Dhe… sot mbushet një vit qëkur shfaqja “Emira” u ndërpre vetëm pesë ditë para premierës së planifikuar. Që atëherë nuk u ndërmor asnjë veprim serioz dhe i vendosur që të konsolidohet gjithë ekipi i shfaqjes dhe të realizohet premiera e shfaqjes. Vetëm përpjekje sipërfaqësore, shumë fjalë e premtime boshe, propozime datash e planesh rikthimi të predestinuara të dështojnë. Brenda një viti të tërë ASNJË veprim serioz dhe i plotëvullnetshëm për ta rikthyer një shfaqje që padrejtësisht u ndërpre dhe padrejtësisht po mbahet ende në agoni
Sot, 15 nëntor 2025, mbushet një vit qëkur shfaqja “Emira” u ndërpre vetëm pesë ditë para premierës së planifikuar. Si sot, një vit më parë, ecja i lumtur drejt Teatrit, pasi prova e mbrëmjes paraprake kishte shkuar shkëlqyeshëm dhe ishte ndierë ajo që ne e quajmë “magji skenike” – kur shfaqja merr jetë dhe arrin suksesshëm në fazën e lindjes, e gatshme të shfaqet para publikut. Hyra me nxitim në bufenë e Teatrit, aty ndihej një qetësi e tensionuar, por kalova pa e kuptuar se çfarë po ndodhte. Vazhdoj për ta takuar shkurt udhëheqësin artistik që ta pyes se a janë printuar komentet për provën e mbrëmshme, komente që ia kisha nisur me email për t’ua shpërndarë aktorëve. Terr në zyrën e tij. Ai më thotë se si duket gjithçka ka marrë fund, grevistët sonte do ta fillojnë grevën. Unë nuk e besoj, refuzoj ta besoj, them se nuk është e mundur të ndodhë kjo pesë ditë para premierës sonë. Me një ndjesi ankthi zbres shkallët për te skena, por ende me shpresë se gjithçka do të shkojë mbarë dhe shfaqja do ta përjetojë premierën e shumëpritur. Në skenë më prisnin aktorët me të cilët kisha lënë provë për “pastrimin e mizanskenit” të skenës finale mes Emirës dhe Kalinës, para provës së plotë të orës 20:00. Fillojmë provën. Pas pak, përfaqësuesi i Sindikatës së Aktorëve të TKK-së hyn në sallë dhe na kumton lajmin që greva ka filluar dhe prova duhet të ndërpritet. Aktorët e brendshëm të TKK-së, pjesë e ekipit të shfaqjes, i bashkëngjiten grevës (pos Basri Lushtakut). Heshtje. Në sallë mblidhemi të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm të shfaqjes – aktorë e bashkëpunëtorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Mbizotëron një atmosferë zie, sikur po merrnim pjesë në varrimin e një foshnje që sapo kishte përjetuar një abort të dhunshëm. Një natë e rëndë, plot makth. Qielli i Prishtinës më dukej i zymtë. Një “Nëntor i ftohtë” si kënga e “Jerichos…”
Dhe… sot mbushet një vit qëkur shfaqja “Emira” u ndërpre vetëm pesë ditë para premierës së planifikuar. Që atëherë nuk u ndërmor asnjë veprim serioz dhe i vendosur që të konsolidohet gjithë ekipi i shfaqjes dhe të realizohet premiera e shfaqjes. Vetëm përpjekje sipërfaqësore, shumë fjalë e premtime boshe, propozime datash e planesh rikthimi të predestinuara të dështojnë. Brenda një viti të tërë ASNJË veprim serioz dhe i plotëvullnetshëm për ta rikthyer një shfaqje që padrejtësisht u ndërpre dhe padrejtësisht po mbahet ende në agoni.
Po mbushet një vit i plotë dhe ende nuk është zgjidhur as çështja e pagesave për bashkëpunëtorët e jashtëm, edhe përkundër dhjetëra komunikimeve me email me zyrtarët e MKRS-së dhe TKK-së, edhe përkundër premtimeve të shumta se gjithçka do të rregullohet dhe se shfaqja do të jetësohet e do të shfaqet këtë vit para publikut në hapje të festivalit “Moisiu”, ashtu siç duhej të ndodhte para një viti.
Tani festivali mbarëkombëtar “Moisiu”, i anuluar një vit më parë, do të mbahet në Prishtinë, por pa shfaqjen “Emira”, pa premierën e bashkëprodhimit të tre teatrove kombëtare, pa përmbajtjen kryesore të festivalit, pa konceptin bazë mbi të cilin është ideuar ky format i ri i këtij festivali që financohet nga tri ministri të tri shteteve. Paradoks. Absurd. A ka ndonjë fjalë tjetër më të përshtatshme për ta përshkruar këtë realitet?
Një vit më parë u ndërpre realizimi i shfaqjes “Emira” nga grevistët, një vit më parë u anulua edhe festivali mbarëkombëtar “Moisiu”. A ndryshoi diçka pas asaj greve? Kush fitoi? Kush humbi? Grevistët e ndalën grevën, festivali do të mbahet sivjet në Prishtinë, dielli vazhdon të lindë e të perëndojë… gjithçka në dukje vazhdon të jetë njësoj si më parë, asgjë në dukje nuk ka ndryshuar... Vetëm një varr i hapur ka mbetur, një ëndërr e thyer, një pritje pa fund, një agoni… një agoni që ngjan me agoninë e një pacienti në komë që për një vit të tërë dergjet mes jetës dhe vdekjes, që nuk e di çfarë fati e pret: do të rikthehet në jetë apo një natë të qetë do t'ia fikin aparaturën e oksigjenit?
Agonia e shfaqjes “Emira” vazhdon… festa e festivalit “Moisiu” së shpejti do të fillojë… Gëzuar!
Autori është regjisor i shfaqjes “Emira”
Lexo edhe: