Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Tash po e shoh që jeta koka me rrnue mërzitshëm shumë e gatë”

Ferdonije Qerkezi

Ferdonije Qerkezi, skenë nga dokumentari “Ferdonija”, 2016, regjia Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti

Historia e saj është ritreguar përmes disa dokumentarëve dhe romaneve, të cilët fokusohen në pikëllimin e përhershëm të Ferdonijes dhe në zellin për ta mirëmbajtur shtëpinë ashtu siç ishte kur iu rrëmbye familja. Në dokumentarin e vitit 2005, “Ikona e Lotëve”, ajo shfaqet në mëngjes ulur nën portretet e burrit dhe fëmijëve, duke përkundur djepe të zbrazëta foshnjash për nipërit e mbesat që nuk do t’i ketë kurrë, dhe duke qarë ndërsa flet se si rregullisht është e “mbytur në lot” (Kabashi 2005). Dokumentari i vitit 2016, “Ferdonija” –  i filmuar brenda shtëpisë së saj përgjatë dy vjetëve –  tregon rrobat e familjes të varura nën plastikë mbrojtëse, këpucët e vendosura rregullisht pranë derës së hyrjes dhe portretet nëpër të gjithë shtëpinë; Ferdonija shpjegon: “Si ka mbaru lufta asnji fotografi s’e kam heqë prej vendi,.. e kur ta heq edhe fotografinë duket që tamam u shua”. Ajo shfaqet duke qarë pranë varreve të familjes dhe duke vajtuar: “Tash po e shoh që jeta koka me rrnue mërzitshëm shumë e gatë”

Ikonat dhe narrativat

Brenda Marrëdhënieve Ndërkombëtare, studimi i rolit të ikonave është relativisht i ri, pavarësisht pranimit të përgjithshëm se ato janë katalizatorë të fuqishëm politikë (Heck dhe Schlag 2013; Hansen 2015, 266; Haugbolle dhe Kuzmanovic 2015; Scott dhe Tomaselli 2018). Ikonat mund të marrin forma të ndryshme, duke përfshirë logot, simbolet dhe imazhet, por edhe “njerëz që arrijnë statusin e personazheve të famshëm” (Hansen 2015, 267). Steele dhe Subotić i përkufizojnë ikona të tilla si “persona gjerësisht të njohur në një komunitet kombëtar, sepse kanë ndikim, ose rëndësi të madhe në një sferë të caktuar të jetës shoqërore, kulturore ose politike, [të cilët] pasqyrojnë, ndryshojnë dhe/ose riprodhojnë identitetet e komuniteteve politike” (2024, 143). Ikonat njerëzore konsiderohet se mishërojnë një narrativë që po avancohet dhe, si të tillë, janë “individë që nga pikëpamja e përkufizimit janë të rëndësishëm për shoqëritë”, pasi kontribuojnë në përhapjen e narrativave që formësojnë sigurinë ontologjike të grupit dhe atë të individëve që ekzistojnë brenda këtyre grupeve (2024, 145). Kështu, ikonat “shërbejnë për përmbushjen e sigurisë ontologjike, duke u lidhur me narrativën biografike të një komuniteti politik dhe duke e pasqyruar atë” (2024, 147).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Është e ditur se shoqëritë krijojnë një imazh për veten përmes përhapjes së narrativave autobiografike të lavdishme dhe lartësimit të ndërlidhur të ikonave që konsiderohet se bëhen shembuj të cilësisë aspirative, përkatësisht tipare të virtytshme, heroike dhe/ose fitimtare (Anderson 2006; Scott dhe Tomaselli 2018, 17; Steele dhe Subotić 2024, 147). Megjithatë, lartësimi i individëve apo ikonave që simbolizojnë tragjedinë/humbjen është hulumtuar më pak nga SSO-ja (LaCapra 2001, 81). Në artikullin mbi ikonat dhe sigurinë ontologjike, Steele dhe Subotić u fokusuan në dy figura: Vesna Vuloviq dhe Muhammad Ali, të cilët u bënë ikona, sepse konsiderohej se u bënë shembuj të virtyteve heroike që gjoja mishëronin karakterin e komunitetit përkatës kombëtar (2024, 148–58).

Megjithatë, roli i ikonave të humbjes, ose tragjedisë, në ndërtimin e narrativave kombëtare është njohur edhe përtej SSO-së (Subotić 2016, 613). Si ilustrim, Steven Mock pranoi se kombet ndërtojnë mite kombëtare duke lartësuar kryesisht momente të lavdisë nga e kaluara, por shtoi se “simbolet e disfatës” – reale apo të shpikura –  gjithashtu “shërbejnë një funksion jetik në një sistem mitesh dhe simbolesh kombëtare” (2012, 27). Këto simbole përfshijnë ikonografinë, vendet dhe memorialët, por edhe individë ikonikë. Mock u fokusua në veçanti te rëndësia e Princit Llazar në ndërtimin dhe përhapjen e vazhdueshme të një kornize të caktuar të identitetit kombëtar serb. Në mitologjinë serbe, Llazari udhëhoqi ushtrinë që luftoi osmanët në Betejën e Kosovës më 1389; ushtria e tij u mposht dhe ai u vra, megjithatë Lazari lartësohet si një ikonë që bëhet shembull i tipareve kyçe të identitetit serb, gjegjësisht rezistencës ndaj dominimit të pushtuesit, fatit hyjnor dhe vetëflijimit (Hehir dhe Lanza 2022). Edhe pse rrëfimi serb i betejës së vitit 1389 konsiderohet një trillim nga disa (Vickers 1998, 25; Dragović-Soso 2002; Di Lellio 2009, 4, 124), fuqia e mitit dhe roli i Llazarit si ikonë –  pavarësisht pasaktësive të mundshme faktike – janë të pamohueshme dhe një komponent qendror i narrativës nacionaliste serbe (Mertus 1999, 184; Ramet 2005, 149; Vujacic 2015, 131; Subotić 2016, 618).

Kështu, për ta kuptuar rolin që luajnë ikonat në ndërtimin e narrativave që u ofrojnë individëve dhe shoqërive ndjenjën e vazhdimësisë, kohezionit dhe parashikueshmërisë që ata kërkojnë, është e rëndësishme të pranohet se ikona të tilla nuk kanë pse të përbëhen vetëm nga figura që bëhen shembuj të trimërisë, apo lavdisë. Një kuptim i plotë i rolit të ikonave duhet të përfshijë një vlerësim të rolit të luajtur nga ato ikona që simbolizojnë tragjedinë dhe/ose humbjen, por që megjithatë evokohen për të ofruar ndjenjën e kërkuar të sigurisë ontologjike.

Megjithatë, qartazi evokimi i një ikone për ta konsoliduar një ndjenjë të sigurisë ontologjike nuk ka kuptim, nëse kjo nxit vetëm emocione negative, si frika, keqardhja apo trishtimi; lartësimi i një ikone që bëhet shembull i tragjedisë apo humbjes, duhet të përmbushë qëllimin përfundimtar të ofrimit të një ndjenje të sigurisë ontologjike. Po ashtu, udhëheqësit politikë nuk mund ta evokojnë një ikonë nëse evokimi i saj i tremb, në vend që t’i frymëzojë njerëzit. Si i tillë, evokimi i ikonave që bëhen shembuj të tragjedisë apo humbjes duhet të përputhet me procesin e theksuar më parë, ku ato evokohen në një mënyrë që transformon fatin e tyre tragjik në diçka që kontribuon pozitivisht në sigurinë ontologjike në të tashmen; evokimi i tyre duhet të ndihmojë në “transformimin e pasigurisë dhe diskontinuitetit në një rutinë të njohur” (Chernobrov 2016, 593).

Përpjekjet e udhëheqësve politikë për t’i futur në korniza ngjarjet dhe ikonat në atë mënyrë që ato t’i mbështesin, në vend që t’i zvogëlojnë narrativat mbizotëruese, mund të mos përputhen me faktet dhe në të vërtetë mund “të bien ndesh me racionalitetin”, por kjo nuk ka rëndësi për efikasitetin e narrativës (Chernobrov 2016, 593). “Sipërmarrësit e narrativave” munden fare mirë t’i manipulojnë me vetëdije ngjarjet e së kaluarës për të krijuar narrativa që u përshtaten interesave të tyre (Subotić 2016, 611; shih gjithashtu Finnemore dhe Sikkink 1998; Payne 2001). Ikonat janë në shumë aspekte të instrumentalizuara për t’i shërbyer “një funksioni performativ për përmbushjen e sigurisë ontologjike të shoqërisë” (Steele dhe Subotić 2024, 143). Por, efikasiteti i një narrative të caktuar dhe i ikonave të saj shoqëruese nuk përcaktohet nga saktësia e saj historike, as nuk komprometohet nga fakti që është trilluar nga vepruesit politikë; përcaktuesi kryesor nëse një narrativë dhe ikonat e saj shoqëruese ushtrojnë ndikim është kapaciteti i tyre të bashkëndiejë me audiencën e synuar dhe për t’u ofruar atyre një ndjenjë të sigurisë ontologjike. Siç vëren Subotić, “fakti që narrativat manipulohen për qëllime politike nuk i bën ato më pak të rëndësishme. Në fakt, i bën thelbësore për të kuptuar se çfarë e motivon veprimin politik në radhë të parë” (2016, 611). Për ta dëshmuar këtë në praktikë, tani po trajtoj rastin e Ferdonije Qerkezit, statusi i së cilës si ikonë e dëshpërimit, ilustron këtë proces transformues dhe gjenerativ.

Ferdonije Qerkezi

Reflektimet mbi jetën e Ferdonijes fokusohen në dëshpërimin e thellë

Në vitin 1989, statusi i Kosovës si krahinë autonome brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë u anulua, dhe qeveria e Sllobodan Millosheviqit zbatoi një politikë aparteidi efektiv kundër shqiptarëve të Kosovës (Weller 1999; Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën 2000, 41, 48). Shqiptarët e Kosovës fillimisht rezistuan paqësisht, por deri në vitin 1998 shpërtheu një luftë çlirimtare, duke nxitur përpjekjet për ndërmjetësim ndërkombëtar. Pas refuzimit të një marrëveshjeje paqeje nga Millosheviqi, më 24 mars 1999, NATO-ja nisi një ndërhyrje ushtarake për t’i mbrojtur shqiptarët e Kosovës, duke nxitur një përshkallëzim dramatik të dhunës së ushtruar kundër tyre nga forcat serbe (Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën 2000, 88). Më 9 qershor 1999, fushata ushtarake e NATO-s përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës; Millosheviqi ra dakord t’i tërhiqte të gjitha forcat ushtarake nga Kosova dhe të pranonte dislokimin e një force paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë.

Më 27 mars 1999, policia serbe erdhi në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit në qytetin e Gjakovës, në jugperëndim të Kosovës. Policia e keqtrajtoi familjen gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje i ndau burrat nga gratë. Ua grabitën grave paratë dhe stolitë, i urdhëruan të largoheshin dhe më pas i morën burrat me vete; ishte hera e fundit që familjet e tyre i panë të gjallë (Kandic 2024, 59). Mes të rrëmbyerve ishin burri i Ferdonijes, Halimi, dhe katër djemtë e tyre, Artani, Armendi, Ardiani dhe Edmondi, të vetmit fëmijë të saj.

Ferdonija e kaloi periudhën e ndërhyrjes së NATO-s e strehuar në shtëpinë e një të afërmi; pas Marrëveshjes së Kumanovës, ajo u kthye në shtëpinë e vet ku, “duke vuajtur nga një pikëllim i thellë”, ka qarë pandarë çdo ditë  (Berisha 2017, 42). Ajo zgjodhi ta mbante shtëpinë ashtu siç ishte në ditën kur iu morën burri dhe katër fëmijët dhe, në shtator të vitit 1999, e hapi shtëpinë për vizitorët (Hoti 2017, 19). Ferdonija e shtroi tryezën e darkës për veten, burrin dhe katër djemtë çdo mbrëmje deri në vitin 2005, kur Kryqi i Kuq ktheu mbetjet mortore të dy prej djemve të saj, Artanit, më të madhit, dhe Edmondit, më të voglit. Pas kësaj, ajo e ka shtruar tryezën për gjashtë persona vetëm në raste të veçanta.

Reflektimet mbi jetën e Ferdonijes fokusohen në dëshpërimin e thellë. Dragusha e përshkruan kështu: “Sot, për të jeta është një barrë, kurse vetmia përditshmëri. Dikur e rrethuar me më të dashurit e saj, kurse sot e mbështjellë me një boshllëk sikur nata që lëshohet në një det të paanë... Malli për të shoqin dhe katër djemtë e saj është një mall që i tejkalon limitet e çdo imagjinate, kurse mërzia thur dalëngadalë rrjetën e dëshpërimit... e tashmja tash e 20 vjet është dhimbje, pritje, vetmi (2019).

Ferdonija përshkruhet si “e rraskapitur dhe e pikëlluar. Ndjenja e zisë dhe e humbjes është dërrmuese, pothuajse e padurueshme” (Isufi dhe Henry 2023). Shtëpia familjare përshkruhet gjithashtu si “e rënduar nga vuajtja e Ferdonije Qerkezit” (Hoti 2017, 18) dhe “e mbushur me kujtime dhe dhimbje” (Isufi dhe Henry 2023). Shtëpia është kthyer në një shprehje të dëshpërimit; Dragusha thotë: “Aq e heshtur është shtëpia, saqë ke ndjenjën se do të shurdhohesh nga një heshtje e tillë” (2019).

Historia e saj është ritreguar përmes disa dokumentarëve dhe romaneve, të cilët fokusohen në pikëllimin e përhershëm të Ferdonijes dhe në zellin për ta mirëmbajtur shtëpinë ashtu siç ishte kur iu rrëmbye familja. Në dokumentarin e vitit 2005, “Ikona e Lotëve”, ajo shfaqet në mëngjes ulur nën portretet e burrit dhe fëmijëve, duke përkundur djepe të zbrazëta foshnjash për nipërit e mbesat që nuk do t’i ketë kurrë, dhe duke qarë ndërsa flet se si rregullisht është e “mbytur në lot” (Kabashi 2005).

Dokumentari i vitit 2016, “Ferdonija” –  i filmuar brenda shtëpisë së saj përgjatë dy vjetëve –  tregon rrobat e familjes të varura nën plastikë mbrojtëse, këpucët e vendosura rregullisht pranë derës së hyrjes dhe portretet nëpër të gjithë shtëpinë; Ferdonija shpjegon: “Si ka mbaru lufta asnji fotografi s’e kam heqë prej vendi,.. e kur ta heq edhe fotografinë duket që tamam u shua” (Bajri 2016). Ajo shfaqet duke qarë pranë varreve të familjes dhe duke vajtuar: “Tash po e shoh që jeta koka me rrnue mërzitshëm shumë e gatë” (2016).

Në librin e tij, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, Ag Apolloni e krahason “dhimbjen e pangushëllueshme” dhe vajtimin e Ferdonijes me mitin grek të Niobës, e cila, pasi u mburr për katërmbëdhjetë djemtë dhe vajzat e saj, nxiti zemërimin e perëndeshës Leto, e cila dërgoi dy fëmijët –  Artemidën dhe Apollonin –  për t’i vrarë të gjithë fëmijët e Niobës (Apolloni 2020, 103). Apolloni përshkruan se si Ferdonija u ka ritreguar historinë tragjike të familjes së vet atyre që vizitojnë shtëpinë, duke vërejtur se kur ata largohen “ajo mbetet e vetme në dhomë, atëherë mbytet në lot” (2020, 101). Dëshpërimi i saj është aq i madh sa ajo do “të vuante gjithë jetën” (2020, 128).

Shumë nga mendimet mbi jetën e saj fokusohen në rolin e Ferdonijes si pjesë e organizatës “Thirrjet e Nënave”, e cila përfaqëson familjet e të zhdukurve. Ferdonija shfaqet me grupe grash që mbajnë fotografitë e njerëzve të dashur të zhdukur dhe duke vajtuar (Bajri 2016). Rekomandimet se si shoqëritë duhet të përballen me traumën e lidhur me konfliktin pashmangshmërisht theksojnë nevojën për pajtim dhe falje (Di Lellio dhe McCurn 2012, 136 - 7; Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2021, 54–6).

Ferdonija, megjithatë, ka mbajtur haptazi një qëndrim kundër serbëve; duke reflektuar mbi intervistën me të, Stephanie Schwandner-Sievers dhe Melanie Klinkner vërejnë: “Ka lot kur ajo flet për njerëzit e dashur dhe urrejtje të drejtpërdrejtë, inat dhe zemërim kur flet për shkijet, një term nënçmues për serbët në gjuhën shqipe” (2019, 236). Në një moment Ferdonija deklaron: “Shkau nuk është i besueshëm dhe nuk ka njeri më të keq se ata në të gjithë botën” (2019, 337). Schwandner-Sievers dhe Klinkner vërejnë se Ferdonija, po ashtu, u tha mediave të Kosovës: “tani nuk mund të ketë pajtim” (2019, 238). Schwandner-Sievers dhe Klinkner thonë: “Kujtesa e saj nuk është një kujtesë që kapërcen inatin, ose që parasheh faljen” (2021, 70).

“Thirrjet e Nënave” kundërshtuan bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që qeveria serbe fillimisht të kërkojë falje dhe t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për fatin e njerëzve të dashur (Thirrjet e Nënave 2020). Ato, gjithashtu, kanë refuzuar të bashkëpunojnë me organizatat serbe që përfaqësojnë familjet e të zhdukurve (De Lellio 2016, 11).

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Aidan Hehir është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit. Kërkimet e tij janë fokusuar në drejtësinë tranzicionale, intervenimin humanitar dhe shtetndërtimin e Kosovës. Është autor dhe editor i dymbëdhjetë librave akademikë, përfshirë edhe “Kosova dhe ndërkombëtarët” (2024), dhe i shumë kapitujve dhe artikujve nëpër libra dhe revista të ndryshme, si dhe është kontribuues i rregullt në televizione dhe radio kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, është autor i romanit “Lulet e Srebrenicës”, i cili është dramatizuar vitin e kaluar, me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Botohet me leje të autorit.

Përktheu: Eronita Kqiku