Në analizën e tij për “Imazhet hapësinore dhe hartat mendore: çështja serbe”, historiani gjerman, Holm Sundhaussen, e shqyrton konceptin e hapësirës imagjinare kombëtare, duke argumentuar se nacionalizmi serb ndërtoi një “Serbi mendore” që shtrihej përtej kufijve të saj politikë. Kjo “Serbi imagjinare” përfshinte Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën si pjesë të “territorit historik” të saj. Sipas autorit, këto harta simbolike u ndërtuan mbi bazën e kujtesës historike, trashëgimisë kishtare dhe gjeografisë imagjinare, duke krijuar një identitet kombëtar të mbivendosur mbi hapësirën
Miti i Kosovës dhe “vendi i kujtesës”
Në nënkapitullin “28 qershori dhe Kosova: Lindja e një vendi të kujtesës” – të librit “Geschichte Serbiens: 19.–21. Jahrhundert” (Historia e Serbisë: Shekulli XIX–XXI”), Böhlau Verlag, Wien 2007 – Holm Sundhaussen trajton lindjen e mitit të Kosovës si qendër simbolike e identitetit serb. Ai tregon se epet popullore dhe cikli i Kosovës, të mbledhura dhe botuara nga Vuk Karaxhiqi u shndërruan në “lieux de mémoire” (vende kujtese) ku u përqendrua mitologjia kombëtare. Sundhaussen shpjegon se shenjtërimi i princit Lazar nga Kisha Ortodokse pas betejës së vitit 1389 dhe ritualet për rivarrimin e eshtrave të tij krijuan një kujtesë sakrale të humbjes, e cila u kthye në simbol të qëndresës dhe sakrificës kombëtare. Ai e quan këtë proces “kristianizim politik të historisë”, që krijoi një narrativë të shenjtë për kombin, e cila do të gjallonte deri në shekullin XX. Sundhausen mendon se ashtu si shtetet e tjera mesjetare, edhe perandoria e Nemanjiqëve ishte një entitet dinastik me kufij të ndryshëm, pa kryeqytet të përhershëm dhe me popullsi etnikisht të larmishme (serbë, vlleh, grekë e shqiptarë). Pavarësisht mitoligjizimit të Betejës së Kosovës, edhe Sundhaussen, ashtu si Schmitt dhe historinë të tjerë perëndimorë e konfirmon se pasardhësit e Lazarit e njohën sovranitetin osman dhe Serbia e humbi statusin e një principate vasale vetëm pas pushtimit të Kosovës (1455) dhe të Serbisë veriore (1459) nga Mehmet Pushtuesi.
“Si rrëfim, miti i Kosovës është po aq misterioz, i mrekullueshëm dhe kontradiktor sa rrëfimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Re apo mitet e kombeve të tjera. Rëndësinë e tij aktuale ai e fitoi përmes ndërlidhjes së “mbretërisë qiellore” me principatën tokësore të re serbe, përmes drejtimit të tij kundër “renegatëve” dhe myslimanëve, përfshirjes së mitit në programin politik afatgjatë të Serbisë pas-osmane, mesianizmit politik që përmbante dhe imperativit gjithnjë e më të përhapur të hakmarrjes me frymë të Dhiatës së Vjetër, shkruan Sundhaussen (f. 115).
“Hartat mendore” dhe çështja serbe
Në analizën e tij për “Imazhet hapësinore dhe hartat mendore: çështja serbe”, Sundhaussen e shqyrton konceptin e hapësirës imagjinare kombëtare, duke argumentuar se nacionalizmi serb ndërtoi një “Serbi mendore” që shtrihej përtej kufijve të saj politikë. Kjo “Serbi imagjinare” përfshinte Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën si pjesë të “territorit historik” të saj.
Sipas autorit, këto harta simbolike u ndërtuan mbi bazën e kujtesës historike, trashëgimisë kishtare dhe gjeografisë imagjinare, duke krijuar një identitet kombëtar të mbivendosur mbi hapësirën. Kjo çoi në një koncept ekspansionist të kombit, ku territori nuk shihej vetëm si hapësirë fizike, por si vend i shenjtë dhe simbolik që duhej “çliruar” ose “ripërfshirë” në trupin e kombit. Pikërisht ky konstrukt ideologjik do të ushqente më vonë pretendimet territoriale dhe politikat ekspansioniste të Serbisë gjatë shekullit XX.
Në këtë mënyrë, Sundhaussen demitizon origjinat e nacionalizmit serb, duke treguar se ato nuk lindën si nevojë “natyrale” historike, por si konstruksione kulturore dhe simbolike të elitave intelektuale. Kështu, autori e vendos nacionalizmin serb jo në terrenin e domosdoshmërisë historike, por në atë të krijimit kulturor dhe ideologjik, duke e bërë këtë kapitull një pikë referimi në studimet kritike mbi kombformimin në Ballkan.
Ky kapitull trajton periudhën vendimtare të shekullit XIX, kur Serbia, pas konsolidimit të brendshëm politik, u përfshi në mënyrë aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare të njohura në diplomacinë evropiane si “Çështja Lindore”. Sundhaussen e interpreton këtë fazë si momentin e hyrjes së Serbisë në arenën politike evropiane, por njëkohësisht edhe si periudhën kur ideologjia e nacionalizmit shtetëror serb mori formë të qartë përmes përpjekjeve për zgjerim territorial dhe afirmim diplomatik.
Në këtë kontekst, Sundhaussen i kushton një vëmendje të veçantë luftërave serbo-turke të viteve 1877–1878 dhe pasojave të tyre mbi popullsinë shqiptare dhe myslimane në jug të Serbisë. Ai e përshkruan këtë periudhë si momentin kur fillon për herë të parë “rrethi vicioz i dëbimeve të ndërsjella” që do të përcaktonte marrëdhëniet serbo-shqiptare në dekadat pasuese. Sipas Sundhaussen, rreth 70.000 myslimanë – kryesisht shqiptarë – “u zhdukën” nga territoret e pushtuara në juglindje të principatës serbe, shumë prej tyre të dëbuar ose të arratisur gjatë dhe pas luftërave serbo-turke. Historiani serb Vasa Čubrilović, që më vonë do të bëhej i njohur për memorandumin e tij mbi dëbimin e shqiptarëve, e përshkroi këtë proces si “spastrimin e rretheve të Toplicës dhe Kosanicës nga shqiptarët në vitet 1877–1878”. Në të njëjtën kohë, Sundhaussen sjell edhe raportin e konsullit britanik në Beograd, G. F. Gould, i cili më 29 nëntor 1878 raportonte në Foreign Office se qeveria serbe ishte sjellë “me ashpërsi dhe mizori të panevojshme ndaj shqiptarëve” në rajonet e sapopërfituara, duke dëbuar “banorët paqësorë e punëtorë të mbi 100 fshatrave shqiptare në luginat e Toplicës dhe Vranjës”. Ai e përshkruan këtë periudhë si momentin kur Serbia filloi të formësohej si shtet etnikisht homogjen, duke e justifikuar politikisht këtë transformim përmes ideologjisë së “çlirimit nga zgjedha osmane”. Autori i librit e paraqet dëbimin e shqiptarëve nga Nishi, Toplica dhe Vranja si një proces të institucionalizuar të spastrimit etnik, që nuk ishte thjesht pasojë e luftës, por një akt themelues i politikës nacionaliste serbe, me pasoja të gjata në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Nga “Kriza e Madhe Lindore” në Kongresin e Berlinit (1875–1878)
Në vijim të librit, autori analizon Çështjen Lindore dhe garën konkurruese të kombeve popullore, duke e lidhur historinë e Serbisë me balancën e fuqive evropiane gjatë krizës osmane. Ai e përkufizon Çështjen Lindore si krizën e vazhdueshme të lindur nga dobësimi i Perandorisë Osmane dhe nga gara për trashëgiminë e saj territoriale ndërmjet fuqive të mëdha – Austro-Hungarisë, Rusisë, Britanisë dhe Francës – si dhe nacionalizmave në ngjitje të popujve ballkanikë.
Serbia, e pozicionuar mes interesave të Austro-Hungarisë dhe Rusisë, u shndërrua në një aktor periferik në aspektin gjeopolitik, por simbolikisht qendror në përplasjet për dominim rajonal. Sundhaussen thekson se kombet e reja të Ballkanit, si Serbia dhe Greqia, garonin për legjitimitet historik dhe gjeografik, duke ndërtuar narrativat e tyre kombëtare në funksion të projekteve territoriale. Ndërkohë, diplomacia evropiane përpiqej të ruante një ekuilibër midis idesë së “civilizimit perëndimor” dhe “kaosit oriental”, ku Ballkani shihej si hapësirë ndërmjetësuese – një arenë ku përplaseshin mitet, interesat dhe aspiratat e modernitetit evropian. Në këtë kontekst, Sundhaussen e paraqet Serbinë si një laborator të vogël të nacionalizmave moderne, ku ideologjitë e kombit, fesë dhe gjeopolitikës ndërthuren në mënyrë shpërthyese.
Në pjesën përmbyllëse të këtij kapitulli, autori përshkruan shpërthimin e kryengritjes në Hercegovinë (1875) dhe përhapjen e saj në Bosnje e Bullgari si pikën kulmore të rivalitetit ndërmjet nacionalizmave ballkanikë dhe fuqive të mëdha. Sundhaussen tregon se kontradiktat shoqërore midis bejlerëve myslimanë dhe fshatarëve të krishterë, të kombinuara me agjitacionin nacionalist serb dhe malazez si dhe synimet aneksioniste të Austro-Hungarisë, krijuan një situatë shpërthyese.
Në këtë kontekst, Princi Milan Obrenoviq dhe Princi Nikola i Malit të Zi ndërhynë ushtarakisht në vitin 1876, të shtyrë nga opinioni publik dhe fryma pansllave. Por Serbia, e pafuqishme ushtarakisht dhe e paqartë në politikë, u shpëtua nga ndërhyrja diplomatike e Rusisë, e cila rivendosi status quon në 1877. Sundhaussen nënvizon se në këtë moment humbi kuptimin ndarja midis “çlirimit” dhe “pushtimit”, pasi idealet kombëtare u zëvendësuan nga aspiratat territoriale, duke e kthyer Serbinë në një aktor që përpiqej të imitojë Piemontin italian si motor të bashkimit kombëtar sllav. Me ton kritik, ai tregon se ideologjia e “Serbisë si Piemont” nuk ishte shprehje e emancipimit, por e imitimit të modeleve nacionaliste evropiane që shpesh çonin në konflikte.
Në vijim të këtij kapitulli, Sundhaussen analizon strukturën demografike dhe tipologjinë e vendbanimeve, duke theksuar kontrastin midis vazhdimësisë së formave tradicionale të jetesës dhe përpjekjeve të elitës shtetërore për modernizim. Serbia rurale e mesit të shekullit XIX ruante ende strukturat e vetëqeverisjes komunale – si “zadruga” (si njësinë themelore shoqërore të popullsisë fshatare serbe në fillim të shekullit XIX) dhe komuna – që kishin shërbyer si baza sociale dhe ekonomike për shekuj me radhë. Megjithatë, Sundhaussen argumenton se dobësimi i tyre nuk erdhi nga sundimi osman, siç pretendon shpesh historiografia nacionaliste, por nga ndërhyrjet e shtetit modern serb, përmes burokracisë dhe centralizimit të administratës. Në këtë kontekst, autori te procesi i urbanizimit dhe transformimi i Serbisë nga një shoqëri rurale në një shoqëri me elemente qytetare. Autori përmend me ironi vërejtjen e Slobodan Jovanoviqit, i cili i përshkruante elitat e kohës si “fshatarë me kostum qyteti”, për të ilustruar se procesi i urbanizimit në Serbi ishte më shumë një fenomen kulturor sesa ekonomik. Sipas Holm Sundhaussenit, në vend që të krijohej një elitë intelektuale me orientim modern, shoqëria serbe vazhdoi të dominohej nga një shtresë e ngushtë burokratësh dhe klerikësh, e shkëputur nga populli; si pasojë, shkalla e analfabetizmit në Serbi mbeti jashtëzakonisht e lartë deri në fund të shekullit XIX. Në këtë kuptim, kapitulli shërben si diagnozë shoqërore e një kulture që kërkonte të bëhej “evropiane”, por mbetej e mbërthyer në strukturat patriarkale, duke bërë nga Serbia një shembull paradigmatik të modernitetit të vonuar në Evropën Juglindore.
Përveç tjerash, Sundhaussen tregon se pas pavarësisë politike të vitit 1878, identiteti kombëtar serb u transformua përmes zhvillimit të “shkencave kombëtare” si etnologjia, historia dhe gjeografia kulturore. Ajo që fillimisht ishte hulumtim folklorik dhe etnokulturor, me kalimin e kohës mori ngjyrime biologjike dhe raciale, duke theksuar “pastërtinë etnike” dhe detyrën misionare të kombit serb në Ballkan. Kjo qasje përbënte, sipas Sundhaussenit, një largim nga iluminizmi humanist drejt një nacionalizmi ekskluziv dhe esencialist, që e shihte kombin si entitet natyror, të përcaktuar nga gjaku dhe territori.
Duke u ndalur në periudhën pas Kongresit të Berlinit, kur Serbia fitoi sovranitet formal, por u gjend në qendër të një dileme strategjike midis Rusisë pansllaviste dhe Austro-Hungarisë katolike – Sundhaussen përshkruan me hollësi ndarjen ideologjike që karakterizoi elitat serbe në raport me orientimin e shtetit: Sundhaussen e përkufizon periudhën pas vrasjes së mbretit Aleksandër Obrenoviq në vitin 1903 dhe vendosjes së dinastisë Karagjorgjeviq si një “epokë të artë të demokracisë serbe”, por vetëm në kuptimin institucional, jo në atë liberal. Me ardhjen në pushtet të Radikalëve të Nikola Pashiqit, Serbia përjetoi një formë popullizmi parlamentar, i cili formësoi identitetin politik të shtetit përmes retorikës kombëtare, mitit të fshatarit si bartës i moralit kombëtar dhe antagonizmit ndaj Perëndimit.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
LEXO EDHE: