbe dhe autor i shumë studimeve. Librin “Vidovdani dhe Kryqi i Ndershëm: një përmbledhje e arkeologjisë letrare” (Видовдан и часни крст: оглед из књижевне археологије) ai e publikoi në vitin 1976 në Beograd. Siç shihet edhe nga titulli, libri ka për temë lindjen, zhvillimin dhe pasojat e “Mitit të Kosovës”. Duke e pasur parasysh se ky mit bashkë me komponentat e tjera përcjellëse, në fakt u shndërrua në “tapi serbe të Kosovës” dhe një tapi e tillë u perceptua ashtu edhe nga një pjesë e opinionit ndërkombëtar, pas leximit të librit mund të thuhet me të drejtë se autori Miodrag Popoviq ia ka dalë me sukses që ta shpërfytyrojë “tapinë serbe mbi Kosovën”. Në vijim po sjellim fragmente nga libri. Titulli dhe nëntitujt janë të Skënder Latifit
Shtresat e pahulumtura të mitologjisë
Edhe pse shkroi se “çdo komb ka mitologjinë e vet”, Vuku ( Karadžić – S. L.), për fat të keq, nuk i studioi në detaje shtresat mitologjike të këngëve tona popullore. Vetëm dyzet vjet pas tij, Ilarion Ruvarac, nxënës i mitologjisë gjermane, do të merret me këtë çështje në studimin “Kontribute për hulumtimin e këngëve heroike serbe”. Me këtë rast Ruvaraci dalloi dy shtresa në këngët heroike serbe: historike dhe mitike. Sipas tij, paraardhësit e serbëve të sotëm kishin këngën e tyre mitike – heroike, gjurmët e së cilave u ruajtën deri në kohën e Vukut. (“Në këngët tona heroike mendojmë se aty këtu mund të dëgjohen tinguj të paramelodisë”)
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDuke iu përmbajtur “faktumit historik” të Ruvaracit qysh në fillim, dua të përmend se në kuptimin e mirëfilltë të fjalëve në numrin më të madh të këngëve heroike nuk vijnë në shprehje “faktet historike”, por redaktimet e tyre të mëvonshme. Duke i kënduar motivet historike, duke i kompozuar këngët heroike ato rrallëherë fillojnë nga vetë ngjarjet historike, por më shpesh nga interpretimi në qarqet feudale, domethënë kishtare, në të cilat ngjarjet historike më parë kanë marrë përpunimin ideologjik. Vetëm të stilizuara ideologjikisht, domethënë të ndryshuara, ato hynë në kronika, gjenealogji dhe jetëshkrime, por edhe në rrëfimet popullore.
Duke u mbështetur në shënimet e theksuara të një orientimi ideologjik feudal, rrëfimet e tilla “historike” sipas të gjitha gjasave janë përhapur edhe jashtë mjediseve feudale. Është e qartë se personalitetet dhe ngjarjet në këtë mënyrë, para se të mbërrinin nëpërmjet transmetimit gojor deri te këngëtari popullor, ato domosdo e kanë humbur karakterin e tyre të vërtetë historik. Sigurisht, se ato janë ruajtur, por e vërteta rreth ngjarjeve historike është ndryshuar tashmë në dokumentet e shkruara në radhë duke iu përshtatur nevojave të klasës sunduese.
Burimet e shkruara dhe legjenda
Nuk përjashtohet që lufta midis feudalëve serbë dhe turq, përmes interpretimeve të ndryshme të ngjarjeve, në veprat rreth Betejës së Kosovës është transferuar në planin shpirtëror dhe etik. Edhe pse ishin të ndarë në planin fetar dhe të traditave të ndryshme, fisnikët e mposhtur serbë dhe elita feudale turke pas Betejës së Kosovës ruajtën lidhje të ngushta reciproke. Është karakteristikë e rrethanave të asaj kohe që motra e Stefan Lazareviqit ishte gruaja e sulltanit turk, Bajazitit. Në Betejën e Angorës, kalorësit serbë dhe turq ishin ushtarë të së njëjtës ushtri, duke luftuar në të njëjtën anë. Gjithashtu ata ishin unikë edhe në rrafshin klasor dhe politik, prandaj edhe i ruajtën komunikimet e ndërsjella kulturore.
Ndryshe nga kronikat turke dhe burimet problematike ruse dhe bullgare, dokumentet e hershme serbe (deri në vitin 1433) nuk e përmendin vrasësin e sulltanit, prandaj historiografia serbe, deri më sot, nuk e ka identifikuar Millosh Obiliqin midis feudalëve serbë të gjysmës së dytë të shekullit XIV. Është simptomatike që edhe legjenda popullore për Kosovën, e cila zakonisht i lidh heronjtë me vende specifike, nuk e lidh Milloshin me asnjë vend, gjegjësisht e lidh atë me shumë vende por këtë e bën shumë vonë.
Emrat e figurave historike, si në kronika ashtu edhe në traditën popullore, zakonisht mbahen mend me saktësi. Por ky nuk është rasti me emrin e kalorësit që vrau sulltan Muratin. Në përmendjet e para, gjejmë vetëm atributet e tij: njëfarë kaurri (Ahmedi, para vitit 1410), dikushi që ishte shumë fisnik (Konstantin Filozofi, 1433-1439), një i pafe i mallkuar (Uruçi-bin Adil-i, rreth vitit 1450), një i pafe (Shukrullah, 1457), një i ri, trim dhe dinak (Duka, rreth vitit 1480).
Edhe burimet e mëvonshme, deri në fund të shekullit XVIII, nuk e përmendin emrin e Millosh Obiliqit. Tek Ashik-Pasha-Zadeh (shekulli XV), vrasësi i Muratit quhet Bilish Kobila; Halkokondyles (fundi i shekullit XV) e quan Miloin, dhe Konstantin Mihailoviq (1497) e quan Milosh Kobila. Në versionin italian të Kronikës së Dukës (fundi i shekullit XV) dhe tek Orbini (1601) ai do të jetë Milosh Kobiliq; te Crijeviq (fillimi i shekullit XVI) ai do të jetë Milon; në udhëpërshkrimin Kuripeshiqit (1531), në historinë e Perandorisë Osmane të Neshrit (fillimi i shekullit XVI) në kronikat dhe këngët epike të Kosovës, ai do të jetë Millosh Kobiloviq; në veprën e Petançiqit “Historia Turcica” (1051) do të quhet Milo Kable; të Stevan Gerlach më 1578, Milosh Koboli; në “Beteja e Kosovës” të fundit të shekullit XVII, Millosh Koviliq, në “Kronikën e Podgoricës” (1738) Millosh Omileviq, ndërsa në “Historinë e Malit të Zi” të Vasilije Petroviqit (1754) Millosh Obiljeviq. Sipas Ilarion Ruvarac, në tekstet e shtypura vrasësi i Muratit do të quhet Milosh Obiliq vetëm në historinë e Juliniçit të vitit 1765. Në “Historinë e popujve të ndryshëm sllavë” të Rajiqit i gjejmë emrat Milosh Kobiliq dhe Milosh Obiliq.
Pra vërehet qartë se kur gjërat janë kështu – dokumentet e para serbe nuk e përmendin fare ekzistencën e vrasësit të Muratit, po ashtu edhe vendi i lindjes së heroit është i panjohur dhe për shekuj me radhë ka pasur konfuzion rreth emrit të tij, prandaj mbetet e hapur çështja nëse Milosh Obiliqi ka ekzistuar fare apo kjo figurë ishte shpikur nga tradita popullore turke, për të cilën i pafeu i mallkuar, si një vrasës i munduar, ishte i nevojshëm për të shpëtuar nderin dhe dinjitetin kalorësiak të perandorit turk.
Edhe pse për temën tonë, nuk është vendimtare nëse ka ekzistuar apo jo Millosh Obiliqi historik, apo nëse për motive ideologjike atë e ka shpikur tradita gojore turke, kur flasim për “Legjendën e Kosovës” te serbët, nuk mund ta anashkalojmë faktin se të gjitha kronikat serbe dhe burime të tjera të shkruara para shekullit XVIII (përveçse Konstantin Filozofit) nuk e përmendën rastin e heroizmit e kalorësit serb. A është e mundur që për Millosh Obiliqin të ketë ekzistuar tradita gojore serbe dhe të ketë ndodhur që jashtë zakonit ajo nuk e ka lënë asnjë gjurmë në letërsinë serbe?

Ndërthurje e një legjende gojore me një burim të shkruar
Emri i Milloshit nuk është përmendur në burimet e vonshme serbe. Kronikat serbe deri në shekullin XVIII ose të jemi edhe më të kujdesshëm, deri në dekadën e fundit të shekullit XVII nuk e përmendin Millosh Obiliqin dhe as që flasin për vrasësin e sulltan Muratit. Vetëm në kronikën e Verkoviqit - Ostojiqit në shekullin XVIII, Miloshi përmendet si dhëndri i Lazarit.
Autorët e krishterë padyshim se janë njohës të mirë të traditës gojore turko-kosovare, të cilën e gjetëm tek Ahmeti, Uruçi, Shukrullahu dhe Ashik Pashë Zade. Kjo më së miri shihet në kronikat e historianit grek Chalkokondyles. Duke folur për Betejën e Kosovës, Chalkokondyles e vë në spikamë rrëfimin turk dhe të krishterë. “... Siç rrëfejnë turqit”, shkruan ai, “Murati i detyroi njerëzit e Lazarit në arrati dhe i dëboi ata me të gjithë fuqinë. Dhe gjatë kohës së këtij sulmi hasi në një serb dhe e sulmoi atë. Mirëpo, ky iu sul sulltanit dhe ia shpoi gjoksin”.
Sipas Chalcokondylesu, tradita greke, domethënë e krishterë, thotë se duke dhënë shpirt sulltan Murati e vrau kalorësin serb dhe me këtë ai “e bëri veprën më të mrekullueshme të njohur për ne”. Kronisti grek jo vetëm që bën interpretimin e traditës gojore turke, por në njëfarë mënyre i kundërvihet asaj.
Edhe midis serbëve, ashtu si në kronikën greke, është dashur që të ritregohej dhe përhapej legjenda turke e Kosovës. Në fillim, gjatë kohës së marrëdhënieve të mira me turqit, serbët e anashkaluan në heshtje legjendën turke të vrasësit të Muratit. Murati ishte babai i sulltanit me të cilin despoti serb kishte lidhje të afërta. Është mjaft e sigurt se kalorësit serbë, si luftëtarë turq, nuk mund ta lavdëronin me këngë vrasësin e perandorit turk për sa kohë që sundimtari serb ishte në marrëdhënie të mira me oborrin turk.
Në mjediset arkaike, veçanërisht në ato që nuk dinë shkrim, është e zakonshme që ngjarjet historike së pari të këndohen, të radhiten në vargje dhe vetëm më vonë të merren nga kronikanët dhe drejtpërdrejt të shndërrohen në këngë popullore heroike dhe përfundimisht të ruhen nga harresa.
Edhe nëse do të besonim në mundësinë që këngët për vrasjen e Muratit nga Milloshi të jenë kënduar midis ushtarëve të despotit Stefan Lazareviq, historiani zyrtar Konstantin Filozofi nuk mund ta merrte në asnjë rast përshkrimin prej tyre të së bëmës së Milloshit.
Marrëdhënia midis traditës gojore dhe burimeve të shkruara është përgjithësisht shumë komplekse. Ajo që sot duket si ndërthurje e një legjende gojore në një burim të shkruar, në shekujt e kaluar mund të ketë qenë si njëra nga mënyrat e të menduarit dhe të shprehurit të njerëzve të arsimuar të kohës.
Pasazhet që më vonë do të bëheshin formula epike në shekullin XV, mund të kenë lindur spontanisht te talentet letrare të kohës, duke mos i përjashtuar edhe ato raste kur kronikanët flasin për të njëjtat ngjarje që këndohen në këngët popullore. Kuptimi dhe interpretimet e këtyre këngëve sikurse edhe i ngjarjeve historike, nuk ndryshuan shumë as në kuptimin e brendshëm dhe as në shprehje nga këngët heroike të krijuara në qarqet ushtarake dhe feudale dhe ky kuptim ishte gjithnjë në përputhje me nevojat ideologjike dhe politike.
Kur bëhet fjalë për shkrimet e vjetra të ruajtura rreth Betejës së Kosovës, është e vështirë të dallosh se çfarë është marrë nga poemat e mundshme heroike dhe në anën tjetër cili është teksti origjinal i kronikanit, për të cilin autori i vetë këngës ka gjetur material. Ashtu si poema heroike e Kosovës mund të ketë qenë një burim për hartuesit e kronikave, legjendat heroike, të cilat iu transmetuan popullit nga kronika individuale edhe tekstet tjera të shkruara, më pas mund t’i kenë frymëzuar këngëtarët popullorë për të krijuar poema të reja heroike.
Ndihmesa e historianit bizantin Duka në “Mitin e Kosovës”
Kronikat dhe biografitë e sundimtarëve nuk u shkruan vetëm për të diturit. Ato kishin edhe qëllim tjetër: të ushqenin traditën historike dhe ta transmetonin atë te populli. Nëpërmjet shkruesve të ditur, përmbajtja e kronikave mund të arrinte edhe te këngëtarët popullorë analfabetë ose gjysmë-analfabetë. Nuk ka dyshim se autorët e këngëve popullore kalorësiake në gjysmën e dytë të shekullit XV, ishin më afër me elitën e kohës sesa këngëtarët e zakonshëm popullorë, dhe ata e dinin mirë se çfarë thuhej në veprën e Konstandin Filozofit dhe në shkrimet e tjera rreth ngjarjeve në Kosovë.
Ashtu si këngëtarët popullorë, kronikanët gjithashtu ndryshuan ngjarje të tëra reale sipas nevojës, shtuan ose hoqën detaje dhe kështu krijuan legjenda të caktuara që i përshtateshin frymës së kohës. Se ata ishin shpikës në këtë pikë shihet më së miri në kronikën e historianit bizantin Duka. Nga fundi i shekullit XV ky autor qëllimisht e lavdëron vrasësin e sulltan Muratit. Sipas tij, ai është një kalorës i ri dhe i guximshëm që komplotoi për t’u bërë viktimë. Duke vrarë tiranin Murat, “heroi serb”, përmes një të bëme që i kushtoi me jetë, madje do të ngrihet edhe mbi vrasësit e tiranëve në Greqinë e lashtë. Lavdërimi i “heroit serb” nga Duka, si një viktimë e vetëdijshme e të bëmës së tij, ndoshta lindi si rezultat i një polemike jo të drejtpërdrejtë me traditën turke të Kosovës dhe ishte një shprehje e rezistencës së përbashkët greko-serbe ndaj Perandorisë Osmane, pas rënies së Serbisë (1459) dhe Kostandinopojës (1453). Qendra e rezistencës ishte Mali Athos, ku në atë kohë, përveç studiuesve grekë, kishte edhe një numër të caktuar feudalësh të arratisur serbë.
Më tej kronika e Dukës u përkthye në italisht në fund të shekullit XV dhe u ripërpunua ndjeshëm. Përmes këtij ripërpunimi dhe rishikimi në italisht, i cili përfaqëson njërin prej burimeve më të rëndësishme për studimin e traditës së Kosovës, “legjenda e kalorësit serb” që e vrau sulltan Muratin kaloi nga Lindja në Perëndim. Është e diskutueshme vetëm nëse vetë përpiluesi e zgjeroi legjendën apo nëse ai thjesht futi pjesë të traditës serbe të Kosovës në të, e cila tashmë kishte arritur në Perëndim përmes mjeteve të tjera.
Disa fragmente, të cilat gjenden në traditën popullore, duken më shumë si një përpunim i pavarur i legjendës së Kosovës, thelbin e së cilës e gjejmë te vetë Duka, sesa si një hyrje e traditës popullore serbe në tekstin e tij. Një fragment si, për shembull, përgjigja e Miloshit ndaj Lazarit – “Nesër në mëngjes/ nëse Zoti e jep që mendimi/ im të bëhet realitet/ do të shihet nëse jam/ besnik apo jo besnik ndaj Zotit tim” – nuk duhet të merret nga tradita popullore serbe. Mund të jetë gjithashtu një shtesë origjinale krijuese në legjendë nga vetë kronikani- reformator, e cila më vonë, nga ripërpunimi që ai e bëri kaloi në popull. Natyra shumë subjektive e ripërpunimit, autori i të cilit ishte qartësisht një patriot sllav, mbështet gjithashtu pikëpamjen se riadaptimi është një shtesë e pavarur në legjendë. Ekzistojnë të gjitha indikacionet se adaptimi italian i “Kronikës” së Dukës, në të cilën kalorësit të panjohur iu dha për herë të parë emri Millosh Kobiliq, ishte i njohur për humanistët e Dubrovnikut Ludovic Crijeviq Tubero (1459-1527) dhe Mavro Orbin (+1611) dhe ata e përdorën atë në përshkrimet e tyre të Betejës së Kosovës.
A nuk ndikoi “Kronika” e Dukës, ose më saktë adaptimi i saj, tërthorazi nëpërmjet Tuberos dhe Orbinit, në traditën popullore të Kosovës në rajonet perëndimore, dhe jo, siç theksohet zakonisht, në traditën e hershme të Kosovës mbi këta kronikanë? Prandaj edhe mendojmë se nuk përjashtohet mundësia që disa motive të Kosovës gjithashtu erdhën tërthorazi edhe nga poezitë epike nga lindja nëpërmjet Dukës dhe kronistëve të Dubrovnikut.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë