Shtojca për Kulturë

Rrëfimi mbi pallton njeri

Romani “Palltoja e të munguarit” është roman realist me temë luftën, por me një qasje krejtësisht të re karshi saj. Lufta këtu rrëfehet përmes mungesës së një personi dhe prezencës së palltos së tij (Foto: Driton Paçarada)

Romani “Palltoja e të munguarit” është roman realist me temë luftën, por me një qasje krejtësisht të re karshi saj. Lufta këtu rrëfehet përmes mungesës së një personi dhe prezencës së palltos së tij

Foto: Driton Paçarada

Romani “Palltoja e të munguarit” i Albina Idrizit – Botimet KOHA, 2025 – është edhe një histori për luftën tonë të fundit, dhe përmes fijeve të kujtesës artistike flet për një hapësirë dhe kohë reale. Te palltoja flenë kauza, rezistenca, ajo është si një monument që ecën e rrëfen, si një testament që mbulon hapësirën e shtëpisë, dhe zemrat e anëtarëve të familjes i mban ngrohtë. Palltoja bart konceptin abstrakt mbi njeriun e lirisë i cili mungon, dhe palltoja është kujtesë e frymës së tij, është një memorial që krijon ndjesinë te njerëzit e tij dhe te lexuesi

Romani “Palltoja e të munguarit” është romani më i ri i Albina Idrizit, e cila tashmë ka një opus prej 12 veprash, poezi e prozë për të rritur, si dhe për fëmijë. Albina si krijuese ka ndërtuar identitetin e saj letrar dhe romani “Palltoja e të munguarit” paraqet një maturim të ri në krijimin e prozës romaneske, pas romanit “Përsëri mars”, për të cilin mori shpërblimin “Anton Pashku” më 2019, si çmim vjetor të Ministrisë së Kulturës për prozë.

Romani “Palltoja e të munguarit” është roman realist me temë luftën, por me një qasje krejtësisht të re karshi saj. Lufta këtu rrëfehet përmes mungesës së një personi dhe prezencës së palltos së tij. Në fillim të romanit flitet për identitetin e palltos, të një pallte nga Gjermania, detaj i cili shkarazi prek problemin social përmes mërgimit, pastaj përmes rrëfimit poetik palltoja nis e shndërrohet nga një objekt në një subjekt, shpeshherë përmes përshkrimeve me pasuse të një romani absurd (“Palltoja kishte sy dhe po më vështronte gjithë kohës”). Që në fillim hetohet se kemi një miks stilesh, gjë që vetë autorja na e sugjeron përmes fjalisë në formë motoje që është në faqen e parë të romanit, e cila shërben si një deshifrim i përmbajtjes së romanit – “Për të gjitha rrëfimet gjithandej mbledhur në një vetë” – pra fati i individit këtu është fati i kolektivitetit, i shprehur në formë të një mozaiku të rrëfimeve. Pra, në fillim kemi përshkrimin, mjaft poetik e mistik të objektit – palltos, përshkrim i cili e subjektivizon dhe lexuesi nis e ndërton një raport me të si me një personazh. Forma e palltos sjell formën e pronarit të saj, edhe atëherë kur ai ishte plotësuar dhe vrimat e pullës nga presioni i peshës ishin zgjeruar, dhe në këtë mënyrë lexuesi krijon vizualisht portretin, duke identifikuar pallton me pronarin sado që për të s’kemi përshkrime. Gjithsesi, Palltoja si personazh kryesor reflekton kohë – kur pronari punonte në Gjermani, reflekton raportin familjar – të gjithë kanë kujdes për të, ajo mban erën e duhanit të tij – kujton jetën e përbashkët me ta, dhe anëtarët e familjes e ndiejnë prezencën e tij përmes aromës së duhanit, reflekton aksion-trimëri, se pronarin e ka në luftë, reflekton guxim – zonja Meritë e merr në qerre sa herë u nis ushqim ushtarëve të UÇK-së, si dhe mbulon dritaren me të për t‘u dukur si njeri nga largësia dhe për t’i mashtruar dashakeqët që i sillen shtëpisë së saj. Palltoja funksionalizohet bukur nga autorja, shpirtëzohet dhe është një qendër rrëfimi ku integrohen të gjithë familjarët, pikërisht si rreth kryefamiljarit dhe pikërisht nga kjo nisen të gjitha temat e motivet.
Përgjithësisht romani është një rrëfim në veten e parë dhe si i tillë ndërton një afri me lexuesin duke ruajtur koherencën e një rrëfimi të hapur dhe të sinqertë, por brenda romanit inkorporohen edhe rrëfimet e personazheve të tjera të familjes së të munguarit, si është rrëfimi i rrëfimtarit - Unë, rrëfimi - Gjyshja, Gimi dhe Nëna, rrëfime që integrojnë tematikisht pjesë private të jetës së tyre, të gabimeve jetësore e sfidave, të cilat e bëjnë këtë pjesë të romanit shumë vitale, jetësore dhe argëtuese. Përmes këtyre tri teksteve të ndara, paraqitet uniteti i tyre familjar, besueshmëria që lidhet me fatet e tyre të rënda dhe njëkohësisht uniteti tematik. Realisht, rrëfimet e tyre janë dekodime të psikologjisë dhe karakterit të tyre, Gjyshja mund ta vrasë vrasësin e birit të saj Canit, të cilin në momentin që e shënjon, e sheh si qante dhe i shkonin lotët çurk, dhe duke e kuptuar ata lot katarsisi, Gjyshja tërhiqet, nuk e vret. Tërhiqet edhe Gimi, i cili mund t’i merrte fshehtas paratë nga palltoja që t’i blinte dhuratë Hanës që e simpatizonte, por i merr e i kthen, rrëfimtari kur e merr pallton mes shokëve, si dhe zbulimi i revoles në xhepin e saj deri te rrëfimi i nënës, një rrëfim pak i rëndomtë, por që rrëfen një mentalitet autokton përmes babait të saj, i cili ia pengonte martesën me Bardhin. Këto rrëfime që kanë një radhë, janë intertekste që kompletojnë romanin me imazhe dhe ndjesi, që lidhen me realitetin jetësor të ambientit tonë familjar.

Kështu që, autorja vazhdon përmes një familjeje të vogël, dhe përmes perspektivës së personazhit të munguar të paraqesë një luftë të madhe. Krahas kësaj, si mbitekst jepen fragmente tekstesh nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve si një kronikë historike, si nga “Euronews”, “Telegrafi”, “Zëri i Amerikës”, ditari në Kosovë etj. Kjo është pjesa dokumentare e luftës, e cila e bën edhe më të besueshëm romanin dhe më realist.

Ky roman frymëzues dhe informues siç është, është edhe një histori për luftën tonë të fundit dhe përmes fijeve të kujtesës artistike, flet për një hapësirë dhe kohë reale. Lufta, një dhembje racionale nga e keqja e kohës, marrëdhënia me ardhmërinë, personazhet nuk merren me plagë individuale, nuk kemi shumë aksione dhe as emocione euforike, romani del të jetë një homazh për forcën e një familjeje, një kujtesë njerëzore pa u dhënë ana epike e luftës. Autorja e ka të ditur, për atdheun duhet punuar e luftuar pa zhurmë, ajo edhe kur shkruan për spiunët shqiptarë, më shumë e lë të mendojë lexuesi për ta, sesa që i përshkruan. Të shpeshtën i jep gjërat të skicuara, në teknikën kroki dhe mendimi i lexuesit është i pavarur, rreth situatave të shumta sociale dhe logjikës së tyre.

Autorja fut plot detaje të jetës rutinë dhe ato janë pjesët më lirike të romanit, si festimi i ditëlindjes së Gimit, ku “vallëzon” edhe Palltoja, përshkrimi i dashurisë së rrëfimtarit me Jehonën dhe pjesa e dhembshme e vdekjes së gjyshes, e cila në momentet e fundit lyp ta shohë të birin derisa nëna e nxit Gimin ta veshë pallton që asaj nipi t’i ngjajë në të birin dhe ajo më pas vdes e qetë. Autorja do t’u ikë vuajtjeve dhe efekteve të luftës. Bën një prozë përmes rrëfimit të ekuilibruar emocionalisht, imazhi i luftës jepet me shtëpi të boshatisura, krisma, tym, frikë dhe luftë për liri, por jo me dramacitet, bujë e kuje. Është indikative paraqitja e kësaj pjese në roman, e cila është esenca e subjektit të veprës, por e përshkruar me një racio të qetë, pa himnizime e glorifikime. Liria i takon popullit, siç i takon edhe lufta, i takon çdo populli dhe ajo do të vijë, qoftë edhe me masakra, me të munguar e me tmerre dhe gjithçka është në rrjedhën e vet, në rrjedhën e një rrëfimi spontan, por të sigurt. Në këtë mënyrë vjen e mbushet mozaiku rrëfimtar. Pa ndonjë parandjenjë a parapërgatitje, bëhet shthurja e enigmës së të munguarit. Babai i Meritës – nënës, i cili kishte mohuar lidhjen e saj me Bardhin, vjen i mërzitur për fatin e tij enigmatik dhe lut të shkojnë e t‘i shohin disa nga të vrarët, duke menduar se do të jetë edhe Bardhi në mesin e tyre. Gjithçka rrotullohet dhe liria vjen e bukur, vjen edhe Bardhi, i cili me hijen e tij prej luftëtari, kishte mbushur oborrin e shtëpisë. 

Autorja insiston poetikisht që lufta për liri të mos jetë krejt tragjike, se dikush duhet ta gëzojë atë, dhe kjo familje si shumica e tyre në Kosovë, e gëzon. 

Kështu, përmes palltos brenda së cilës fle ideja e madhe e lirisë, si një autoritet simbolik, që përfaqëson një vizualitet të një njeriu të vlershëm. Palltoja, pavarësisht se objekt, përçon një rrymë emocionale, një ndjeshmëri që vizualizon formën e të munguarit. Te palltoja flenë kauza, rezistenca, ajo është si një monument që ecën e rrëfen, si një testament që mbulon hapësirën e shtëpisë, dhe zemrat e anëtarëve të familjes i mban ngrohtë. Palltoja bart konceptin abstrakt mbi njeriun e lirisë i cili mungon, dhe palltoja është kujtesë e frymës së tij, është një memorial që krijon ndjesinë te njerëzit e tij dhe te lexuesi. Ajo gati merr kuptimin e një ideje mbi mitin.