Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi pret që partnerët të dërgojnë anije për të ndihmuar në Ngushticën e Hormuzit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se forcat e Shteteve të Bashkuara i kanë shkatërruar plotësisht caqet ushtarake iraniane në ishullin strategjik Kharg, në atë që e ka cilësuar si një prej bombardimeve më të fuqishme ajrore në të gjithë historinë e Lindjes së Mesme.

Teksa sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit kanë hyrë në javën e tretë, Trump ka bërë të ditur se marina amerikane së shpejti do të fillojë shoqërimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pak çaste më parë, me urdhrin tim, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ekzekutoi një nga sulmet bombarduese më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme dhe shkatërroi plotësisht çdo objektiv ushtarak në xhevahirin e kurorës së Iranit, ishullin Kharg”, ka shkruar Trump në Truth Social në mëngjesin e së shtunës.

Teksa i ka numëruar caqet që janë goditur, presidenti amerikan ka bërë të ditur se është kursyer përkohësisht infrastruktura e naftës.

“Armët tona janë më të fuqishmet dhe më të sofistikuarat që bota i ka njohur ndonjëherë, por për arsye të ndershmërisë kam zgjedhur që të mos e shkatërroj infrastrukturën e naftës në ishull”, ka shtuar ai.

Trumpi ka paralajmëruar që në rast se Irani apo ndonjë akter tjetër ndërhyn për ta penguar kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, atëherë do ta rishqyrtojë këtë vendim dhe do ta vërë në cak edhe infrastrukturën e naftës.

E në një postim tjetër, pak kohë më vonë, Trump, ka thënë se në një mënyrë ose në një tjetër, së shpejti do ta hapë Ngushticën e Hormuzit.

Ai ka shkruar se shpreson që Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Mbretëria e Bashkuar do të dërgojnë anije luftarake në kanalin kryesor të transportit detar, në mënyrë që ai të mos jetë më kërcënim nga Irani.

E goditjes amerikane, Irani i është kundërpërgjigjur me sulme të gjera me raketa dhe me dronë në drejtim të Izraelit dhe shteteve arabe të Gjirit si edhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një raketë iraniane ka goditur të shtunën një pistë helikopterësh brenda kompleksit të Ambasadës amerikane në kryeqytetin irakian, Bagdad. Ky kompleks, i cili është një prej objekteve më të mëdha amerikane në botë, ka qenë vazhdimisht në shënjestër të raketave dhe dronëve të grupeve militante që janë të lidhura me Iranin.

Ndërkaq, copëza të një droni iranian kanë goditur edhe një objekt të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe, por pa shkaktuar viktima.

E, zëdhënësi i Shtabit Qendror iranian, Ebrahim Zolfaghari, ka paralajmëruar se forcat e këtij shteti do të vënë në cak të gjithë infrastrukturën e naftës, atë ekonomike e energjetike të kompanive të naftës në rajon e që kanë aksione amerikane apo që bashkëpunojnë me Amerikën.

Që nga fillimi i operacionit amerikano-izraelit ndaj Iranit, rreth 2 mijë persona raportohet se janë vrarë, kryesisht në Iran. Për rritje të numrit të të vdekurve është raportuar edhe në Liban, ku ushtria izraelite ka kryer sulme në caqet e grupit militant “Hezbollah” të mbështetur nga Irani.