Për shumicën e serbëve, edhe shumë vjet pas rrëzimit të Millosheviqit, bota vazhdon të perceptohet në ndarje binare – “ne” kundrejt “botës së armiqve që na rrethojnë”. Sipas historianit gjerman, Holm Sundhaussen, kriminelët e luftës janë shndërruar në figura letrare të shitura dhe të glorifikuara. “Serbia, dhe më gjerë Ballkani, mund të hyjnë në modernitet vetëm nëse pranojnë në mënyrë kritike të kaluarën dhe ndahen nga mitet që i kanë mbajtur peng për dy shekuj”, thotë Sundhaussen
Historiani gjerman Holm Sundhaussen në librin e tij “Geschichte Serbiens: 19.–21. Jahrhundert” ( Historia e Serbisë: Shekulli XIX–XXI”). (Böhlau Verlag, Wien 2007, të historianit gjerman Holm e përshkruan Serbinë pas vitit 2000 si një shoqëri në gjendje anomike dhe pa orientim moral, e paaftë për t’u përballur me të kaluarën e vet. Ai vëren se kriminelët e luftës janë shndërruar në figura letrare të shitura dhe të glorifikuara, ndërsa drejtësia dhe e drejta kanë mbetur “jashtë ligjit dhe tërësisht të etnizuara”. Sipas tij, popullsia serbe, e udhëhequr për dekada nga historiografë që kanë shërbyer pushtetit, është mësuar ta lexojë historinë vetëm përmes prizmit të vetëperceptimit kombëtar të “mirësisë” kolektive.
Për shumicën e serbëve, edhe shumë vite pas rrëzimit të Millosheviqit, bota vazhdon të perceptohet në ndarje binare – “ne” kundrejt “botës së armiqve që na rrethojnë”. Holm Sundhaussen e diagnostikon këtë gjendje si një formë të “bllokimit të perceptimit”, e cila, sipas tij, ngjan me përvojën gjermane pas vitit 1945. Pas dekadash krizash, luftërash dhe mitizimesh kombëtare, serbët mbeten të burgosur në narrativat e tyre historike, një gjendje që pengon çdo reflektim kritik dhe ndërtim të vetëdijes qytetare.
Denazifikimi i domosdoshëm mi Serbisë
Por me një dallim të madh: në Serbi nuk ka pasur denazifikim, as riedukim, e aq më pak një “mrekulli ekonomike”. Në Serbi, edhe sot njerëzit që kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me regjimin e Miloshevqit mbajnë poste të larta politike dhe shtetërore. Në këtë kuptim sot në Serbi nuk ka asnjë debat për historinë e Serbisë apo për një debat të përbashkët shqiptaro-serb siç ekziston ai mes gjermanëve dhe polakëve mbi tekstet e përbashkëta të cilat ende prekin popujt Ballkan pas shekujsh.
Në këtë kontekst, libri i historianit gjerman, Hollm Sundhausen, nxit nevojën për më shumë debat në mënyrë që mund të shihen ngjarjet nga historia e Ballkanit përtej interpretimet mitike dhe që shërbejnë si bazë për diskutimet historiografike në rajon. Prandaj, një libër i tillë është i nevojshëm të jetë edhe në gjuhën shqipe, pasi lexuesit i ofron një mundësi të mirë për ta njohur në mënyrë të paanshme dhe shkencore historinë e një vendi fqinj.
Në analizën e tij, Sundhaussen vëren se Serbia e pasluftës nuk arriti të zhvillojë një debat të ndershëm publik mbi përgjegjësinë dhe tranzicionin demokratik. Përkundrazi, fitorja e Perëndimit mbi Lindjen dhe humbja e identitetit socialist u përkthyen në krizë vlerash, që e shtyu shoqërinë drejt moralizmit fetar, konservatorizmit dhe etnonacionalizmit. Në këtë klimë në Serbi, Sundhaussen vëren një kthim të mendësisë së “Pallankës”, duke iu referuar konceptit të filozofit Radomir Konstantinović dhe veprës së tij “Filozofia e Pallakës” (1969). “Pallanka”, në kuptimin e autorit serb, përfaqëson një hapësirë të mbyllur mes fshatit dhe qytetit, të rrethuar nga frika, provincializmi dhe izolimi intelektual.
Sundhaussen e përdor këtë metaforë për të përshkruar gjendjen e Serbisë moderne, që me gjithë mundësitë për t’u hapur, rikthehet në vetvete, duke i mbyllur dyert ndaj ndryshimit dhe ndaj Evropës
Në reflektimin përmbyllës, Sundhaussen thekson se Serbia ka qenë peng i së kaluarës së saj, sepse çdo vizion për të ardhmen është filtruar “përmes dritares të së kaluarës”. Në vend që të mësonte nga historia, ajo e ka shndërruar atë në utopi dhe justifikim për ringjallje. Ky “kult i rikthimit” – dëshira për të rikthyer një të kaluar të imagjinuar dhe drejtësi të humbur – ka penguar formimin e një shoqërie kritike dhe vetërefleksive. Ai e lidh fenomenin e “Pallankës” me strukturat e mendësisë kolektive, të cilat prodhojnë në mënyrë ciklike izolim, mit dhe keqkuptim të modernitetit.
“Serbia mund të kishte qenë një vend shumë i zhvilluar. Potenciali ekzistonte. Po ai iu flijua një ‘Ideje të Madhe”, e cila e ktheu Serbinë e fundit të viteve ‘90 një shekull prapa. Serbët nuk janë një ‘popull tragjik’, siç thoshte Dobrica Qosiq e as një ‘popull hyjnor’, por një shoqëri krejt ‘normale’ e mashtruar nga priftërinj, profetë dhe politikanë narcistë – ashtu si shumë shoqëri të tjera para tyre”, arrin në përfundim Sundhaussen (fq. 462-263).
Rikthimi i “frymës së Pallankës”
Libri “Historia e Serbisë” përbën një sintezë të rrallë të historisë politike, shoqërore dhe kulturore të Serbisë, nga fillimi i shekullit XIX deri në fillimin e shekullit XXI. Nuk është thjesht një histori kronologjike e ngjarjeve, por një analizë e thellë strukturore dhe mendore e mënyrës se si Serbia ndërtoi dhe shkatërroi vetveten përmes miteve, kujtesës kolektive dhe politikave të identitetit.
Në tërësi, vepra është një dekonstruktim shkencor i mitologjisë serbe – nga “miti i Kosovës” dhe nacionalizmi romantik i shekullit XIX, te “metafizika e ringjalljes kombëtare” e viteve ‘90. Sundhaussen arrin ta zhvendosë vëmendjen nga historia si rrëfim heroik, në historinë si proces i ndërtimit të vetëdijes dhe ideologjisë kombëtare. Ai e trajton Serbinë jo si një rast të izoluar, por si pjesë të mekanizmave universale të nacionalizmit evropian, ku kujtesa, religjioni dhe gjuha shërbejnë si instrumente për legjitimimin e pushtetit dhe përjashtimin e tjetrit. Në aspekt metodologjik, Sundhaussen kombinon analizën historike, sociologjike dhe antropologjike, duke e paraqitur historinë serbe si laborator të marrëdhënieve ndërmjet traditës dhe modernitetit. Ai e sheh nacionalizmin si një formë të modernitetit të vonuar, ku proceset e modernizimit politik dhe ekonomik nuk shoqërohen me emancipim moral e shoqëror.
“Historia e Serbisë” është një vepër e karakterit kritik dhe emancipues, që e detyron lexuesin të mendojë për historinë jo si fat, por si zgjedhje. Ajo e zhvesh narrativën serbe nga mistika dhe e vendos në planin e përgjegjësisë historike dhe qytetare. Mesazhi përfundimtar i Sundhaussenit, i artikuluar në “Përmbledhje: Filozofia e Pallankës ose shoqëria e hapur”, është një apel moral për kapërcimin e mendësisë së mbyllur: Serbia, dhe më gjerë Ballkani, mund të hyjnë në modernitet vetëm nëse pranojnë në mënyrë kritike të kaluarën dhe ndahen nga mitet që i kanë mbajtur peng për dy shekuj. Në këtë mënyrë, libri nuk është vetëm histori e Serbisë – por histori e mënyrës se si kombet ndërtojnë dhe rrëzojnë veten përmes miteve që zgjedhin t’u besojnë.
LEXO EDHE: